Familja e Bardhyl Ajetit i reagon Lutfi Hazirit: Trego në cilën anë ishe dhe je

Aktuale

Familja e Bardhyl Ajetit i reagon Lutfi Hazirit: Trego në cilën anë ishe dhe je

Nga: BS Më: 26 qershor 2019 Në ora: 13:57
Bardhyl Ajeti

Familja e gazetarit të vrarë të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, ka reaguar ndaj kryetarit tëKomunës së Gjilanit dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, pas intervistës qëky i fundit e ka dhënë për gazetën “Bota sot”.

Familja e Bardhyl Ajetit është mllefosur me siç e kanë quajtur ata, deklaratën skandaloze dhe shumë tendencioze të Lutfi Hazirit.

Ata kanë dërguar edhe librezën e anëtarësisë së Bardhylit në degën e dytë të LDK-së në Prishtinë, duke demantuar Hazirin, i cili ka deklaruar se ai ka qenë vetëm simpatizant dhe nuk ka qenë në LDK.

“Ne kemi frikë se shumë nga ju që sot mbetët në majat e LDK-së, ishit jo vetëm në anën e kundërt, por në skuadrën kundërshtare, e cila ndiqte dhe persekutonte njerëzit e Ibrahim Rugovës deri në vrasje si të Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, gazetarëve Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti? Është në dorën tënde të tregosh përfundimisht se në cilën anë ishe dhe je, z.kryetar Haziri, ne vazhdojmë të jemi në të njëjtën anë të historisë!”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagim ndaj deklaratës së Lutfi Haziri, kryetarit të Gjilanit dhe nënkryetarit të LDK-së dhënë gazetës “Bota sot” lidhur me rastin e birit dhe vëllait tonë, Bardhyl Ajetit

Së pari ne si familje e gazetarit të vrarë Bardhyl Ajetit ndihemi shumë të mllefosur me deklaratën skandaloze dhe shumë tendencioze të Lutfi Hazirit.

Së pari ne si familjar e pyesim kryetarin e Gjilanit,

Pse nuk more pjesë në varrimin e Bardhylit sepse siç thua në intervistë e kam pasur fqinjë.Shtrohet pyetja si ka mundur të vijë një aktivist tjetër i LDK-së nga Komuna e Malishevës me karrocë invalidi, i plagosuri në atentat Fetah Rudi?

Së dyti për kujtesën e Lutfi Hazirit, Bardhyli nuk ka qenë gjeneratë e tij, por ka qenë së paku nja 10 vite më i ri se ai.

Image
Ibrahim Rugova dhe Bardhyl Ajeti

Së treti a i kujtohet Lutfi Haziritse derisa vëllai ynë ishte njëri ndër gazetarët më të guximshëm të viteve 2001, 2002, 2003… sa herë ka ardhur pranë shtëpisë sonë për ta marr Bardhylin për të bërë intervista dhe shkrime sepse siç dihet Gjilani në atë kohë kishte edhe gazetarë  të tjerë dhe gazeta tjera, por ishin gazetarët e “Bota sot”, të vetmit që i përkrahnin dhe mbronin aktivistët e LDK-së nëpërmjet bërjes publike të kërcënimeve, shantazheve dhe deri tek tentim vrasje e vrasjet, që i kryenin kundërshtarët politik të Rugovës.

Së katërti sa i përket asaj që Lutfi Haziri i dinte raportet e Bardhylit me “Botën sot” si në Prishtinë ashtu edhe në Cyrih, ne si familje i themi Lutfi Hazirit se për kujtesën e tij në ato vitet 2003-2004 e deri në ditën tragjike Bardhyli ka qenë redaktor kolumnist i gazetës “Bota sot” dhe njeriu më me ndikim të madh në redaktimin komplet të gazetës Bs.

Së pesti kur Bardhyli e mbante të veshur jelekun antiplumb, të rëndë përafërsisht 20 kg, dihet se këtë e bënte për shkak se ishte i kërcënuar e përcjellur për shkak të shkrimeve, siç thotë Lutfi Haziri tendencioze kundër PDK-së,kundër njerëzve dhe falangave të PDK-së,por edhe ne si familje e tij e kishim jetën në rrezik 24 H. Lëre më që askush nuk na hapte derën të na vizitonte, të shihte nëse po mbijetonim ne dhe nëna jonë, por këta njerëz të LDK-së më vonë bën koalicione me njerëz të PDK-së nga të cilët dyshohej se u vranë njerëz të LDK-së në mesin e tyre edhe Bardhyli.

Image
Libreza e anëtarësisë

Së gjashti sa për informim, Lutfi Haziri në mandatin e ri qeverisës të Gjilanit, të filluar në vitin 2017 thoshte se do të ketë dietë buxhetore. Ne po e pyesim a ka dietë buxhetore për miqtë e tij të punësuar në PTK dhe “Hidromoravë” për shokët dhe miqtë e tij në komunë e gjithkund tjetër.

Së shtati, prandaj Bardhyli u vra sepse disa mediume  që thirren si të pavarura dhe me disa redaktor dhe drejtor që kishin implikime me ish shefin e sigurimit shtetëror serb, Jovica Stanishiqin, Lutfi Haziri ishte mysafir i shpeshtë dhe i parapëlqyer i atyre studiove televizive, të cilat ishin të mbështetura nga PDK-ja.

Së teti çfarë përkujdesje institucionale e quan Lutfi Haziri për figurën e Bardhylit apo familjen (nënën), që për 14 vite vetëm një herë e ka vizituar familjen e Bardhylit, dhe atëherë kur ka qenë një deklaratë për një gazetë, pas kritikave që i kemi bërë ndaj tij, kurse për kujtesën e tij, përkujdesjet institucionale nuk bëhen nëpër rrjetet sociale me statuse!

Së nënti nëse Bardhyli nuk ka lënë trashëgimtar, për shkak se vrasja ia ndërpreu në mes ëndrrën e krijimit të familjes (ishte i fejuar dhe po aranzhohej data e martesës, madje ishin diskutuar edhe mysafirët se kush do të ishin) ai e ka lënë një nënë në gjendje mjaft të vështirë shëndetësore, një vëlla, një motër, por edhe nipa e mbesa, për të cilët për 14 vite z. Haziri i keni vizituar vetëm një herë, ndërsa si komunë Gjilani nuk paska pasur mundësi mbase nga ‘dieta buxhetore’ me organizuar të paktën një akademi përkujtimore.

Së dhjeti, sipas Lutfi Hazirit, Bardhyli paska qenë vetëm simpatizant dhe nuk ka qenë në LDK,e për kthjellim të memories së kryetarit të Gjilanit, ne po ja dëshmojmë edhe librezën e anëtarësisë,në degën e II në Prishtinë.

Nëse ju z.Haziri pasni treguar përkujdesje institucionale, cilën rrugë, shesh apo institucion e emëruat me emrin e Bardhylit?

Sa herë keni organizuar tubim memorial apo përkujtimor apo mos ndatë ndonjë çmim apo dekoratë për Bardhylin apo në emër të tij?

Po të mos ishte Rugova, dhe një pjesë e gazetarëve që meritojnë lëvdata heronjsh, që ishin si një skuadër me Bardhylin, në ballë të frontit për lirinë e shprehjes dhe mendimit, LDK-ja vështirë se do të kishte fituar pas luftës, ata ju ndihmuan të dilnit nga izolimi dhe shtypja vandale e njerëzve të PDK-së, por ju i përbuzët si vëllain tonë të vdekur si shumë prej atyre që mbijetuan dhe nuk iu dorëzuan PDK-SHIK-ut si ju, duke i lënë në mëshirë të fatit dhe të pa shpresë!?

Ne kemi frikë se shumë nga ju që sot mbetët në majat e LDK-së, ishit jo vetëm në anën e kundërt, por në skuadrën kundërshtare, e cila ndiqte dhe persekutonte njerëzit e Ibrahim Rugovës deri në vrasje si të Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, gazetarëve Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti?

Është në dorën tënde të tregosh përfundimisht se në cilën anë ishe dhe je, z.kryetar Haziri, ne vazhdojmë të jemi në të njëjtën anë të historisë!

Me nderime familja e Bardhyl Ajetit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat