Demarkacioni si vazhdimësi e idesë për ndryshim të kufijve - Bota Sot
Demarkacioni si vazhdimësi e idesë për ndryshim të kufijve

Aktuale

Demarkacioni si vazhdimësi e idesë për ndryshim të kufijve

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 11:03
Foto ilustrim

Demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po përmendet së voni si një ide që duhet shtruar në dialogun e ardhshëm ndërmjet dy vendeve.

Ky term, duket të jetë më i butë krahasuar me idetë për korrigjim, ndryshim të kufirit apo shkëmbim të territoreve.

Por, aktualisht në Prishtinë, po shtrohet edhe çështja dhe dilema se kur duhet të bëhet demarkacioni? – Sipas politologëve, demarkacioni mund të bëhet vetëm pas marrëveshjes për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në të kundërtën, procedimi me demarkacion para njohjes reciproke, po shihet si vazhdimësi e idesë për ndryshim të kufirit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbetet tek ideja e ndryshmit të kufirit, thotë se me këtë demarkacion apo korrigjim, po përpiqet të jetësojë bashkimin e tri komunave jugore të Serbisë me Kosovën, përkatësisht të komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Thaçi ka deklaruar se është për keqardhje që klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për bërë, siç ka thënë ai, “realitet idealin e bashkatdhetarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që t’i bashkëngjiten Kosovës”.

Me idenë e Thaçit, nuk pajtohet pjesa më e madhe e spektrit politik në Kosovë, pushtet e opozitë, pasi që po dyshojnë se demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë mund të shfrytëzohet edhe si mundësi për ndryshimin e kufijve.

Nisur nga këto dallime në spektrin politik në lidhje me dialogun dhe rezultatet që priten nga ky proces, opinionistët thonë se ka nevojë që qëndrimet të qartësohen në mënyrë që ato të mos lënë pas vetes shumëkuptimësi.

Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se në marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, do të ishte mirë që të përfshihej edhe çështja e demarkacionit.

“Ku është ideja e Thaçit në këtë punë?- a do të jetë demarkacioni ndryshim i kufijve apo do të jetë shkëmbim i territorit apo të jetë përcaktim të themi korrigjim etnik ose jo, kjo varet dhe pritet të shihet”, thekson Tahiri.

Si parim, vazhdon ai, demarkacioni ka nevojë të bëhet në terren dhe të pranohet kufiri.

“Është mirë pasi që në ish-Jugosllavi nuk kanë lëvizur kufijtë dhe është mirë që të mos lëvizin as me Kosovën. Por, është mirë që për këtë punë të vendosë Kuvendi me dy të tretat e votave”, thotë Tahiri.

“Në opinion po krijohen keqkuptime sepse demarkacioni po nënkupton kufij të rinj dhe demarkacioni po nënkupton ndryshim të kufijve e ndonjëherë po nënkupton shkëmbim territoresh dhe popullatash që nuk është e tillë dhe nuk ka arsye që të jetë e tillë”, tha Tahiri.

Ai thotë se një marrëveshje për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton kufijtë ekzistues të Kosovës pa vija të reja etnike, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha ish-shtetet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.

“Në procesin e demarkacionit duhet të ketë kufij të pranuar ekzistues nga Serbia dhe të ketë marrëveshje të nënshkruar. Kjo është faza e parë. Faza e dytë, mund të bëhet lëvizja e kufijve ose këmbimi i territoreve, por kjo është tek faza dytë, kur Kosova e ka një pozicion, por jo kur Kosova nuk e ka një pozicion”, tha Tahiri.

Edhe analisti Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore” në Prishtinë, tha per Radion Evropa e e Lirë se ndryshimi i kufijve nuk është demarkacion, por është shkëmbim i territoreve.

“Para aktit të njohjes, çdo ndryshim i kufijve nuk është demarkacion, por është shkëmbim i territoreve, është ndërhyrje në integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Prandaj, çdo diskutim apo pretendim se përmes demarkacionit mund të arrihet korrigjimi i kufjeve ose përmes korrigjimit të arrihet demarkacioni është absurditet i llojit të vet”, tha Bajrami.

Bajrami thotë se pretendimet për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë pa një marrëveshje, mund të shihen si lëvizje për të kthyer në diskutim çështjen e ndarjes së Kosovës.

“Kjo mund të jetë një përpjekje që idenë shumë të dëmshme të ndarjes së Kosovës ta kthej në diskutim politik dhe në kuadër të dialogut përmes kinse demarkacionit. Demarkacioni është një proces normal mes dy shteteve dhe nuk ka të bëjë shpesh herë fare me çështje politike fare”, tha Bajrami.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, vazhdon të mbetur i bllokuar. Në nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e taksës doganore 100 për qind për importet nga Serbia. Që atëherë, suspendimi i kësaj takse është vënë kusht nga Beogradi zyrtar për vazhdimin e dialogut.

Një përpjekje për të zhbllokuar dialogun e bënë edhe Franca dhe Gjermania, por edhe këto angazhime rezultuan pa ndonjë sukses.

Ndërkaq këto ditë, Prishtina dhe Beogradi nuk e përjashtojnë mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin vendimtar në procesin e dialogut, i cili thuhet se si qëllim kryesor ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...