Tërnava: Mos ua bëni me gisht të dhunuarve gjatë luftës, ata janë njerëz të ndershëm para Zotit

Aktuale

Tërnava: Mos ua bëni me gisht të dhunuarve gjatë luftës, ata janë njerëz të ndershëm para Zotit

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 12:23
Kryeimami i Kosovës, Naim Tërnava

Kryeimami i Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se shoqëria dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për gratë e dhunuara në Kosovë.

Ai ka përmendur rastet kur gratë e dhunuara gjatë luftës janë braktisur nga familjarët dhe nuk kanë marrë trajtim të duhur nga institucionet.

“Dhunimi është vepër e urryer te zoti. Askush sikur feja nuk mund të trajtojë një çështje morale. Njeriu jep përgjegjësi për veprat, vetëm nëse i bën me vetëdije, jo të imponuarat. Veprat e kryer me imponim nuk janë mëkat. Të dhunuarit janë njerëz të ndershëm. Kush i detyron t’i bëjnë me dhunë, Allahu i falë ato. Ju porosis që të dëgjoni se çka thotë zoti për ju, e jo çka thonë ata që ju fajësojnë pa të drejtë”, ka thënë Tërnava.

Ai i ka quajtur të vonuara reagimet e institucioneve për këtë kategori.

“Nuk jemi marrë sa duhet me këtë kategori. Duhet të trajtohen me ndërgjegje nga të gjithë, përfshirë familjarët e institucionet. Ata kanë përjetuar traumë e ankth, por ata nuk bartin gjynah për atë që u ka ndodhur. Nuk kanë asnjë ndjesi faji. Janë viktima, si çdo viktimë tjetër e luftës, por kjo është edhe më e rëndë. E kemi obligim nga Zoti që këtë kategori ta rehabilitojmë shoqërisht e moralisht, sepse ata nuk kanë faj. Nuk e kanë zgjedhur e as nuk e kanë dëshiruar atë, por ne s’kemi arritur t’i mbrojmë. Andaj duhet ngritur vetëdijen shoqërore që bijat e nënat tona nuk janë me faj dhe s’kemi të drejtë t’ua bëjmë me gisht. Kështu na mëson edhe Zoti”, ka thënë Tërnava.

Lidhur me çështjeve e të dhunuarve gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka pasur ndonjë reagim as nga Bashkësia Islame e Kosovës deri më tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat