Murati: Vetëm ky shtet mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Murati: Vetëm ky shtet mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë-Serbi

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 06:07
Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur jokushtetues ekipin negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë.

Ai ka thënë për “Epoka e re” se ky subjekt politik që nga fillimi e ka konsideruar absurd hartimin e një ligji për negociatat dhe ekipin negociator.

Kosova i ka institucionet e ligjshme dhe ekipi negociator ka mundur të jetë prodhim i një marrëveshjeje politike në mes të partive politike të pozitës dhe të opozitës, e cila do ta hartonte një platformë politike unike për bisedimet me Serbinë dhe do të punonte në bazë të asaj platforme. Hartimi i ligjit, dhe dhënia e një sërë kompetencash delegacionit shtetëror për bisedime, ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, ka cenuar punën e institucioneve kushtetuese të vendit, përkatësisht qeverisë dhe presidentit”.

Murati ka thënë se tani pozita dhe opozita duhet të ulen bashkërisht në një tryezë politike për të arritur një konsensus për bisedimet.

“Ato duhet ta lënë mënjanë përpjekjen që çdo gjë ta shohin nën prizmin e përfitimeve elektorale dhe të kuptojnë se në çfarë momenti historik po kalojmë”.

Sipas tij, vetëm ShBA-ja mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë – Serbi.

“Besoj se zhbllokimi i procesit të dialogut do të ndodhë me përfshirjen më të madhe të ShBA-së, që është e vetmja fuqi botërore që mund të garantojë implementimin e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo përfshirje duhet të shfrytëzohet për zgjidhjen e problemeve me Serbinë dhe përmes modelit me të cilin më së shumti fiton populli shqiptar dhe Kosova e ai është ripërcaktimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Murati ka folur edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se zgjedhjet pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë institucione më cilësore dhe më demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat