Deputetja e AAK-së: Çka ka pasur të jashtëzakonshme, ku janë deputetët?

Aktuale

Deputetja e AAK-së: Çka ka pasur të jashtëzakonshme, ku janë deputetët?

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 08:03
Time Kadrijaj

(E plotësuar) -  Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka adresuar kritika ndaj partive opozitare duke konsideruar se nuk po e kryejnë punën e tyre, por vetëm po vijnë të marrin mëditje.

Në seancën e jashtëzakonshme që është duke u mbajtur për arsim, deputetja Kadrijaj tha se nuk ka pas asgjë të jashtëzakonshme që të mbahet kjo seancë.

Sipas saj, nëse do të kishte pas diçka urgjente nuk do të ishte një numër kaq i vogël i deputetëve.

Kadrijaj: Çka ka pasur të jashtëzakonshme, ku janë deputetët

“Nuk keni faj ju opozita, lypni komisione hetimore punën e deputetit s’jeni duke e kryer po vini po merrni mëditje, nuk po votoni asnjë projektligj. Tash veç me iu bërë prokuror dhe gjykatës. Nuk iu ka mbet tjetër, punën e deputetit nuk jeni duke e marr seriozisht tash veç lypni debate veç me komisione hetimore. Absurditeti i seancave të jashtëzakonshme, e kishim seancën e jashtëzakonshme paradite që rezultoi me një votim që i përkrahim sportistët dhe artistët që rezultoi me një të arritur. Por sot, në këtë seancë të jashtëzakonshme çka ka pasur të jashtëzakonshme, ku janë deputetët. Nëse ka pasur urgjencë të tillë ku janë deputetët”, tha ajo.

***

Image

Pasdite ka vazhduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për gjendjen në arsim.

Por në sallën ku mbahen seancat ka shumë pak deputetë.

Ata pas pushimit dy orësh nuk janë kthyer fare.

Në seancë mungojnë edhe ministrat e po ashtu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Punësimet partiake përplasin ministrin Bytyqi e deputeten Haxhiu

Punësimet partiake në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë përplasur të parin e kësaj ministrie dhe deputeten e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila ka akuzuar ministrin se e ka shkatërruar arsimin në vend.

Deputetja Haxhiu ka përmendur emrat e disa personave që sipas saj janë të afërm të ministrit Bytyqi e që janë punësuar në dikasterin që ai e udhëheq.

Haxhiu: Iu ftoj që as të mos talleni me deputetët e Kuvendit

“Iu ftoj që as të mos talleni me deputetët e Kuvendit dhe as mos të talleni me qytetarët e Kosovës. Pse po e them kështu, prej që keni ardhur në krye të ministrisë së Arsimit e keni shndërruar ministrinë e Arsimit në çerdhe të militantëve partiak dhe për këtë flasin të gjithë. Në anën tjetër e keni shkatërruar sistemin arsimor në Republikën e Kosovës dhe z.ministër mos të shkon mendja as ty e as deputetëve të partisë tënde me u krahasua me Vetëvendosjen. Nuk mundeni me na shti në të njëjtin thes, më vjen keq, ndonëse mundoheni me propaganda të llojit më të ulët të bëni ngjashmëri ndërmjet LVV-së dh juve e keni shumë gabim, se qytetarët e dinë se kush është LVV dhe kush është partia juaj. Po lypni emra, kush janë personat të cilat ju i paskët punësuar si militantë të Nismës, kush është Pajtim Kleçka, Arianit Krasniqi, Valdete Prebeza, Shkurte Gashi, Valdete Gashi, kush është Beslinda Hoxha është mbesa juaj, kush është Milot Hyseni është djali i motrës së bashkëshortes tënde, kush është Lavdim Rizani, Dion Bytyqi, Veton Kastrati, lista është e gjatë z.ministër”, tha ajo.

Ajo tha se po të kishte prokurori të pavarur ministri Bytyqi nuk do të ishte këtu.

Deputetja Haxhiu ka pyetur ministrin se a e din se cka do të thotë për një shtet të shkatërrosh arsimin, ajo tha se meqë nuk janë të vetëdijshme tallen me deputetët, por që ajo tha se do t’i nxjerrin me fakte secilin skandal që e kanë bërë.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, i cili sugjeroi deputeten Haxhiu që të mos shërbehet me dezinformata, pasi sipas tij personat e përmendur nga ajo nuk janë të punësuar në MAShT.

Bytyqi: Mos u shërbe me dezinformata

“Edukimi dhe kultura ime nuk ma lejon që të tallem me askënd, edhe me personin me të vogël që është fëmija, nuk ma lejon kultura të tallem. Ndërsa qasja juaj nuk ia vlen as me u tallë, në formën se si po i drejtohesh një ministri. Megjithatë, mund të them mos u shërbe me dezinformata. Nëse je deputete, merr informata të sakta. Merr saktësisht se këta persona që i përmende si familjarë të mi, a janë të punësuar në MAShT. Unë e di që ne kemi pasur sulme të gjithanshme sepse kemi bërë veprime të cilat nuk janë bërë asnjëherë në sistemin arsimor dhe ne kemi qenë të vetëdijshëm që do të kemi sulme të tilla”, tha ai.

Në mbrojtje të ministrit Bytyqi ka dal edhe bashkëpartiaku i tij, Enver Hoti, i cili ka thënë se lista të tilla mund të marrin në secilin institucion ku udhëheq Vetëvendosja.

Hoti: Lista të tilla mund të marrin në cdo institucion ku udhëheq LVV

“Ne nuk jemi për të marrë listat sepse listat e tilla mund të marrin mjaftë në secilin institucion ku udhëheq edhe LVV edhe LDK dhe PDK, ku ka raste me i marrë ata militantë dhe me i punësua me kontrata të veçanta në emër të shërbimeve të veçanta, por nuk e kemi ndërmend të hyjmë në këtë lojë se na vije keq prej atyre njerëzve që edhe këta i kanë punësuar në mënyra të tilla. Por, edhe një herë po e ngriti çështjen është vendosur një drejtoreshë e cila nuk e ka ditur as ku është shkolla Sami Frashëri, ka marrë detyrë zyrtare për me përmirësua gjendjen dhe arsimin në kryeqendrën e Kosovës. A ka ndonjë arsye kjo çështje? Ndërsa për transparencë, pyetni ndonjë zëdhënës ose deputet që ka qenë në drejtorinë e parë të VV-së në Prishtinë”, tha ai. 

Por, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka vazhduar me akuzat nga Nismës Socialdemokrate, ku ka akuzuar se edhe Malishevën që e udhëheqin e kanë shkatërruar me njerëz partiak dhe të padijshëm.

Haxhiu: E keni shkatërruar Malishevën

“Padyshim që nuk mund të flisni me letra sepse krejt këtë shpifje që e bëni, e bëni për qëllime të caktuara, dhe për këtë jemi në dijeni. Çka po dua me thënë me këtë është që logjikën e tillë, abuzive, përveç që e keni bërë me MAShT dhe ministritë tjera, e keni bërë edhe në Malishevë. A e dini çka keni bërë në Malishevë. Mua shpesh më bien me shkua në Malishevë, e keni shkatërru, i keni shkatërru shkollat në Malishevë me njerëz partiak dhe të padijshëm. Përveç që kanë qenë partiak dhe të padijshëm, pastaj, tendencën e njëjtë jeni munduar ta bëni edhe në Prizren, po s’ia keni dalë sepse iu janë anuluar disa konkurse. Prandaj, edhe njëherë ju ftoj që të ndalni këto abuzime me arsimin, sepse kjo qasje po i detyron të rinjtë tanë me e lëshua Kosovën”, tha ajo.

Pas këtij debati, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15, ku më pastaj do të vazhdojë debati për gjendjen dhe vendimet e MAShT-it.

Për gjendjen në arsim përplasen Nisma e PDK-ja

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi duke arsyetuar punën e tij para deputetëve në seancën e jashtëzakonshme për arsim ka renditur sukseset, që sipas tij kanë ndodhur gjatë mandatit të tij.

Ministri veçmas theksoi se do të ndodh depolitizomi  i sistemit arsimor duke iu dhënë rol vendimmarrës faktorit prindër dhe këshillit drejtues.

Bytyqi: Ne jemi zotuar për depolitizim të sistemit arsimor

“ Ne jemi zotuar për depolitizim të sistemit arsimor, sot udhëzimi administrativ i cili do të nënshkruhet pasnesër pikërisht do të ndikoj në depolitizimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Sepse akterve kryesor në vendimmarrje do të jetë faktori prindër dhe këshilli drejtues i shkollave që i përkasin”, tha ministri Bytyqi.

Gjatë kësaj seance, Bytyqi kërkoi që gjithë diskutimi mos të bëhet politik, duke thënë se kritikat e adresuara janë të pabaza.  

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ministri Bytyqi tha se dhe në arsimin e lartë kanë vendosur rregull për publikimet shkencore.

Bytyqi: Në arsimin e lartë vendosëm  një rregull për publikime shkencore

“Ne së pari nga zhurma e madhe dhe parregullsitë  e mëdha që kishin të bënin  me avancimet akademike, publikimet në revista të dyshimta që nuk kishin siguri në publikime shkencore vendosëm një rregull. E realizuam një udhëzim administrativ ku sado kudo vë korniza më të disiplinuara për publikime në këto platforma. Çka ndodhi, u bë një zhurmë e paparë, reagime të ashpra  ishim të vetëdijshëm sepse po vendosim rregull. Por sot jam më se i lumtur, vetëm Universiteti i Prishtinës qojnë kërkesë tek ministria, a bën  t’i forcojmë kriteret më të forta që i kemi në udhëzimin administrativ, kjo është suksesi, kjo është hapi i parë që është bërë, padyshim se ne do t’i aprovojmë çdo kërkesë që ka ngritje të universiteteve”, tha ai

Ministri mes tjerash tha se në proces janë dhe dhjetë çerdhe publike.

Për gjendjen në arsim përplasen Nisma e PDK-ja

Deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimi, ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të gjitha dështimet po ia atribuojnë ministrit Shyqiri Bytyqi, pasi sipas saj disa nga dështimet kanë ndodhur viteve të kaluara.

Ajo tha se nëse do ta kishin seriozisht deputetët që folën për dështimet nuk do t’i mbetej asnjë punë ministrit.

Halimi: Asnjë punë nuk i kish mbet ministrit Bytyqi me e bë tash

“Me e pas kaq seriozisht kolegët që folën deri tani për arsimin besoni që bash asnjë punë nuk i kish mbet ministrit Bytyqi me e bë tash. Qysh ka mundësi për shembull LDK-ja  me PDK-në me bë pyetje pse nuk ka çerdhe publike, qysh ka mundësi VV-ja me e pyet Nismën ose z.Bytyqi pse fëmijët 0-5 vjet shkojnë në çerdhe private, shkojnë në çerdhe private se nuk ka çerdhe publike, çerdhet publike kush nuk i ka bë, nuk i ka bë ministri Bytyqi. Unë po e marr vetëm një shembull Prizrenin, në Prizren ka qenë vetëm një çerdhe publike dhe atë e kanë privatizuar, pra Prizreni si një qytet i dytë nuk ka pasur asnjë çerdhe publike dhe normalisht që fëmijët detyrohen të shkojnë në çerdhe private. Pse nuk i ka bërë ministri Bytyqi apo nuk i ka bërë Qeveria Mustafa që ka qenë edhe PDK-ja aty. Vetëm tani në Prizren në këtë vit po ndërtohen tri çerdhe publike, kjo është pra. Nëse dua m të jemi real të flasim në këtë formë, jo t’ia atribuojmë dështimet e Qeverisë së kaluar ministrit Bytyqi”, tha ajo.

Ajo tha se kritikat e dhëna nga deputetët drejtuar ministrit aktual të Arsimit janë të pabaza.

Deputetja Halimi tha se nuk mund të thotë PDK-ja që e ka pasur prioritet kombëtar arsimin kur nuk ka ndarë buxhet për të.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e PDK-së Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila ka përmendur disa nga vendimet që ishin marrë kur me MAShT-in kishte udhëhequr PDK-ja.

Gutaj: PDK e ka pasur prioritet dhe do ta ketë gjithmonë arsimin

“PDK e ka pasur prioritet dhe do ta ketë gjithmonë arsimin. Desha t’i numëroj të arriturat të cilat janë bërë dhe mbeten historike gjatë qeverisjes së PDK-së në MAShT. E para, në vitin 2007 kur PDK e ka marr qeverisjen në MAShT mësimdhënësve iu ka kthyer dinjiteti me rritjen e pagave qind për qind. Infrastruktura shkollore është përmirësuar mbi 90 përqind, kemi pas shkolla të reja. E treta, PDK iu ka ofruar mundësi studimi shumë studentëve të cilët e kanë ëndërruar studimin duke u nisur nga Prizreni, regjioni i Prizrenit që nuk kanë pasur mundësi. Sigurimi i librave falas, PDK dhe prioritetet e PDK kanë dhënë librat falas deri në klasën e 9-të”, tha ajo. 

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për gjenden dhe vendimet e MAShT-it.

Haxhiu: Për gjendjen në arsim fajtor jemi të gjitha partitë

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka thënë se për gjendjen e keqe të arsimit në vend fajtore janë të gjitha subjektet politike, pasi sipas saj arsimi nuk është i një partie.

Ajo tha se është koha e fundit që në arsimin fillor të mos bëhen punësime partiake, por të bëhen punësime në bazë të meritave.

Haxhiu: Në arsimin fillor të i largojmë punësimet jo profesionale

“Kemi shumë shqetësime për shkak të numrit të vogël të nxënësve cdo ditë e më shumë, cdo vit e më shumë, por cdo ditë po them. Por, kemi edhe mbingarkesë të numrit të nxënësve në disa paralele në disa komuna. Atëherë a është shqetësimi ynë i përbashkët në komuna që kanë mbi 48 nxënës në një paralele dhe ato që i kanë 2 nxënës dhe mësuesi shkon me 5 ditarë në një orë. Çfarë mësimi mund të bëhet, ky është shqetësim për të gjithë neve. Nuk duhet të mendojmë në aspektin e fotografisë apo të votave tona në të ardhmen. Pra, duhet të merremi edhe me probleme të cilat e atakojnë shoqërinë dhe arsimin. Pra, Fushë Kosova nuk e ka hapësirën për të ndërtuar një çerdhe, pra nuk ka hapësirë publike, cdo vit ballafaqohet me mbi norma dhe mësimdhënësit punojnë me vite për të ardhur në listë të pagave. Konsideroj që duhet në arsimin fillor të i largojmë punësimet jo profesionale dhe ky nuk është problem veç i ministrit”, tha ajo.

Deputetja Haxhiu, ka folur edhe për ligji për arsimin e viteve të 90-ta, ku tha se buxheti është ndarë me kohë, ka hyrë në fuqi, por që sipas saj janë udhëzimet administrative që po e pamundësojnë kompensimin e mësimdhënësve të asaj kohe. 

***

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi duke folur në seancën e jashtëzakonshme për arsim dhe vendimet e MAShT-it që është duke u mbajtur theksoi se gjendja në arsim është një produkt i një krize tridhjetë vjeçare në Kosovë.

 Ai  tha se krejt kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së vizionit të buxhetit dhe gabimit në hapa që ka ndodhur vazhdimisht.

Në emër të partisë, deputeti Çaushi tha se dhe arsimi parauniversitar gjendet në një moment tepër të vështirë.

Krejt kjo ka ndodhur sipas tij, për shkak të ndërhyrjes brutale të partive politike përmes punësimeve partiake dhe nepotizmit

Çaushi: Punësimet partiake po godasin në bërthamë cilësinë e arsimit

“Arsimi parauniversitar ku duhet të fitohet dija bazë e cila i paraprinë secilës dije, gjendet në një moment tepër të vështirë. Ndërhyrja brutale e partive në pushtet në gjitha pushtetet e pasluftës përmes punësimet nepotizmit  dhe në baza partiake ka goditur dhe po vazhdon të godas në bërthamë cilësinë në këtë nivel arsimor. Duke prodhuar nxënës të cilëve nuk iu zhvillohet aftësinë elementare të kuptuarit...mungesa e teksteve cilësore shkollore  këtyre viteve vetëm sa ka rënduar gjendjen në arsimin parauniversitar. Me të njëjtën problematik po duket që do të merremi dhe më tutje”,  tha deputeti Çaushi. 

PDK: Largimi i drejtorëve dhe kontratat mbi vepër nuk japin optimizëm për cilësi në arsim

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika të shumta ndaj ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi duke konsideruar se sistemi arsimor në Kosovë po vazhdon të ballafaqohet me probleme të vazhdueshme.

Sipas tyre, largimi i drejtorëve, pagesat e dy personave për një pozitë dhe kontratat mbi vepër që po ndodhin brenda Ministrisë nuk japin optimizëm për cilësi në arsim.

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për gjendjen në arsim dhe vendimet e MAShT-it në emër  të kësaj partie, deputetja Luljeta Veselaj- Gutaj tha se mungesa e vizionit për reforma të vazhduar dhe reduktimi i projekteve ndërkombëtare ka bërë që të ketë regres në ministri.

Veselaj- Gutaj: Pagesat e dy personave për një pozitë, kontratat mbi vepër brenda ministrisë nuk japin optimizëm për cilësi në arsim

“Sistemi arsimor në Kosovë aktualisht po ballafaqohet me një varg problematikash duke filluar nga sistemi para universitar deri tek ai universitar. Shqetësuese është reduktimi i projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës, Esid. Kjo ka ndodhur për shkak të shkallës së ulët  të realizimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kishte marrë vite më parë nga Banka Botërore. Ky projekt tani më është reduktuar në 3.5 milionë euro dhe kjo ka ndodhur vetëm për shkak të mos punës së mirë që është dashtë të bëhet nga MASHT...të gjeturat faktike që kanë ndodhur në MASHT si largimi i drejtorëve, pagesat e dy personave për një pozitë, kontratat mbi vepër brenda ministrisë nuk japin optimizëm për cilësi në arsim. Largimi i zotëri Idrizi nga pozita e drejtorit për shkak se nuk e ka nënshkruar një dokument i cili ishte dhe shkelte ligjin, suspendohet nga vendi i punës”, tha ajo.

***

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se shkollimi në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë me i shtrenjtë e as me i dobët.

Në seancën që po mbahet për gjendjen në arsim dhe vendimet e MAShT-it në Republikën e Kosovë, Kurti shprehi shqetësimet e tj për rezultatet e testit PISA, për të cilin tha se ka dëshmuar që Kosova me 146 pikë nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ngelet në fund të ranglistës.

Meqenëse 40 pikë janë sa një vit shkollimi, ai tha se i bie që maturanti i Kosovës, është i nivelit të semimaturantit.

Ai tha se arsimi në Kosovë është për arsimtarët e jo për nxënësit, pasi pjesa më  e madhe e buxhetit shkon për pagat.

Kurti: Po të kishte test PISA për profesorët e arsimtarët, kushedi se si do të rangoheshim

“Nuk e kemi një test të PISA-s për profesorët e arsimtarët, sepse kushedi se si do të rangoheshim aty. 68 përqind të nxënësve të Kosovës nuk arrijnë nivelin 2 në shkallën e përgjithshme të shkencës, 77 përqind në atë të leximit e 78 përqind të matematikës. Pra, përafërsisht ¾ nuk i kanë njohuritë themelore. Kosova i ka gjysmë milioni banorë nën 15 vjeç. Duhet të brengosemi shumë për të kur kemi parasysh rezultatet e fundit të PISA-s për 15 vjeçarët”, tha ai.

Kurti foli edhe për mungesën e trajnimeve, teksa shtoi se ka një numër shumë të madh të atyre që punojnë në fusha për të cilat nuk kanë studiuar.

Sipas tij, pavarësisht shkollimit të tyre, të rinjtë po punojnë në fusha të tjera, gjë që merr kohë edhe kooperimi i tyre në vendin e punës.

Kurti: Vetëm 2 përqind e studentëve studiojnë bujqësi

“Mbifurnizimi me disa profesione, dhe mungesa në disa të tjera, janë gjithashtu dukuri e normalizuar në këtë hendekun e shkathtësive. Për shembull 52 përqind e studentëve në arsimin e lartë studiojnë shkencat shoqërore, biznes apo juridik, e vetëm 2 përqind bujqësi, ndonëse bujqësia përbënë 10 përqind të brutoproduktit vendor në Kosovë... Prandaj nuk është e rastësishme që mbi 90 përqind të të diplomuarve në Universitetin Amerikan (RIT) janë të punësuar apo kanë bizneset e tyre”, u shpreh Kurti. 

***

 Deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, që njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Arsim Ismail Kurteshi, tha se arsimi në Kosovë është në gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike.

Ai në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet gjendja në arsim dhe vendimet e MAShT-it, Kurteshi duke iu referuar disa studimeve të publikuara tha se numri i atyre që janë analfabet funksional po rritet. 

Kurteshi: Arsimi në Kosovë është në gjendje të rëndë

“Arsimi në Kosovë është në gjendje të rëndë sot për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare, po aq edhe për shkak të mungesës së organizimit të mirë dhe sidomos për shkak të ndërhyrjeve politike. Se si është gjendja në Kosovë po thirremi edhe në një studim të UNICEF-it që e ka bërë vitin e kaluar ku përveç tjerash thotë se vetëm rreth 5 përqind e fëmijëve janë të përfshirë në çerdhet publike, 95 përqind të fëmijëve janë të përfshirë në arsimin e obligueshëm, 84 përqind janë të përfshirë në arsimin e mesëm. Ndërkaq, në Kosovë 5.4 e qytetarëve janë analfabetë, derisa në vitin 2008 analfabet funksional kanë qenë 62 përqind, ndërsa në vitin 2015 rreth 78 përqind, që do të thotë se numri i atyre që janë analfabet funksional po rritet. Bazuar në një raport tjetër, ka mos përputhje të kurrikulës së arsimit të lartë me arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe me nevo jat e tregut të punës, mungesa e laboratorëve dhe mjeteve të tjera të punës është sëmundje kronike e shumë shkollave tona”, tha ai.

Ai tha se dy muaj para fillimit të vitit të ri shkollor ende nuk dihet se me cilat tekste do të fillojë viti i ri shkollor, me të vjetrat që nuk janë në harmoni me kurrikulën e re apo me të rejat për të cilat ka shumë vërejtje.

Kurteshi ka folur edhe për idenë e riorganizimit të shkollave, ku tha se ka shkolla që punojnë me tri ndërrime me 40 nxënës në klasë dhe ka shkolla që punojnë me një ndërrim dhe kanë numër të vogël të nxënësve. Ai tha se ministria e Arsimit në këtë situatë duhet t’i prijë procesit të riorganizimit të shkollave duke pasur parasysh në rend të parë interesin e nxënësve.

Sa i përket fëmijëve me nevoja të veçanta ai tha se nuk dihet se sa është numri i tyre që janë të përfshirë në shkolla, duke theksuar se shkollat nuk kanë infrastrukturë të duhur për këta nxënës.

***

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për të Ardhurat e Korporatave me 74 vota për dhe dy abstenime.

Po ashtu Kuvendi ka votuar amendamentin 5 të propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu, ku ka marrë 79 vota.

AAK voton amendamentin e deputetit Haxhiu, por ka një kusht

Deputeti i AAK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa Blerim Kuqi, ka thënë se është për të ardhur keq që deputeti Bekim Haxhiu nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni gjatë hartimit të ligjit për tatimin e korporatave.

Kuqi tha se si grup parlamentar do të votojnë amendamentin e deputetit Bekim Haxhiu, me kusht që ligji të ketë një monitorim të veçantë.

Kuqi: do ta votojmë amendamentin e Bekim Haxhiut, me kusht

“Ne në parim, ose së paku si grup parlamentar, do ta votojmë këtë ligj, do ta votojmë amendamentin e z. Haxhiu, me kusht që duhet një monitorim i veçantë i ligjit dhe nëse hasim në probleme të çfarëdo natyre që është ne do të propozojmë edhe ndryshim-plotësimin e këtij ligji”, tha Kuqi. 

Konjufca: Frikësohem se klubet sportive do t’i kenë emrat KF Devolli, Z-Mobile e ETC

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka deklaruar se do ta votojnë amendamentin e deputetit Bekim Haxhiu, por që nuk do të marrin përgjegjësi për keqpërdorimet kur ato të ndodhin.

Ai ka kritikuar pozitën për propagandën që është bërë se kush e ka kundërshtuar amendamentin e deputetit Haxhiu është kundër sportistëve. Ai ka thënë se kundër këtij amendamenti është Qeveria, pasi ministri i Financave Bedri Hamza ka qenë kundër tij.

Konjufca tha se do të ndodh lënia anash e sportit të Kosovës, pasi sipas tij korporatat e marrin në dorë sportin dhe Qeveria e ka justifikimin.

Ai tha se nëse do ta votojë këtë amendament do ta votojë vetëm se sportistët po mendojnë që është i mirë dhe që po iu ndihmon.

Konjufca: Klubet kanë me i pasë emrat KF Devolli, Z-Mobile e ETC

Ky është koncept i orientimit total privat të sportit që mua nuk më pëlqen dhe tash po ua shpjegoj pse nuk më pëlqen. Se pari përveç keqpërdorimeve të shumta që mund të ndodhin, e dyta frikësohem që pas tri katër vitesh në Kosovë klubet tona të sportit nuk kanë me e pas më emrin Prishtina, Llapi e Drita, po kanë me ia nis me pas emrin KF Devolli, Z-Mobile edhe ETC. Kjo ka me ndodh shumë shpejt në Kosovë edhe këto ekipe pastaj kanë me ia nis me fitua ligat e Kosovës, krejt. Këtë koncept të sportit ju po doni ta sillni në Kosovë. unë mendoj që nuk është mirë, nuk është modeli më i mirë i mundshëm.... Nejse, pasi sportistët po mendojnë qashtu që është më mirë unë do ta votojë edhe Vetëvendosje do ta votojë këtë amendament. Mirëpo përgjegjësinë për keqpërdorime nuk do ta marrim dhe kur ato do të ndodhin përmes këtyre mekanizmave që mund të jenë edhe mekanizma të shpëlarjeve të parave edhe të ikjes së tatimeve, do të mundohemi t’i ngritim këto probleme, t’i zbulojmë ato dhe t’i rimë gati dhe t’i përmirësojmë gabimet e kësaj Qeverie”, tha Konjufca.

Deputeti Konjufca tha se duhet t’iu vije turp që krejt këtë problematikë e kanë thjeshtëzuar në dimensionin që më shumë para në sport do të ketë dhe është më mirë. Këtë amendament ai e ka krahasuar me votimin për Gjykatën Speciale, ku tha se me propagandë e kanë votuar dhe pastaj kanë bërë përpjekje për ta tërhequr.

Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se sportistët e dinë mirë se çka del pas këtij ligji dhe nuk është si Gjykata Speciale.

Veseli: Sportistët e dinë mirë çka del pas kësaj,

“Glauk e bëre një gabim të rëndë se sportistët e dinë mirë çka del pas kësaj, nuk është si ajo puna e Gjykatës Speciale, e dinë mirë”, tha ai.

PDK kërkon konsensus për votimin e amandamentit të Bekim Haxhiut për sponsorizim të sportit

Derisa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur pro mbështetjes së idesë për sponsorizim të sportit, duke mbështetur cilindo nga dy variantet e propozuara, PDK është shprehur kundër variantit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, tha se në opcionin e propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, bëhet fjalë për një gabim të madh.

Ai bëri të ditur se deputetët e kësaj partie, do të votojnë kundër këtij amandamenti, duke nënkuptuar se do të votojnë pro propozimit të bashkëpartiakut të tyre, Bekim Haxhiu.

Krasniqi: Të kemi konsensus për të votuar amendamentin numër 5

“Propozimi, amandamenti i Komisionit, thotë në mënyrë komplet të gabueshme, në kuptimin logjik të ligjit, thotë ‘hajde po e bëjmë 20-shin – 30 përqind. Çka ndodhë me këtë ndryshim? Thotë: ‘hajt po ua japim mundësinë bizneseve me investu në sport paratë e veta, dhe nëse investojnë ta zëmë 5 milionë euro, munden me i shpëtu 500 mijë, do të thotë mjetet e veta... Z. Kryetar, ju vendoseni njëherë amendamentin e komisionit, dhe ne do të duhej ta votojmë kundër atë, dhe pastaj amendamentin numër 5 ta votojmë pro. Ju lutem, që të kemi konsencus së paku për këtë çështje, e cila është nga temat më preokupuese në fushën e sportit dhe të kulturës këto ditë”, tha ai.

Nis seanca e jashtëzakonshme, Komisioni nuk mbështet amendamentin e deputetit Haxhiu

Komisioni për Buxhet dhe Financa në seancën e sotme ka bërë të ditur se nuk e mbështesin amendamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së në projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni Lumir Abdixhiku, i cili tha se komisioni po as Ministria e Financave nuk e përkrahin amendamentin e deputetit Haxhiu.

Abdixhiku: Komisioni nuk e ka tërhequr amendamentin, nuk e përkrahë amendamentin e Haxhiut

“Komisioni nuk e ka tërhequr amendamentin, sepse duhet një vendim i komisionit dhe duhet me u mbledh komisioni me e bë një gjë të tillë, nuk ka mbështetje për të tërhequr amendamentin e komisionit dhe nuk kemi përkrahje prej Ministrisë së Financave për ta bërë një gjë të tillë. Pra, Ministria e Financave nuk e mbështet amendamentin e z.Haxhiu, Komisioni nuk e mbështet amenendamentin e z.Haxhiu. Unë personalisht e kam votuar dhe kam dilema se cila është më e mirë apo jo, por çfarë dua të them është proceduralisht amendamenti i komisionit është votuar në këtë seancë dhe tash kemi edhe një amendament tjetër që duhet të hidhet në votim dhe nëse kalojnë të dyja duhet shikuar proceduralisht në bazë të rasteve të kaluara se cili amendament shkon tutje. Keqpërdorimi i parave të sponsorizuara nuk rregullohet as me alternativen e parë as me alternativen e dytë fatkeqësisht”, tha ai.

Deputeti Abdixhiku ka thënë se votimi i projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave nuk duhet të merr konotacion partiak, duke thënë se deputetët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Memli Krasniqi e kanë bërë këtë. Ai tha se po të kishte konotacion partiak, ministri i Financave, Bedri Hamza nuk do të ishte kundër këtij amendamenti.

Ai ka dhënë sqarime sa i përket amendamentit 5 të Komisionit dhe atij të propozuar nga deputeti Haxhiu.

Abdixhiku: Dy alternativat e sponsorizimit

“Alternativa e parë është alternativa që buron prej ligjit të tatimit në korporata dhe kjo alternativë ka marrë votën shumicë dhe pa asnjë votë kundër u kanë, edhe të grupit punues dhe aty kanë qenë anëtarët e të gjitha partive politike edhe në Komision për Buxhet dhe Financa. Dhe sipas kësaj alternative të mbështetur prej Ministrisë së Financave, prej ministrit Hamza dhe të kaluar në komision, bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë klubet, organizatat, individët dhe për atë pjesë të sponsorizimit të mos paguajnë tatim, lirohen prej tatimit. Ky është modeli që është i njohur për pjesën më të madhe të vendeve perëndimore. Sponsorizon një subjekt lirohesh për atë pjesë të sponsorizimit dhe nuk paguan tatim. Alternativa e dytë, e kjo buron prej ligjit për sponsorizime që është votuar në këtë Kuvend legjislacionin e kaluar dhe kjo alternativë na vije si amendament i z.Haxhiu, kërkon që jo prej parave të b iznesit të ndodh sponsorizimi, po prej tatimit. Pra, 30 përqind e tatimit që biznesi ia paguan shtetit të shkojnë për sport, jo biznesi më dhënë pare më tepër, por atë tatim që ka pas me ia pagua shtetit 1/3 e asaj shume me ia dhënë biznesit”, tha ai.

Kujtojmë se në seancën e kaluar Abdixhiku e kishte dhënë përkrahjen e komisionit për amendamentin e deputetit Lumir Abdixhiku.

Mikullovci: Ky ligj duhet të kalojë gjithsesi

Deputeti i Vetëvendosjes Adem Mikullovci, ka deklaruar se projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave duhet të kalojë gjithsesi, madje ai ka thënë se duhet të bëhet obligative që korporatat të japin para për sportistët.

“Ky ligj duhet të kalojë gjithsesi, por është puna tek formulimi që mua nuk po më pëlqen që a duhet me e përmirësua një gjë. Atje thotë u mundësohet, iu lejohet korporatave, kompanive me e sponsorizua projekte sportive e kulturore, jo iu lejohet po duhet me e bë obligative, është e domosdoshme me dhënë 30 përqind për sport dhe për kulturë. Ai ato pare edhe ashtu i jep, edhe ashtu ato para kanë me shkua dhe ato tre milionë, katër milionë tatim që i paguan 30 përqind me qenë obligative, e jo i mundësohet”, tha ai.

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme (Drejtpërdrejt)

Po mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi mban dy seanca të jashtëzakonshme

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mban dy seanca të jashtëzakonshme. 

Seanca e parë është thirrur lidhur me votimin në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Ndërkaq seanca e dytë është thirrur për të debatuar për gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Seanca e jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në sistemin arsimor të Kosovës në të gjitha nivelet dhe vendimet e MASHT është kërkuar nga grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Të shqetësuar lidhur me përgatitjet për vitin e ri shkollor, nga problemet e vazhdueshme që nuk po marrin përgjigje, problemet e reja që po hasen prej kurrikulës së parashkollorit, te tekstet e reja dhe te gjendja në Këshillin për cilësi, si dhe nga mosvendosja në rendin e ditës të interpelancës me Ministrin e Arsimit, deputetët nënshkrues e thërritën këtë seancë të jashtëzakonshme”, kanë theksuar grupet parlametare të LDK-së dhe VV-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat