Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për rastin e veteranit-invalidit të luftës Sabit Geci, i cili sipas kësja organizate, është maltretuar kohë të gjatë, duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje, për shkak të gjykimeve “për krime lufte” që për veteranët e luftës ishin dhe janë procese të montuara politike.
Duke e ditur gjendjen shëndetësore të Geci, i cili përballet me sëmundje të rënda, sëmundje të cilat janë edhe me diagnoza të njëjta nga ana e mjekëve të UNMIK, EULEX, Turqisë dhe Kosovës, veteranët e luftës thonë se u ka ardhur mirë që drejtësia e liroi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore.
Por OVL e UÇK-së thotë se lidhur me këtë lirim, janë habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
“Lidhur me këtë lirim, jemi habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, z. Philip Kosnett dhe pyesim se a ka të drejtë të përzihet në drejtësi, dhe pse nuk reagon për mosgjykimin e serbëve, të cilët kanë bërë dhunime, djegie, shkatërrime dhe krime deri në gjenocid”, thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.
Madje kjo organizatë ka shkuar më larg, duke thënë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm kur Sabit Geci është i vdekur.
“Për fund: Ne mendojmë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur”, theksohet në fund të reagimit.