Milionat e kartonit të gjelbër dhe grushtet – të bëmat e Gani Thaçit në BKS

Aktuale

Milionat e kartonit të gjelbër dhe grushtet – të bëmat e Gani Thaçit në BKS

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 18:31
Gani Thaçi

Për më shumë se pesë vite, Gani Thaçi ishte njëri prej njerëzve më të pushtetshëm të Byrosë Kosovare të Privatizimeve (BKS). Vitet e vëllait të presidentit Thaçi në BKS u karakterizuan me dyshime për keqpërdorime, nepotizëm e grushte. 

Teksa nga e premtja e kësaj jave, Gani Thaçi nuk do të shkojë më në vendin e tij të punës në Byronë Kosovare të Sigurimeve, të bëmat e tij brenda këtij institucioni nuk do të harrohen lehtë.

Njeriu i cili prej vitesh ka pushtet të madh në Byronë Kosovare të Sigurimeve, do të pensionohet të premten.

Nga e premtja, Gani Thaçi nuk do të ushtrojë asnjë pozitë në byronë ku kishte shërbyer si drejtor ekzekutiv e pastaj edhe si koordinator.

Nga një email i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të cilin e ka siguruar Insajderi, është mësuar se të punonjësit e kësaj byroje kanë organizuar një drekë lamtumirëse për nderë të pensionimit të Gani Thaçin.

“Me rastin e pensionimit të parakohshëm të Koordinatorit z. Gani Thaçi ftoheni të gjithë te premten me datë 28.06 ditë e Premte ora 12:00 që të merrni pjesë në një drekë lamtumirëse që kemi organizuar për nder të bashkpunimit disa vjeçar”, thuhet në e-mailin e BKS-së.

E, pensionimi i Gani Thaçit nga Byroja Kosovare e Sigurimit përbën lajm të gëzueshëm për diasporën kosovare.

Është pikërisht Gani Thaçi, njeriu me shumë pushtet ndër vite në BKS, i cili ka udhëhequr politikat e kësaj byroje, e të cilat kanë dëmtuar financiarisht diasporën e Kosovës përmes polisës ndërkombëtare të sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës, që njihet si Kartoni i Gjelbër.

E teksa Thaçi pritet që të dalë në pension në fund të kësaj jave, njerëzit e tij do të vazhdojnë të kenë pushtet brenda BKS-së, e sidomos në Departamentin e Kartonit të Gjelbër brenda këtij institucioni.

Kjo pasi vitin e kaluar, në Departamentin e Kartonit të Gjelbër, drejtoreshë ishte emëruar Edona Ahmeti, reja e Gani Thaçit. Ajo është e bashkëshortja e Kushtrimit Thaçit, djalit të Gani Thaçit.

Media kishte siguruar vendimin për emërimin e saj në këtë pozitë të rëndësishme vitin e kaluar.

Në këtë vendim thuhej se Ahmeti, e cila ka qenë e sistemuar si ushtruese detyre e drejtorit të Kartonit të Gjelbër, tash kalon në pozitën e drejtoreshës.

Përgjegjësitë e drejtoreshës së departamentit të Kartonit të Gjelbër, pozitë që tashmë e mban Edona Ahmeti, përfshijnë detyrat prej më rëndësishmëve dhe më të ndjeshmeve brenda industrisë së sigurimeve.

Nisin që nga implementimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit për polisat kufitare me vendet e rajonit e deri tek përgatitja e Kosovës për anëtarësim në këshillin ndërkombëtarë të Byrove, përkatësisht pajisjen me Karton të Gjelbër.

Mirëpo, të bëmat e Gani Thaçit nuk përfundojnë këtu. Gjatë kohës së tij në BKS, ai ishte përfshirë në rrahje.

Grushtet e Thaçit për drejtorin ekzekutiv të BKS-së

Në muajin tetor të 2018-s, Gani Thaçi kishte sulmuar fizikisht drejtorin e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkollin dhe Kryetarin e Këshillit të Kompanive të Sigurimit, shtetasin slloven, Gianni Sokolic.

Menjëherë pas përleshjes, Prokuroria Themelore bëri të ditur se të lënduar nga ky sulm kishte mbetur vetëm Blerim Pushkolli, drejtori i BSK-së.

Por, një ditë më vonë doli të ketë mbetur i lënduar edhe shtetasi slloven Gianni Sokolic.

Përleshja fillimisht nisi në mes të Thaçit dhe Sokolic, për shkak të një ndryshimi që Sokolic si kryetar i Këshillit, e kishte paraqitur në mbledhjen paraprake të Bordit të BSK-së.

Dyshimet për vjedhje nga njerëzit e afërm të Gani Thaçit

Kompania “Alt3c”, në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit dyshohet se kishte përfituar mijëra euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve në vitin 2016, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky institucion.

Gani Thaçi, i cili asokohe mbante postin e zv/drejtorit të përgjithshëm në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila kishte lidhur kontratë katërvjeçare me firmën private, në pronësi të Visar Eminit, Mark Vuksanit, Ilir Pushkës dhe Ardian Kelmendit. Në kohën e nënshkrimit të kontratës, postin e drejtorit e mbante Faton Abazi.

Banka Qendrore e Kosovës, e cila operonte si mbikëqyrëse e industrisë së sigurimeve, ishte e njoftuar me veprimet e firmës në pronësi të Ilir Pushkës dhe Ardian Kelmendit, të afërt me djalin e Gani Thaçit, Kushtrimin.

Kjo kompani private, bazuar në kontratën me Byronë Kosovare të Sigurimeve, ishte angazhuar për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit softuerik për implementimin e sistemit Bonus-Malus.

Kontrata parashihte që në këtë sistem të regjistroheshin të gjithë të siguruarit në Kosovë që posedojnë polisë të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Kompania përfitonte 1 euro e 17 cent për çdo të siguruar që e regjistronte në sistemin bonus-malus. Llogaritej se kompanitë e sigurimeve shpenzojnë mbi 400 mijë euro brenda një viti për implementimin e këtij sistemi.

Por, udhëzimi administrativ për implementimin e këtij sistemi parashihte që të mos inkasohen mjete financiare për regjistrimin në sistem të veturave në pronësi publike dhe shtetërore.

Kompania “Alt3c”, kishte shpërfillur këtë udhëzim dhe kishte inkasuar dhjetëra mijëra euro nga regjistrimi në sistem të veturave të këtyre kategorive.

Ky veprim, sipas Bankës Qendrore, është në kundërshtim me rregullat në industrinë e sigurimeve.

“BQK-ja është e informuar se kompania e kontraktuar për sistemin bonus-malus, ka llogaritur provizion për automjetet zyrtare shtetërore dhe publike, për të cilat sipas “Udhëzimit mbi implementimin e sistemit bonus-malus për personat juridik”, i aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme  e BKS-së me datë 6 korrik 2013, nuk vlen aplikimi i sistemit bonus-malus”, ka thënë,  Ardita Begu-zyrtare për informim në Bankën Qendrore.

Kjo kontratë ka qenë në fuqi deri më 1 janar të vitit 2018. /Insajderi.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat