Krerët fetarë nënshkruajnë deklaratë të përbashkët në mbështetje të viktimave seksuale

Aktuale

Krerët fetarë nënshkruajnë deklaratë të përbashkët në mbështetje të viktimave seksuale

Nga: N.Sh Më: 1 korrik 2019 Në ora: 13:30
Krerët fetarë

(E plotësuar) - Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryesia e Bashkësisë Islame ka organizuar konferencë me moton “Të gjithë së bashku me një zë”.

 Të njëjtit thanë se për këto 20 vjet të pasluftës, këta të mbijetuar nuk gjetën përkrahje të mjaftueshme jo vetëm nga shoqëria e familja, por edhe nga shteti dhe bashkësitë fetare.  Në mbështetje të tyre, është nënshkruar edhe deklarata e përbashkët e krerëve të Bashkësive  Fetare të Kosovës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se shoqëria kosovare po përballet edhe me një sfidë, me atë të luftimit të stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale. Tërnava tha se me këtë kategori nuk është marrë mjaftueshëm shteti, rrethi e familja. 

Sipas Tërnavës bazuar në parimet islame, dhuna seksuale është e ndaluar, me kodin e luftës si dhe me normat e të  drejtat ndërkombëtare.

Tërnava: Këto vepra janë të shëmtuara dhe të dënueshme

“Këto veprime të kryera nga forcat ushtarake serbe  ngaj civilëve të pambrojtur, nuk ka dyshim se janë vepra të dënueshme, të shëmtuara, të urryera e të gjykuara nga Zoti, nga të dërguarit e tij, nga njerëzit, fisnikë e të edukuar, si dhe nga shoqëritë demokratike. Prandaj si të tilla janë dhe duhet të kategorizohen në kuadër të krimeve të luftës...Konsideroj se roli i bashkësive fetare për shkak të natyrës së plagës është primar dhe i domosdoshëm, askush sikur feja nuk mund të trajtoj plagën në bazë morale”, tha Tërnava.

Kryemyftiu tha se të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve ndërsa shtoi se përkrahja e tyre, është obligim shtetëror e shoqëror.

Se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale, e tha edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Presidenti tha se të gjithë duhet të kërkojnë drejtësi dhe të inkurajohen viktimat që të ballafaqohen me të kaluarën. 

Thaçi: Me një zë duhet të kërkojmë përkrahje 

“Me një zë të gjithë ne duhet të kërkojmë përkrahje prej tërë shoqërisë, që së bashku me të mbijetuarat e dhunës seksuale, të lëm pas kohën e kaluar të hidhur dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Të mbijeturat e dhunës seksuale kanë nevojë për më shumë përkrahje institucionale dhe shoqërore, kanë nevojë për një përkrahje më të fuqishme dhe për më shumë mirëkuptim brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë sonë. Fajësia e kësaj padrejtësie të rëndë, ende vazhdon të peshoj, ende pas 20 vitesh mbi vet viktimat e dhunës seksuale”, tha Thaçi.

Sipas tij çdo i mbijetuar duhet të gjej guximin të flas, ashtu siç ka folur Vasfije Krasniqi-Goodman.

Thaçi tha se duhet të kërkohet drejtësi edhe nga ndërkombëtarët, sipas të cilit ka ndodhur një amnisti e heshtur përballë shtetit të Serbisë dhe kriminelëve.

Thaçi: Asnjë i dënuar për dhunë seksuale

“Për 10 vjet ishte administrata  UNMIK-ut këtu, asnjë i dënuar për dhunë seksuale jo të paramilitarëve, por të njerëzve me uniformë zyrtare të shtetit të Serbisë. Tribunali i Hagës as nuk është marrë me këtë çështje, EULEX-i ka bërë përpjekje, nuk ka pasur sukses. Viktimat jo vetëm që kanë nevojë për mbështetje nga ne, jo vetëm që duhet t’i duamë dhe respektojmë, por kërkojnë edhe drejtësi”, ka shtuar Thaçi.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, tha edhe si bashkësi fetare, bashkë me shoqërinë dhe shtetin, janë vonuar në përkrahjen e tyre.

Lush Gjergji: Edhe ne si bashkësi fetare jemi vonuar

 “Edhe ne si bashkësi fetare jemi vonuar së bashku me shoqërinë edhe shtetin. Unë shpresoj dhe uroj që kjo tematikë edhe më tepër të na ndihmojë të takohemi dhe bashkohemi, që vëllazërisht t’i trajtojmë me kirurgjinë e shpirtit dhe zemrës. Dhe çështja e parë e shumë e rëndësishme është pjesëmarrja jonë. Ndër dhunën që e pësuan bijat tona ishin dhe jemi edhe ne, jemi pjesë e tyre dhe janë pjesë e jona”, tha Lush Gjergji.

Edhe Femi Cakolli nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës tha se është bërë pak për këto viktima. Këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, tha se duhet t’iu kthehet dinjiteti.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se edhe pas formimit të komisionit qeveritar për njohjen ligjore të viktimave të dhunës seksuale, këto të fundit ende po përballen me shumë sfida.

Jahjaga: Ka individ dhe grupe që nuk duan që e vërteta të dal në shesh

“Këshilli Kombëtar për të mbijetuarat e dhunës seksuale nxiti po ashtu themelimin e një komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Përderisa puna e këtij komisioni ende vazhdon dhe ne përballemi me shumë sfida që vazhdimisht po pengojmë punën tonë. Për fat të keq ka ende individ dhe grupe të caktuara që nuk duanë që e vërteta të dal në shesh. Për fat të keq ka ende individ dhe grupe të caktuara që përmes veprimeve të ndryshme minojnë përpjekjet tona për të ofruar drejtësi për ato”, tha ajo.

Megjithatë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë,  Nataliya Apostolova  ka pasur fjalë të mira për komisionin. Ajo tha se BE i kushton vëmendje të madhe drejtësisë tranzicionale.

Apostolova: Është një model për riparimin e viktimave të dhunës seksuale

“Ne jemi të vetëdijshëm që është sfiduese dhe që ka pasur edhe vështirësi. Komisioni është duke bërë një punë të mirë dhe natyrisht nuk është e lehtë të bëhet një punë e tillë, megjithatë rëndësia e të pasurit një komision të tillë nuk duhet nënvlerësuar. Është një e arritur që tashmë, është vënë një shembull për vendet e tjera dhe është si model për reparimin e viktimave të dhunës seksuale”, ka thënë ajo.

Derisa, kjo kategori shoqërore, së fundmi po përkrahet shumë edhe në rrjetet sociale, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell tha se të gjithë meshkujt kur të kthehen në shtëpi të mendojnë se nënat e tyre janë një viktimë.

O’Conell:  Unë kam një sfidë për të gjithë ju 

“Unë kam një pyetje dhe sfidë për të gjithë, a jemi ne të gjithë si individë gati për të mbështetur viktimat, me thënë brenda familjes që nuk e di çfarë ka ndodhur, por nëse ky akt makabër ju ka ndodhur juve, ju keni mbështetje të plotë prej meje. Propozimi im si mashkull është për meshkujt këtu, është që të kthehen në shtëpi sonte me i thënë familjes nuk e di çfarë të ka ndodhur, por nëse ju ka ndodhur keni mbështetje”, tha O’Conell.

 E, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku tha se nga lufta ka dhimbje që shoqërohet me krenari e mall, por forma më e rëndë e dhimbjes është ajo që shoqërohet me përulje, përjashtim e stigmazim. Ashtu siç kishin fatin, 20 mijë gra e burra nga Kosova, të cilët u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.

Krerët  e Bashkësive Fetare , kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

****

 

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati thotë se, thotë se është një hap i rëndësishëm në luftën e gjatë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale nga krerët fetarë të komunitetit, musliman, katolik, protestant dhe hebrenj.

Këta sot nënshkruar deklaratën në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Krerët fetarë të komunitetit musliman, katolik, protestant dhe hebrenj nënshkruan deklaratën në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Një hap i rëndësishëm në luftën e gjatë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale në familjet e shoqërinë tonë. Njohje e mirëkuptim nga familja dhe shoqëria, drejtësi nga organet e drejtësisë vendore e institucionet ndërkombëtare”, shkruan Murati në facebook.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat