Si u vra 29 vjeçari në vendin e punës në Deçan me një armë pa leje

Aktuale

Si u vra 29 vjeçari në vendin e punës në Deçan me një armë pa leje

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 13:52
Agonis Tetaj

Agonis Tetaj 29 vjeçar nga fshati Llukë e Deçanit u vra në shtator të vitit të kaluar në vendin e tij të punës në kompaninë “Gogaj AG” po në këtë qytet, ditën e dielë. Për vrasjen e rëndë, menjëherë u arrestua, Shaban Gogaj, tani 19 vjeçar. Që nga ajo kohë, i riu ndodhet në masën e paraburgimit. Gjykata e Pejës ka konfirmuar se i dyshuari do të dalë para gjykatës gjatë muajit korrik.

Në kompaninë që është në pronësi të familjarëve të të dyshuarit kryesor të kësaj vrasje, ndodhej edhe një armë pa leje. Në aktakuzën nuk sqarohet motivi pse ndodhi vrasja, aty shkruan se Shaban Gogaj me dashje e privon nga jeta viktimën. Me tej thuhet se 18 vjeçari e merr armën e cila ndodhej në sirtarin poshtë banakut, e shënjon dhe e qëllon Agonis Tetajn.

Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj shkrep plumbin, Agonis Tetaj, ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij. Plumbi i bie në fytyrë, konkretisht në mollëzën e djathtë. Predha e plumbit i kalon në pjesën e prapme të qafës, e cila i shkakton gjakderdhje të jashtme dhe të brendshme në cipat e buta të trurit dhe trurit të vogël, si rrjedhojë Agonis Tetaj pëson vdekje të menjëhershme.

Distanca mes të dyshuarit dhe viktimës ishte rreth pesë metra. Vrasja kishte ndodhur menjëherë pasi Shabani kishte marrë një telefonatë nga N.M, ku sipas Prokurorisë kjo telefonatë e acaroi atë.

Shaban Gogaj, ngarkohet me veprën penale “Vrasje e rëndë”. Po në këtë aktakuzë, Prokuroria akuzon edhe Isuf Cacaj pronarin e kompanisë ku u vra punëtori, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Për këtë rast Express ka kontaktuar me zëdhënësen e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, e pyetur nëse i riu e ka pranuar fajësinë ajo tha se i pandehuri nuk është deklaruar ende për shkak se mbrojtja ka thënë se Prokuroria nuk i ka dërguar të gjitha provat dhe për këtë arsye seanca është shtyrë deri më 15 korrik.

“Seanca është mbajt më 24 qershor, i pandehuri nuk u deklaru për shkak se mbrojtja  ka thënë se prokuroria nuk ia ka dërgu të gjitha provat. Seanca është shtyrë me datën 15.07 pas orës 15:00”, tha Zhuti.

Në tri vitet e fundit, 2018-a cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje.

Ndërsa, për gjashtë muajt e parë të vitit 2019, në Kosovë janë vrarë 15 persona.

Vrasjet kanë ndodhur në këto komuna:

Gjilan (1 grua), Ferizaj (1 burrë), Prishtinë (1 burrë dhe 2 gra), Gjakovë (1 burrë) Suharekë (2 burra),  Lipjan (1 burrë), Skenderaj (1 burrë), Prizren (1 bebe, gjinia mashkullore), Rugovë (1 burrë), Viti (1 burrë) dhe Rahovec (1 burrë). Deçan (6 vjeçari) 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat