Zeka në hapjen e partisë: Do t’ia nënshkruajmë BE-së dhe SHBA-së për 50 vjet me na udhëheqë drejtësinë

Aktuale

Zeka në hapjen e partisë: Do t’ia nënshkruajmë BE-së dhe SHBA-së për 50 vjet me na udhëheqë drejtësinë

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 13:38
Milaim Zeka

(E plotësuar) - Milaim Zeka sot zyrtarizoi partinë e tij të re, Partinë Euroatlantike të Kosovës. Zeka ka bërë premtime të shumta, për çka thotë se do ta ndryshojnë këtë vend.

Zeka thotë se lufta në paqe është shumë më e vështirë se lufta kundër Millosheviqit. Ai përmendi fillimisht edhe Gjykatën Speciale duke thënë se ‘’dikush u desht me dalë dhe me ia ndal turrin atyre që u shndëruan në hajnat më të mëdhenj të kombit shqiptar’’.

Zeka shpreh shqetësimin që njerëzit e deritanishëm në pushtet ia mbyllën derën mërgatës shqiptare, duke mos pasur mundësi të investojnë me zero për qind taksë.

Zeka tutje tregon prioritet që do të ketë partia e tij, PEK.

‘’Do të investojmë në çerdhe të fëmijëve sepse është bazament për rritjen e fëmijëve. Do të investojmë në spitale e shkolla. Pacienti i Kosovës nuk do të shkojë më as në Serbi, as në Maqedoni e as në Shqipëri për trajtim mjekësor’’, tha Zeka.

Ai përmend edhe rolin e ATK’së dhe inspektimet nëpër kompani private, për çka thotë se do të ndryshojnë sistemin e tyre.

‘’Do të ndërtojmë shtet ku asnjë inspektor i ATK’së nuk do të ketë të drejt të bëjë inspektimin  e asnjë kompanie private. Por vetëm të merret me kontabilistin e kompanisë. E jo t’ia çojë policinë. Sot janë bërë  tmerri i biznesit inspektorët e ATK’së. 70 për qind e tyre ia hajnë kompanive kontabilitetin. Do të hapim Bankën Nacionale ‘Banka Mërgate Shqiptare’. Të investojnë me zero taksë. Të hapin vende të punës, sepse shpërngulja tash  është më shumë se në kohën e Millosheviqit. Mërgimtarët janë shpëtimtarët tanë. Duhet të rikthehen dhe të na shpëtojnë’’, thotë Zeka.

Kreu i PEK’ut mendon se Amerika dhe BE duhet të udhëheqin sistemin e drejtësisë.

‘’Do t’ia nënshkruajmë BE’së dhe Amerikës për 50 vjet me na udhëheqë policinë, dhe prokurorinë dhe gjykatat. Nuk mund t’i udhëheqim ne sepse duke qenë shqiptarë,  e kemi inatin më të madh se Stambolli. Për inati,  e burgosim dhe shajmë njëri-tjetrin’’, tha Zeka.

‘’Djemtë tanë që jetojnë jashtë  të vijnë dhe t’i bashkëngjiten Policisë dhe Ushtrisë sonë që më bëjnë krenar pse jetoj këtu’’.

Zeka ka dhënë edhe një premtim tjetër që thotë se do të realizohet 100 për qind.

‘’Premtim 100 përqind. Nuk do të dërgojmë asnjë njeri në ambasada jashtë shtetit që nuk ka lind dhe nuk u shkollu jashtë. Nuk do të cojmë njerëz të tillë jashtë, nëse nuk  e ka mbaru atë shkollim. Kurrë në Qeverinë e partisë sonë nuk keni me pa zyrtarë duke hyp  e me shku në punë me makinë të shtetit. I vetmi njeri që ka me ecë me truprojë ka me qenë prokurori i shtetit dhe gjykatësit e Kosovës. Sepse gjithë këta ruhen se cili politian po  e vret. Do ti arrestojmë  të korruptuarit.

Zeka në fund prezantoi njerëzit që aderuan në partinë e tij, PEK.

Zeka zyrtarizon partinë e re: Kemi me i arrestu një nga një të gjithë hajnat e Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka sot prezantoi edhe zyrtarisht partinë e tij të quajtur Partia Euroatlantike e Kosovës ku morën pjesë themelues të tjerë të këtij subjekti politik, deputetë të partive të tjera dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, Zeka premtoi se partia e tij do të sjell një frymë të re të politikë bërjes në vendin tonë dhe se do të bëjnë gjithçka të kundërt çfarë është bërë deri më tani.

Ai përmendi se prioritet për partinë e tij do të jetë investimi në arsim dhe shëndetësi si dhe përkrahje për bizneset përmes heqjes së disa obligimeve ndaj shtetit.

Zeka: Investime në çerdhe e spitale, heqim TVSH në doganë

“Ne në Kosovë do të investojmë në çerdhe të fëmijëve sepse çerdhja është bazamenti i rritjes së shëndetshme të kombit shqiptar. Ne do investojmë në shkolla, ne do investojmë në spitale. Pacienti i Kosovës nuk do të shkojë më në Maqedoni, as në Serbi, as në Turqi. Ne do ta heqim TVSH-në në dogana që e ka rrjep biznesin e Kosovës. Ku keni parë ju, pos në vende dikatoriale, me jetu 85 mijë shërbyes civilë që hanë nga prona private, nga kompanitë private. Ku keni pa ju me i ble 3 mijë telefona me pagu TVSH në doganë dhe dikush vjen e t’i vjedh 500 telefona dhe nuk mundesh me i shit as 500 telefona, por ti e ke pagu doganën”, tha Zeka.

Më tutje, deputeti deklaroi se inspektorët e ATK-së janë shndërruar në tmerr për bizneset, pasi 70% prej tyre ua mbajnë kontabilitetin.

Ai paralajmëroi se do të hapin bankë nacionale të quajtur Banka Mërgata Shqiptare përmes së cilës do të ftojnë diasporën të investojnë me zero taksa pasi interes i vendit është hapja e vendeve të reja të punës.

Duke folur për drejtësinë, Zeka tha se do të ftojnë djemtë dhe vajzat që kanë mbaruar juridikun në vendet evropiane që të vijnë dhe të ndërtojnë një sistem tjetër me të besueshëm. Po ashtu, tha se do të forcojnë policinë dhe ushtrinë e Kosovës.

Zeka ka qenë kritik edhe ndaj liderëve aktualë të Kosovës, sidomos me komandantët e luftës siç i quajti ai, duke thënë se kanë abuzuar me gjakun e dëshmorëve dhe me politikën vetëm për t’u pasuruar dhe zhvatur Kosovën.

Ai tha se këta komandantë duhej të ndiqnin këshillën e mikut amerikan, James Rubin, i cili iu tha se duhej të largoheshin nga skena politike. 

Zeka: Nëse këta do të largoheshin sot nuk do të ishte Gjykata Speciale

“Sikur këta të kishin shku në pension dhe të shikonin punët e veta, qoftë nëpër ferma të lopëve, qoftë të merreshin me ndërtim, nuk do të krijohej Gjykata Speciale. Gjykata Speciale u bo sepse dikush do të duhej me dal edhe me ua ndal turrin atyre që abuzonin në emrin e lirisë dhe të luftës. Ata të cilët u shndërruan në hajna më të mëdhenj të kombit shqiptar, se ti nuk mund të jesh edhe patriot, edhe hajn. Edhe intelektual edhe hajn. Dhe këta njerëz morën guximin t’ua mbyllin derën mërgimtarëve tanë që të mos vijnë të investojnë në Kosovë me zero taksë për ta bërë Dubai të vërtetë”, deklaroi Zeka.

Po ashtu, Zeka premtoi se do t’i kthejë respektin shtetit të Kosovës duke emëruar ambasadorë vetëm njerëz të shkolluar dhe jo kushërinj.

Në prezantimin e Partisë Euroatlantike të Kosovës folën edhe dy nismëtarë Hysen Gecaj dhe Behare Sahitaj të cilët premtuan që do të jenë zëri i qytetarëve dhe se do të punojnë për të mirën e vendit.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se kishte disa arsye që erdhi për të uruar Milaim Zekën për partinë e re. Ai tha se sot është shumë e vështirë të krijosh një parti pasi duhet të kesh një pikëpamje të veçantë politike.

Hasani: Ja çfarë më shtyu të vij në prezantimin e PEK

“Sinqeriteti i Milaimit, guximi i Milaimit, respekti i Milaimit dhe bindja e tij e pa kompromis për ndërtimin e shtetit ligjor janë komponentët që më kanë shtyrë të vij sot të urojmë Milaimin për këtë iniciativë për themelimin e një partie që në rrethanat e sotshme politike që i kemi në Kosovë janë mjaft të vështira. Ta kesh guximin sot të sfidosh të gjitha këto mekanizma politikë që janë në Kosovë duhet të kesh një guxim të jashtëzakonshëm, një pikëpamje politike të veçantë, një shpresë dhe vullnet që do t’ia arrish një qëllimi të caktuar”, deklaroi Hasani.

Në prezantimin e Partisë Euroatlantike të Kosovës e pranishme ishte edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, që mbajti një fjalim mes emocionesh pasi ajo dhe deputeti Zeka kanë lidhje gjaku.

Ajo u shpreh se jeta e Milaim Zekës është e lidhur me rrugën e Kosovës, një rrugë që sipas saj, ka qenë plot sakrifica e mund, por mbi të gjitha rrugë plot krenari dhe suksese.

Musliu: Rruga e Milaim Zekës plot vuajte e sakrifica, por krenare dhe me suksese

“Jam këtu për të treguar se para se të jemi politikanë e anëtarë të ndonjë partie jemi njerëz që jetojmë në të njëjtin vend, me të njëjtat halle e probleme. Jemi njerëz që i gëzohemi bashkë fitoreve dhe sukseseve tona të përbashkëta. Sot jam këtu për të uruar ty Milaim, për familjen tënde e cila shumë herë u maltretua e u persekutua për emrin tënd. Jam këtu Milaim Zeka sot për ty sepse jeta jote i pëlqeu apo jo dikujt lidhet me rrugën e Kosovës. Duke të njohur personalisht si bashkëfamiljare e juaja, sepse për dikënd ky fakt është i panjohur por ne kemi lidhje gjaku, sot dua të them se rruga jote që lidhet me fatin e Kosovës është një rrugë aspak e lehtë, është një rrugë plot mund, plot sakrificë, plot vuajtje, plot halle, por mbi të gjitha është një rrugë plot krenari dhe suksese”, deklaroi Musliu.

Në fund të ceremonisë para të pranishmëve u paraqitën të gjithë anëtarët themelues të Partisë Euroatlantike të Kosovës.

Zeka zyrtarizon partinë e re: Kemi me i arrestu një nga një të gjithë hajnat e Kosovës

Ka filluar ceremonia e prezantimit të partisë më të re të Kosovës, Partisë Euroatlantike.

Partia e cila udhëhiqet nga deputeti Milaim Zeka, ka bërë të ditur se një nga bashkëthemeluesit e saj është ish-ushtaraku që së fundi ka punuar në Ministrinë e FSK’së, Hysen Gecaj.

Gecaj ka thënë se ka vendosur që t’i bashkohet kësaj partie pasi sipas tij është momenti i fundit për zgjimin e vëmendjes së qytetarëve dhe shpëtimit të fatit të popullit tonë.

Gecaj është shprehur se beson që brenda kësaj partie do të ketë hapësirë të madhe veprimi.

“Pas përfundimit të rrugëtimit time si oficer karriere dhe pensionimit nga Ministria e FSK,vendosa që ti kthehem kontributit në parti politike (Partia Euroatlantike e Kosovës) me shpresën që ky do të jetë momenti ku njerëzit e mirë të këtij vendi,të pa korruptuar e të dëshpëruar nga degradimi që i është bërë vendit do të më bashkëngjiten në kthimin e dinjitetit të qytetarit të Kosovës dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Dy deputetë të PDK-së në hapje të partisë së Milaim Zekës

Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani dhe Ganimete Musliu kanë marrë pjesë në promovimin e Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK), të cilën e themeloi deputeti i akuzuar për mashtrim, Milaim Zeka.

Deputeti Nait Hasani ka thënë se ende do vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, por për shkak të raporteve që ka me Milaim Zekën, ka dashur të jetë pjesëmarrës në promovimin e partisë së kolegut të tij.

Në promovimin e PEK-ut, ka marrë pjesë edhe deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilia Redzepi.

Në një sallë me shumë pak persona prezent në ambientet e një hoteli në Prishtinë, deputeti i akuzuar për mashtrim, Milaim Zeka, ka prezantuar sot partinë e tij të re, PEK.

Promovimi i Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK) ka nisur me fjalimin e Hysen Gecajt, një ish-ushtaraku, i cili ka thurur lavde për Milaim Zekën.

Sipas një njoftimi të PEK, partia më e re do të angazhohet për luftimin e hajnisë në Kosovë.

***

Deputeti Milaim Zeka, sot e prezantoi partinë e tij me emër Partia Euroatlantike e Kosovës.

Zeka ka thënë partia e tij ka për qëllim të largojë nga skena politike të gjithë ata politikanë të cilët deri më sot e kanë zhvatur Kosovën.

Ai ndër të tjera është shprehur se rrugëtimi i Kosovës në luftën për pavarësi dhe liri asnjëherë nuk ka qenë i lehtë, mirëpo shqiptarët gjithmonë ia kanë arritur t’i realizojnë synimet e tyre.

“Po e fillojmë një luftë politike, sepse kur e kanë filluar studentët në vitin 1981 shumica nga thoshin a rrëzohet Tito, e rrëzuam. Kur filluan minatorët një herë menduam a është e mundur ata na bënë krenarë. Për herë të parë na ka shty me mendu në mënyrë kolektive për interesat e Kosovës. Kur e ka filluar në 1989 Rugova shumica kemi thënë, a është normal ky njeri, a mund t’ia dalë por pastaj u bë një lëvizje gjithëpopullore. Liderët botëror duke filluar nga Bill Clinton e Wesley Clark na erdhën dhe na thanë se lufta në paqë është shumë më e vështirë se ajo kundër Millosheviqit, ne thonim si është e mundur, por sot po e shohim se kanë pasur të drejtë. Na erdhi James Rubin dhe na tha ju komandantë të luftës largohuni nga skena politike, por këta nuk e dëgjuan. Këta u tallën me James Rubinin sepse këta abuzuan me gjakun e kombit shqiptar, abuzuan me politikën vetëm e vëtëm për tu pasuru dhe për ta zhvatë Kosovën. Sikur këta të largoheshin nga politika dhe ti shikonin punët e veta, qoftë nëpër ferma të lopëve qoftë në ndërtim, nuk do të krijohej Gjykata Speciale”, është shprehur Zeka.

Ai ka thënë se partia të cilën e drejton ka për qëllim të krijoj një shtet ligjor ku do të funksionojnë të gjithë sektorët, duke filluar nga arsimi e deri te drejtësia.

Zeka në fund ka bërë edhe një paralajmërim duke thënë se partia të cilën ai e drejton do t’i arrestojë dhe sjellë para drejtësisë të gjithë, siç është shprehur ai hajnat e Kosovës.

“Ne në Kosovë do të bëjmë gjithçka të kundërtën, çka është ba deri më sot, do të investojmë në çerdhe, shkolla, spitale. Pacienti i Kosovës nuk do të shkojë më në Maqedoni, Serbi, Shqipëri. Ne do ta heqim TVSH-në në dogana që ka rjepur bizneset e Kosovës. Ne do të ndërtojmë Bankën Nacionale me titull Banka “Mërgata Shqiptare” do ti ftojmë mërgatën me investu me zero interes. Mërgimtarët sot janë shpëtimi i Kosovës. Ata duhet të rikthehen dhe ta shpëtojnë Kosovën. Ne do ia nënshkruajmë BE-së dhe Amerikës që për 50 vjet me na udhëheqë Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat. Ne nuk mundemi me i udhëheqë këto institucione. Ne nuk do të dërgojmë asnjë njeri në ambasada jashtë shtetit që nuk ka lindë ose shkollu në vendet evropiane. Kurrë në jetën e partisë nuk keni me pa zyrtarë të kësaj partie duke shku në  punë me makinë zyrtare. Një ka një kemi me i arrestu hajnat e Kosovës dhe kemi me i sjellë para drejtësisë”, është shprehur Zeka në fund të fjalimit të tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat