Gorani propozon që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyre për Luginën e Preshevës

Aktuale

Gorani propozon që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyre për Luginën e Preshevës

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 13:24
Dukagjin Gorani

Deputeti i Partisë Socialdemokrate Dukagjin Gorani, ka propozuar që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyrë për Luginën e Preshevës, që sipas tij do të ishte një veprim i vogël e simbolik, por që do ta vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës.

Ai tha se për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj.

Deputeti Gorani tha se situata e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk ka ndryshuar për të mirë prej rezolutës së këtij Kuvendi në qershorin 2013, prej premtimit të fondit të përbashkët nga viti 2014 e deri tek garancitë elektorale për dhënie të nënshtetësisë së Kosovës nga viti 2017.

Ai potencoi se shqiptarët e Luginës vazhdojnë të jetojnë mes premtimeve të papërmbushura nga Republika e Kosovës dhe mos përfilljes sistematike nga Republika e Serbisë.

Gorani: Hapja e zyrës hapi i parë që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës për Luginën

“Atje ata reduktohen në individ edhe pse janë komunitet, kurse këtu për ta flasim si komunitet e nuk ua mundësojmë statusin e shtetasit të qytetarit e as të individit. Jeta në përkohshmëni, në pritje e në paqartësi ata i dërgon në mërgim dhe braktisje. Këto ditë fati dhe ardhmëria e tyre është reduktuar në një monedhë  kusurimi gjatë hamendësimeve amatore mbi shkëmbimin e territoreve dhe demarkacione etnike. Ashtu qysh e keni dëshmuar edhe më herët gjatë viteve, Kosova dhe ky Kuvend nuk mund të bëjnë shumë për shqiptarët në Republikën e Serbisë, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta bëjnë asnjë gjë... Për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj, hapjen e një linje të veçantë buxhetore për të dhe mbështetj en shtetërore e buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Asistenca e Kosovës për këtë organ është me rëndësi të madhe veçanërisht pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për financimin e këtij Këshilli”, tha Gorani.

PSD konsideron se marrja e këtyre vendimeve është e domosdoshme, pasi sipas tij komuniteti shqiptar vazhdon të trajtohet si i paqenë nga Qeveritë e Serbisë përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat