Thirrja e Krasniqit para seancës: Momenti i fundit për ta votuar Ligjin që mbështet sportistët dhe artistët

Aktuale

Thirrja e Krasniqit para seancës: Momenti i fundit për ta votuar Ligjin që mbështet sportistët dhe artistët

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 20:20
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër, në orën 10:00, në një seancë të jashtëzakonshme, për ta votuar në leximin e dytë Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, amendamentimi i të cilit do t’u ndihmojë sportistëve dhe artistëve të Kosovës.
Pas dështimeve të deritashme, për shkak të mosvotimit nga Opozita, PDK, me mbështetjen e partnerëve qeverisës dhe PSD-së, ka mbledhur 51 nënshkrime për thirrjen e kësaj seance, në mënyrë që sportistët dhe artistët kosovarë ta marrin mbështetjen e nevojshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se është momenti i fundit që ky Ligj të kalojë, ndërsa pohon se këtë e presin nesër nga secili deputet të gjithë njerëzit e sportit dhe kulturës.

“Qëllimi i thirrjes së seancës së nesërme është miratimi i Ligjit për Tatim të Korporatave dhe i amendamentit që e bën Ligjin për Sponsorizime pjesë të këtij Ligji sa u përket sponsorizimeve në sport dhe kulturë”, ka thënë ai.

Krasniqi, më tutje, ka pohuar se realisht deputetët e kanë edhe obligim ta votojnë këtë Ligj, për shkak të punës së jashtëzakonshme që po bëjnë sportistët dhe artistët kosovarë, brenda dhe jashtë vendit.

“Është momenti i fundit që ky Ligj të kalojë dhe t’ia mundësojë sektorit privat që ta mbështesë sportin dhe kulturën tonë, që realisht janë fushat që neve si shtet po na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë, besoj, nesër e presin nga Kuvendi dhe nga secili deputet të gjithë njerëzit e sportit dhe kulturës. Tekefundit, këtë e kemi obligim për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë ata”, ka thënë Memli Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje deri më tani nuk e kanë votuar këtë Ligj, ndërsa kanë rritur pakënaqësinë në komunitetin e sportit dhe artit në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat