Letër e hapur nënës Nexharie: Bardhyli u bë i pavdekshëm 

Aktuale

Letër e hapur nënës Nexharie: Bardhyli u bë i pavdekshëm 

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 25 qershor 2019 Në ora: 21:17
Bardhyl Ajeti, gazetar i vrarë në vitin 2005

E nderuar dhe fort e respektuar nanë Nexharie, më lejo që përulësisht, së pari, t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj.

Arsyeja që po të drejtohem nanë Nexharie, është biri juaj, apo siç e quaj unë: Për të gjallin n’mes të vdekurve.

Nanë Nexharie, nuk po kërkoj as që t’i dënoni vrasësit e as t’i mallkoni e as asgjë. Kërkoj që t’i falni ata. Fali nanë se s’dinin se ç’janë duke bërë në një moment të papërshtatshëm.

Madje, të ftoj që mu e ty, e të tjerve, të na vijë keq për ta. Për ata duhet patur keqardhje e jo për ju.

Nanë Nexharie,  për ju dhe familjen tuaj, fjalët janë të tepërta. Shikimi juaj i butë, fisnik dhe bujar e tregon më së miri karakterin tuaj aq fort të lavdueshëm.

Image
Nanë Nexharie

Nanë, të më falësh por m’duhet me t’i thanë dy – tri fjalë ashtu siç i mendoj unë.

Nana Nexharie, nuk më vjen keq për atë se çfarë ju ka ndodhur!

Nuk më vjen keq as për djalin tënd, të çmueshmin, Bardhylin, që padrejtësisht ia morën jetën.

Unë, gënjej nëse them se e mirëkuptoj dhimbjen tuaj si nënë. Nuk mund të kuptoj për gjërat që s’i ndjej edhe vetë. Së pari ngase nënë s’jam dhe s’do të jem ndonjëherë. Dhe momentalisht as prind s’jam.

Nasradini, e dashur nanë Nexharie, kur u rr’xu prej dardhës, i tha gruas së vet: Vetëm ata miq që janë rr’xu nga dardha lejoj që të futen brenda e të më vizitojnë dhe asnjë tjetër.

Ideja është kjo: Kush është rr’xu nga dardha e mirëkupton dhimbjen e Nasradinit.

Rrjedhimisht, nisur nga kjo, as unë s’mund të të kuptoj ju e aq më tepër t’ju mirëkuptoj.

Jam hileqar nëse them se të mirëkuptoj për atë se çfarë ndodhi. Unë nuk ju mirëkuptoj, nana Nexharie, por unë e përjetoj dhimbjen tuaj. Përjetimi dhe mirëkuptimi nuk janë e njëjta gjë. Unë s’jam një nga ata që mirëkuptoj. Jam një nga ata që ndjejnë. Dhe prandaj morra guximin t’ju shkruaj këtë letër modeste.

Fisnikëria apo njohja me vuajtjet e tua, nuk bëhet për qëllime lotore. Mjaft kemi qarë nanë Nexharie.

Sqaroj për lexuesit potencial:

Leximi dhe njohja me vuajtjet e anëtarëve të familjes së Bardhyl Ajetit, nuk bëhet për qëllime lotore. Por bëhet për qëllime nofullore. D.m.th, që të të forcohen nofullat duke i shtrënguar kur të lexosh padrejtësitë e kryera ndaj kësaj familjeje.

Nanë Nexharie, djali juaj, gjegjësisht gazetari Bardhyl Ajeti – nuk është rastësi që s’e përdora fjalën “ndjesë pastë” – është në mesin tonë. Ai është këtu, tek unë, tek ty, e tek secili nga ne.

Nuk ke pse qanë më tepër, nanë. Mjaft qave. Koha është të qeshim.

Mua, më vjen keq për personat që kryen vrasjen ndaj birit tënd. Më vjen keq për ata që, në një moment, nuk kishin në kokë tru njeriu por tru cjapi. Prandaj e bën atë se çfarë bënë.

Ju, familje e ngushtë e Bardhylit, e veçmas ju nanë Nexharie, të jesh e lumtur për atë se çfarë i ofrove botës shqiptare.

Bardhyli, nuk ishte gazetar që keqpërdori të dhënat për të shkruar atë që nuk duhet shkruar. Ai ishte gazetar i mirë, që luftoi me aq sa mundi, të keqën që – në një mënyrë apo tjetër – sot e kësaj dite, sillet vërdallë. Dhe bëri mirë. Sepse u bë i pavdekshëm.

Nanë Nexharie, djalin tuaj, e kanë vrarë fizikisht, por jo edhe shpirtërisht. Dhe këtu, qëndron arsyeja se përse, ju dhe familjarët tjerë të ngushtë të Bardhylit, nuk duhet qarë por duhet ndjerë mirë për atë se çfarë ishit, çfarë jeni dhe me aq sa pashë edhe atë se çfarë do të jini.

Ju, jini krenar për atë se çfarë kishit në familjen tuaj. Por, e bukura, është se edhe vet Bardhyli, duhet të jetë krenar për atë se çfarë ka lënë prapa.

Duke shpresuar që nuk ju morra kohë, ju ofroj përshëndetjet më të përzemërta ju dhe familjes tuaj. Juve, ditët në vijim, së pari shëndet dhe paqe e hare. Familjarëve të tjerë, gjitha të mirat në jetë.

Sinqerisht, Valoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat