Ahmeti ia thotë në sy Haradinajt a do t'ia rrëzojnë Qeverinë

Aktuale

Ahmeti ia thotë në sy Haradinajt a do t'ia rrëzojnë Qeverinë

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 11:59
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti

(E plotësuar) - Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar sot se nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë, teksa ka bërë të ditur se nuk janë të interesuar që këtë ta bëjnë me ndihmën e Listës Serbe.

Këto komente Ahmeti i bëri në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, ku edhe nënshkruan memorandum bashkëpunimi për projektin ‘Prishtina e Re’.

Ashtu sikurse që roli i kryeministrit është mbrojtja e Kosovës, Ahmeti tha se roli i tij si kryetar i Prishtinës është mbrojtja e interesave të qytetarëve. Për këtë, ai tha se edhe sikur të kishin nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, nënshkrimi i memorandumit të sotëm do të ndodhte pa asnjë mëdyshje.

Ahmeti: Me Listën Serbe nuk jemi të interesuar ta rrëzojmë Qeverinë

“Me i pas pasur votat, mendoj se sot e kishim thirr seancën. Unë mundem me fol për votat e PSD-së. Për nënshkrim e kishim bërë edhe me e ditë që nesër rrëzohet Qeveria... Unë e kam thënë edhe disa herë, e besoj se ky është edhe qëndrimi i LDK-së dhe VV-së, se me Lista Srbska nuk jemi të interesuar me e rrëzu qeverinë. Këtë po ua them këtu, ia kam thënë edhe kryeministrit dhe e them edhe politikisht. Për shkak se kur kemi taksën, kur kemi diskutime me Serbinë, po flitet për bisedime përfundimtare me Sebrinë, besoj që nuk është mirë me ia ngrehë tepihun nën këmbë, me dikë që në Beograd vendosë se a me u rrëzu kjo qeveri apo jo. A nëqoftëse kemi numra si parti që nuk e përfshijnë LS, unë mendoj që duhet ta diskutojmë sinqerisht një mundësi të tillë”, tha Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se PSD është tërhequr tërësisht nga dialogu me Serbinë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

E përkundër këtij vendimi, Ahmeti tha se është i domosdoshëm unifikimi i spektrit politik për çështjen e dialogut me Serbinë.

Ahmeti: Jemi tërhequr komplet nga ekipi negociator

“Ne jemi tërhequr si PSD komplet prej ekipit negociator, pas vendimit të gjykatës Kushtetuese... Në të njëjtën kohë, unë e vazhdoj diskutimin edhe si kryetar i PSD-së, edhe me kryetarin AAK-së, z. Haradinaj, edhe me kryetarin e Nismës, z. Fatmir Limaj, për të parë se cilët janë hapat e mundshëm për të ardhmen e Kosovës. Ne jemi të gatshëm për bashkëveprim opozitar në këtë drejtim. Është klishe me thënë se opozita këqyrë gjithë me e rrëzu qeverinë, por ne jemi të interesuar të flasim sepse unë mendoj që po krijohet nj situatë që çdo ditë po flitet se ‘nesër rrëzohet qeveria’. Unë mendoj se nuk është mirë as për publikun, e nuk është mirë për asnjë institucion”, u shpreh Ahmeti.

E për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për Prishtinën e re, i pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, u shpreh se kjo është një ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e re të Kosovës, pas ligji për kryeqytetin.

Haradinaj: Pas 20 vitesh, po merr jetë projekti për ‘Prishtinën e Re’

“Pas 20 vitesh, më në fund, ky projekt po merr jetë, projekti i Prishtinës së re... 6:38 Unë kam besim të plotë në kapacitet profesionale të komunës, se i bie një barrë e madhe. Njëkohësisht i kam shprehur përkrahje kryetarit se të gjitha kapacitetet e ekzekutivit do të jenë në shërbim të këtij projekti. Gjithashtu, kam dëshirë që ky brez i ri i politikbërësve, të bahet mend edhe për vepra të tilla, jo vetëm për ato që i flasim. Dëshiroj që historia të na mbajë në mend për Prishtinën e re, një ëndërr e të gjithë banorëve të Kosovës”, tha ai. 

Ndryshe, projekti i zgjerimit të kryeqytetit “Prishtina e re” është paraparë të ndërtohet në Hajvali, ku aty do të vendoset pjesa administrative e Qeverisë së Kosovës.

Atje pritet të zhvendoset Presidenca, Qeveria, një qendër administrative komunale si dhe të përcillet me banim

Kryeministri Ramush Haradinaj viziton Komunën e Prishtinës

Kryeministri Ramush Haradinaj vizion Komunën e Prishtinës ku takohet me kryetarin Shpend Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat