Lekaj fajëson deputetët për monopolin në homologim të veturave

Aktuale

Lekaj fajëson deputetët për monopolin në homologim të veturave

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 17:17
Pamje nga takimi

Monopoli në homologim ka përplasur sot ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj me deputetët anëtar të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ku edhe po raportonte për këtë çështje.

Ministri Lekaj u kritikua nga deputetët për monopolin në homologim, ndërsa duke thënë se nuk ndjehet përgjegjës për këtë, ua hodhi fajin deputetëve dhe ish-ministrit Lutfi Zharku.

Lekaj, ka thënë se Ligji për Automjete ia mundëson EuroLabit që të posedojë licencën për periudhë të pacaktuar. Ai është shprehur se tregu do të hapet dhe nuk do të ketë monopol, porse, nuk ka mundur të jap një afat se kur mund të ndodhë kjo.

Ndonëse ka pohuar se ka hartuar udhëzimin administrativ 02/2018 që ka të bëjë me homologimin e veturave, me të cilin mundësohet hapja e tregut, Lekaj ka bërë përgjegjëse legjislaturat e mëparshme për monopolin në homologim, pasi siç tha ai është ligji ai që i jep direktivat.

E sa i përket çmimit të homologimit, Lekaj tha se është nënshkruar nga ish-ministri Fatmir Limaj dhe ministri i financave, Ahmet Shala.

Lekaj: Unë nuk jam fajtor, ligjin e ka nënshkruar ministri Zharku

“Ua kujtoj deputetë të nderuar, që ju jeni ata që e keni votuar dhe keni dhënë mundësinë që në ligjin ekzistues, afati është i pakufizuar. Dhe, nuk jam unë që e kam nënshkruar atë ligj. Nuk është MI, por jeni ju deputetë të nderuar që keni pasur përgjegjësinë edhe të MIT. Ka qenë vet ministri Zharku, por edhe kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa. Unë nuk i kam fajet që e kam pranuar këtë ligj, por unë si ministër i Infrastrukturës jam i obliguar që me përpikëri të implementojë ligjin e aprovuar nga Parlamenti i Republikës të Kosovës. Nuk jam fajtor unë dhe MI, është fajtor ligji që është miratuar”, u shpreh ai.

Lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, ka plasur debati mes tij dhe deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se ministri Pal Lekaj nuk e ka bërë krimin kryesor, por një krim tjetër. Ai tha se krimi kryesor është bërë në vitin 2008 kur është nënshkruar kontrata në shpërputhje me Kushtetutën e vendit, ndërsa krimi i dytë është udhëzimi administritativ  që sipas tij ministri Lekaj ia ka përshtatur EuroLabit.

Debati Konjufca - Lekaj

“Konjufca: ‘O z.Lekaj vec mundesh me na tregua sa pare i ke marr prej Eurolabit. Le mos bë hajgare’. Lekaj: ‘Ti me njeh shumë mirë, për këtë fjalë mundesh me shkua në gjykatë. Nëse ki argument ju lutem para qytetarëve e thua’. Konjufca: ‘Ose mundesh të shkosh ti nëse ia zgjat Eurolabit kontratën’. Lekaj: Sa pare i kam marrë?’. Konjufca: E them se dikush ka marrë në 2008, dikush po merr në 2019’. Lekaj: ‘Ki me u ballafaqua me gjykatën, se kurrë në jetën time, se me njeh mirë familjarisht. Unë kurrë nuk kam marrë asnjë cent, jo për këtë. Asnjë cent Glauk dhe nuk mund të them për ty që e ke marrë një cent kur nuk është, jo me kanë vota po me kanë jeta’. Konjufca: ‘Këtë vendim nuk ka logjikë njeri pa pas interes personal’. Lekaj: ‘Nuk është ka me intereson Eurolabi, mua më intereson ligji, ligji nuk mi jep, është ka më vjen keq, besoni është ka më vjen keq për gjendjen që jeni ardhë’”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat