Haxhiu: Do të organizojmë protesta nëse Thaçi vazhdon dialogun

Aktuale

Haxhiu: Do të organizojmë protesta nëse Thaçi vazhdon dialogun

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 16:54
Albulena Haxhiu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëron se do të vazhdojë rolin e njëjtë që ka pasur deri tani në dialog me Serbinë.

Në një qëndrim që Presidenca e ka shprehur ku nënkuptohet se Thaçi nuk konsideron se përfaqësimi i Kosovës në fazën përfundimare në dialog me Serbinë ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Presidenti, në bazë të funksionit kushtetues që ka, është përfaqësues fuqiplotë i Republikës së Kosovës dhe ka të drejtën e kryerjes së të gjitha veprimeve që lidhen me nismën dhe përfundimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare”, thuhet në këtë përgjigje, të dërguar nga Zyra për Informim e Presidencës.

Ndërkohë, sa i përket kësaj, opozita thotë se presidenti i vendit nuk ka rol përfaqësues në dialog.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje në një prononcim ka thënë se Presidenti Thaçi ka vetëm rol këshillues.

“Ne kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, një institucioni kushtetues i cili është i vetmi autoritet për interpretimin e Kushtetutes se Kosovës dhe në këtë kuptim Gjykata ka theksuar se kompetencën për politikën e jashtme e ka Qeveria e Kosovës, Presidenti ka vetëm rol këshillues”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu nuk përjashton as protestat që mund të organizohen nga Vetëvendosja.

“Ne si VV nëse shohim se ky po vazhdon me shkelje padyshim që do të kemi veprime, kemi kundërshtuar me protesta e demonstrata kështu që të njëjta nuk përjashtohen në asnjë variant”, ka thënë deputetja e VV’së duke shtuar se çfarëdo veprimi tjetër i Thaçit është shkelje e kushtetutës me të dyja këmbët.

Ndërsa deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj ka thënë se Thaçi që nga fillimi ka uzurpuar procesin e dialogut dhe se ai ka qenë jo kompetent për këtë punë.

“Në fillim kur presidenti Thaçi në një farë formë ka uzurpuar procesin e dialogut për neve ka qenë krejtësisht jokushtetuese dhe jo kompetent për këtë punë. Krijuesi i politikës së jashtme dhe zbatuesi i saj është Qeveria e Kosovës madje kjo çështje është konfirmuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që i kanë dhënë rol konsultativ, këshilldhënës presidentit për këtë proces”, ka thënë Selmanaj.

Sipas Selmanajt presidenti i vendit ka më shumë karakter ceremonial e formal në proces me politikën e jashtme dhe se nuk ka mandat kushtetues me udhëheq asnjë proces të rëndësishëm të dialogut me Serbinë.

Deputeti i LDK’së ka thënë Ekipi Negociator ka qenë ekip turistik dhe se ky proces i tyre tashmë është ndalë dhe se mund të vazhdoj vetëm pas zgjedhjeve.

“Ne e kemi kundërshtu Ekipin Negociator, e kemi çu në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo na ka konfirmuar, që i bie se ne e kemi larë këtë proces edhe të Presidentit edhe Ekipit Negociator i cili prej fillimit për neve ka qenë ekip turistik, këta nuk mund të marrin asnjë hap, është antikushtutes, ky porces tashmë është ndalë, mund të vazhdoj vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas një Qeverie legjitime legale në shtetin kushtetues”, ka thënë Driton Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat