Haxhiu: Duhet të jepet përgjegjësi për 300 mijë eurot që iu ndan delegacionit

Aktuale

Haxhiu: Duhet të jepet përgjegjësi për 300 mijë eurot që iu ndan delegacionit

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 00:52
Albulena Haxhiu, foto: Bota sot

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se Ligji për Delegacionin kishte shkelur të paktën tetë nene të Kushtetutës.

Ajo thotë se kjo situatë ka ardhur duke pasur një kryeministër i cili deklaroi se nuk dëshiron të jetë në bisedime, e duke ia deleguar kompetencat presidentit.

Ajo në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se ky aktgjykim i Kushtetueses vërteton se kordinatat e kësaj politike janë shpallur antikushtetuese duke përfshirë edhe Zajednicën edhe çështjen e kufijve.

“Në këtë aktgjykim thuhet se Kuvendi i Kosovës ka për detyrë që ta monitorojë politikën e jashtme por kompetencat ekzekutive në raport me përfaqësimin me politikën e jashtme i ka Qeveria e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

“Ajo çfarë nuk kuptova sot është se u bënë propaganda se opozita ja la dialogun presidentit Thaçi, ky vendim ja ndalon presidentit dialogun”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, duhet të shikohet se çfarë ka ndodhur me militantët e partive të punësuar në ekipin e delegacionit derisa thotë se parat e marra duhet të kthehen.

“Do të duhej të jepet përgjegjësi penale se në çfarë baze janë shpenzuar ato para ose duhet t’i kthejnë ato para. Ata duhet të japin llogari. Edhe Mogherini edhe kushdo që vjen duhet ta ketë parasysh këtë aktgjykim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, as ky delegacion e as presidenti Thaçi nuk kanë mandat për të dialoguar me Serbinë.

“Kryeministri Haradinaj nga frika e rrëzimit, nuk ka pasur guximin që të udhëheqë. Ne si VV kemi thënë se duke pasur parasysh procesin e gjatë të dialogut me Serbinë, nuk mund të ecim tutje nëse nuk vlerësojmë se çka ka humbur Kosova gjatë këtyre gjashtë viteve të dialogut”, ka shtuar ai.

Haxhiu ka thënë se përderisa është një president që ka shkelur me dy këmbët Kushtetutën dhe një kryeministër që nuk ka marrë detyrat e tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

Ajo ka shtuar se nuk mund të vazhdohet me qasjen që kryeministri të pranojë që e ka pasur gabim dhe tash të vazhdojë të udhëheqë dialogun.

Sipas saj ky aktgjykim ia ka vendosur kapakun kësaj Qeverie.

“Nuk mundet një delegacion ta marrë mandatin me një rezolutë. Ata kanë ndarë 300 mijë euro për këtë delegacion. Ne kemi pasur 8 ditë për ta kundërshtuar këtë projektligj”, ka deklaruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat