Shala: Taksa nuk hiqet pa e ndërruar Serbia qasjen ndaj Kosovës

Aktuale

Shala: Taksa nuk hiqet pa e ndërruar Serbia qasjen ndaj Kosovës

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 12:57
Endrit Shala

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka thënë se shteti ynë ka pasur përfitime të shumta që nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe.

Këto komente Shala i ka bërë në një bashkëbisedim me studentë.

Mirëpo sipas Shalës ky ka qenë vendim i detyruar për shkak të qasjes politike dhe ekonomike që Serbia e ka pasur ndaj Kosovës që nga çlirimi.

“Përfitimet janë të shumta me këtë taksë. E ka rritur prodhimin tonë vendor. Nuk kemi nevojë të jemi shumë ekspertë për ta vërejtur ndryshimin dhe efektin e saj. Ne si Ministri nuk kemi vërejtur rritje të çmimeve sidomos të produkteve ushqimore. Qëndrimi ynë si qeveri është që kjo masë e ka ndihmuar dhe po e ndihmon rritjen e prodhimit vendor dhe ka ndikuar që tregu i këtyre vendeve të zëvendësohet me Shqipërinë e Maqedoninë dhe vende tjera. I vetmi problem i vogël ka qenë te prodhuesit tanë vendor që është dashur ta ndërrojnë furnizimin me lëndë të parë”, ka deklaruar ai.

Shala ka theksuar edhe njëherë se taksa nuk do të hiqet derisa ta ndërrojë qasjen Serbia.

“Kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi përderisa nuk eliminohen arsyet për të cilat ne jemi detyruar ta vendosim”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për qasjen e saj dhe propagandën kundër Kosovës.

Që nga vendosja e taksës, Serbia e ka bllokuar edhe dialogun me Kosovën, dialog ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat