Nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për delegacionin shtetëror për dialogun me Serbinë.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se partia së cilës që i takon në fillim ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit.
Pavarësisht kësaj, Hoxhaj është shprehur se konsensusi politik në Kosovë është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë, që sipas tij do të përfundonte me njohje të ndërsjelltë dhe ulëse në OKB.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë. Nga fillimi, PDK ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit. Ne vazhdojmë të besojmë, se megjithatë, konsensusi politik është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë që do të përfundonte me njohje të ndërsjelltë dhe ulëse në OKB.