A do të veprojnë Haradinaj e Lekaj pas kërkesës direkte të Kosnett për shfuqizimin e monopolit të homologimit

Aktuale

A do të veprojnë Haradinaj e Lekaj pas kërkesës direkte të Kosnett për shfuqizimin e monopolit të homologimit

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 18:59
Philip Kosnett

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet që të veprojë pa u vonuar në implementimin e rezolutës së nxjerrë dje nga Kuvendi për t’i dhënë fund monopolit në fushën e homologimit, që e mbanë kompania “EuroLab” shpk që nga viti 2009. Por, gjatë ditës nuk ka pasur ndonjë sinjal konkret nga Haradinaj e Lekaj.

Edhe përkundër këtij reagimi të Kosnett, nuk është dhënë asnjë sinjal as nga kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, e as nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i cili ka hartuar Udhëzimin Administrativ 02/2018, e për të cilin edhe Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se e zgjat monopolin e kompanisë ‘EuroLab’.

“Unë i ndaj shqetësimet me Bashkimin Evropian, Kuvendin e Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës për kontratën e monopolit për inspektimin e veturave. Një gjë e tillë e shtrembëron tregun dhe i rrit çmimet për konsumatorët. Qeveria do të duhej të veprojë shpejt lidhur me rezolutën jo-obliguese të Kuvendit dhe ta hapë këtë proces për konkurrencë të lirë dhe të drejtë”, ka deklaruar sot Kosnett në thirrjen e tij.

I gjithë presioni për të zhbërë monopilin e kompanisë “EuroLab” shpk, ka filluar nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila në një mbledhje me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që t’i bëjnë presion Qeverisë për të anuluar Udhëzimin Administrativ 02/2018.

Madje për këtë problematike, në një letër të siguruar nga Gazeta Express, Apostolova i kishte shkruar Pal Lekajt në vitin 2018, duke i treguar se kanë marrë informacione se kompania ‘EuroLab’, është këshilluar dhe përfshirë edhe në hartimin e Udhëzimit Administrativ 02/2018.

Për këtë çështje ministri Pal Lekaj është ftuar për raportim po në këtë Komision, duke thënë se nuk mund të anulojë një marrëveshje të tillë pasi që do të shkelte ligjin, dhe se nuk guxon të ndërmarr një hap i cili do të fuste në kolpas gjithë sistemin.

Gjatë raportimit në këtë Komision, Lekaj është përplasur keq me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili e ka pyetur se “sa para i ke marrë nga Devollët”, për çështjen e homologimit.

Ndërsa Haradinaj ka folur sot pas mbledhjes së Qeverisë rreth kësaj problematike, por jo për atë që ka thënë Kosnett, duke thënë se vendim për këtë çështje duhet të marrë ai që është i mandatuar dhe jo ai si kryeministër duke theksuar se i gjithë diskutimi që është ngritur rreth homologimit do të ndikojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat