Fillon testimi elektronik për patentë shofer

Aktuale

Fillon testimi elektronik për patentë shofer

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Që nga sot testimi i njohurive për patentë shofer do të bëhet në mënyrë elektronike, ku sot janë testuar kandidatët e parë duke shfrytëzuar këtë aplikacion

Aplikacioni e-testimi kishte filluar të realizohen në vitin 2017 dhe ka kushtuar 240 mijë euro.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, ka ndjekur nga afër mbajtjen e testimit elektronik për patentë shofer, ku tha se kandidatëve po iu japin një standard që e ka Evropa.

Lekaj: Një standard që e ka Evropa

“Sot është një ditë e mbarë ku po fillojmë për ta implementuar një standard evropian që ka ndikim edhe në sigurinë e qytetarëve, por edhe ndoshta në atë padrejtësinë apo ngritjes së nivelit për kandidat dhe mendoj që është një punë e mirë. Unë falënderoj të gjitha ata që kanë punuar në këtë drejtim që sot të jemi bashkërisht dhe të japim një të mirë këtyre kandidatëve, një standard që e ka Evropa dhe t’iu themi qytetarëve që këtu jemi për të krijuar kritere që shkojnë në siguri të vozitësve, por edhe të qytetarëve. Nuk ka pengesë që do na ndalë që ne të respektojmë normat, rregullat dhe ligjin, sepse ne jemi këtu që së pari të gjithë ata që marrin licencën e patentë shoferit që të jenë të aftë që kur të marrin përgjegjësi ta ruajnë jetën e vet, por të respektojnë edhe normat që i kanë mësuar, apo shenjat që i kanë mësuar. Shpresoj që ky departament nuk do të jetë më i përfolur sikur në kohën ka përfolur ose disi e kanë atakuar këtë departament dhe ndoshta për dy vite mund të them si ministër nuk kam pasur asnjë argument që dikush ka ardhur dhe më ka thënë ky kandidat ka bërë këtë, ky ekzaminer ka bërë këtë dhe mendoj që më tepër kanë qenë fjalë sesa argumente”, tha Lekaj.

Ai tha se ka qenë i vendosur që kur ka marrë detyrën e ministrit që këtë departament të bie një rregull dhe sipas tij ky rregull po ndodh sot.

Menaxheri i projektit, Naim Kelmendi, deklaroi se i gjithë projekti kishte filluar në maj të vitit 2017 dhe se sot po testohen kandidatët e parë.

Kelmendi: Sot do të testohen kandidatët e parë duke shfrytëzuar këtë aplikacion

“Është një projekt i filluar në maj të vitit 2017 dhe me një përkrahje të vazhdueshme të kabinetit të ministrit dhe ministrin në veçanti kemi ardhur në fazën kur sot do të testohen kandidatët e parë duke shfrytëzuar këtë aplikacion. Aplikacioni për të gjithë kandidatët gjeneron pyetjet në mënyrë elektronike dhe për të gjithë kandidatët pyetjet unike. Pas përfundimit të provimit të gjithë do ta kenë rezultatin e gjeneruar nga sistemi. Sistemi është shumë më i gjerë kur është menduar digjitalizimi i të gjithë procesit të pajisjes së kandidatit me patentë shofer prej momentit kur kandidati regjistrohet në auto shkollë deri në momentin kur pajiset fizikisht me patentë shofer. Projekti ka kaluar në disa faza, faza e parë ka qenë përgatitja e aplikacionit tani jemi në fazën e dytë faza pilot, që do të bëjmë testim real për këta kandidat’, tha Kelmendi.

Ai tha se nëse eventualisht do të ketë nevojë për përmirësime të radhës do t’i zbatojnë ato dhe do pastaj do të shtrihet në të gjithë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat