Mazrekaj në 24 vjetorin e themelimit të “Bota sot” godet Thaçin e Haradinajn: Jeni në anën e kriminelëve

Aktuale

Mazrekaj në 24 vjetorin e themelimit të “Bota sot” godet Thaçin e Haradinajn: Jeni në anën e kriminelëve

Nga: N.H Më: 26 qershor 2019 Në ora: 19:18
Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj.

Gazeta kombëtare “Bota sot”, po shënon 24 vjetorin e themelimit të saj.

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, në këtë përvjetor, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka folur për sfidat dhe kërcënimet me të cilat është ballafaquar gazeta përgjatë gjithë këtyre viteve.

Mazrekaj në këtë shkrim ka shpjeguar se në kohën kur terri informativ kishte kapluar Kosovën nën regjimin e kriminelit Sllobodan Millosheviq, gazeta “Bota sot”, me selinë e saj në Cyrih të Zvicrës u bë gardiane e lirisë së shprehjes, në shërbim të kombit dhe të demokracisë.

Themeluesi i gazetës thekson se shumë herë e me çdo kusht, enveristët dhe pro-jugosllavët me mendësi kriminale u munduan që ta ndalnin punën e gazetës “Bota sot”, mirëpo, këtë ai thotë se nuk ia arritën asnjëherë.

Ai gjithashtu kujton edhe kërcënimin më të rëndë, kur një shqiptar i Maqedonisë, i cili kishte qenë anëtarë i LPK-së, Vetëvendosjes dhe së fundi i AAK-së, i kishte dërguar bombë në adresën e tij.

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, ndër të tjera në shkrimin e tij, thotë se, presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj, nuk e falënderuan asnjëherë drejtësinë e Zvicrës për punën e bërë në kapjen dhe dënimin e dorasit.

“Presidenti dhe Kryeministri nuk e falënderuan drejtësinë e Zvicrës për punën e bërë në kapjen dhe dënimin e dorasit. Është e turpshme të mos falënderohet shteti dhe drejtësia e Zvicerane(Gjykata Federale e Zvicrës) për dënimin e kriminelit në fjalë. Unë mendoj, se derisa këta të mos e bëjnë falënderimin ndaj shtetit zviceran, janë në anën e këtij krimineli”, shkruan mes tjerash Xhevdet Mazrekaj në llogarinë e tij.

Ja shkrimi i plotë i Mazrekajt:

Sot u mbushën 24 vjet nga themelimi i gazetës së parë të pavarur gjithëkombëtare “Bota sot”. Për gjithë këto vite gazeta “Bota sot”, arriti të depërtojë në mendjen dhe zemrën e qindra-mijëra lexuesve, me guximin për ta thënë të vërtetën.

Për disa momente më shkuan nëpër mendje shumë sfida që i kemi kaluar si medium i pavarur, për të arritur këtu ku jemi sot. Mu kujtuan edhe skeptikët, ata që më sugjeronin që të mos e nisë këtë punë, e që fatmirësisht nuk i dëgjova, pasi qëllimi dhe ideali tejkalonin dyshimet e tyre.

Në kohën kur terri informativ kishte kapluar Kosovën nën regjimin e kriminelit Sllobodan Millosheviq, gazeta “Bota sot”, me selinë e saj në Cyrih të Zvicrës u bë gardiane e lirisë së shprehjes, në shërbim të kombit dhe të demokracisë. Na luftuan shumë. Enveristët dhe pro-jugosllavët me mendësi kriminale u munduan që me çdo kusht ta ndalnin punën e gazetës “Bota sot”, por nuk ia arritën. Na kërcënuan duke dërguar bombë në adresën tonë. Drejtësia zvicerane para dy vjetësh, kapi dorasin e porositur nga qarqet kriminale brenda Kosovës. Një shqiptarë i Maqedonisë, i cili ka qenë anëtarë i LPK-së, Vetëvendosjes dhe së fundi i AAK-së, po e vuan dënimin e merituar, për dërgimin e bombës në adresën tonë.

Presidenti dhe Kryeministri nuk e falënderuan drejtësinë e Zvicrës për punën e bërë në kapjen dhe dënimin e dorasit. Është e turpshme të mos falënderohet shteti dhe drejtësia e Zvicerane(Gjykata Federale e Zvicrës) për dënimin e kriminelit në fjalë. Unë mendoj, se derisa këta të mos e bëjnë falënderimin ndaj shtetit zviceran, janë në anën e këtij krimineli.

Megjithatë, mbes me shpresë dhe dëshirë, që njësoj të dënohen edhe vrasësit e gazetarëve të gazetës “Bota sot”, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti. Ata u vranë nga dora kriminale vetëm pse shkruanin të vërtetën.

Sot, me krenari e them që “Bota sot”, mbetet lidere e informimit të drejtë, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë e saj editoriale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat