PDK dhe AAK tregojnë se a do t’i përgjigjen thirrjes së Limajt për takim pas vendimit të Kushtetueses

Aktuale

PDK dhe AAK tregojnë se a do t’i përgjigjen thirrjes së Limajt për takim pas vendimit të Kushtetueses

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 18:59
Limaj, Haradinaj dhe Veseli

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare nga lideri i Nismës SocialDemokrate, Fatmir Limaj i cili para disa ditësh paralajmëroi takim me partnerët e koalicionit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Ekipi Negociator të shpallet i jashtëligjshëm. AAK dhe PDK thonë se janë të gatshëm t’i përgjigjen takimit. Nga këto parti nuk besojnë që dikush nga koalicioni do të jepte votat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ata e shohin bashkëpunimin e tyre si shumë të qëndrueshëm.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të shpallë anti-kushtetues Ekipin Negociator, ka bërë që të ngriten edhe më shumë zëra për rrëzimin e Qeverisë. Deputetë të opozitës, por ka edhe nga ata të pozitës, që e shohin si opsion votën pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj. Bilall Sherifi i NISMA-s, partisë në koalicion me Haradinajn, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të flasin me opozitën për një gjë të tillë.

Media ka kontaktuar me nënkryetaren e AAK’së, Teuta Haxhiun për të pyetur se si do t’i përgjigjen ftesës së paralajmëruar të Limajt për takim me liderët e koalicionit qeveriSës, Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin.

Haxhiu thotë se deri më tani nuk kanë pranuar një ftesë të tillë, mëgjithatë thotë se janë të gatshëm në çdo moment të diskutojnë për tema që janë në interes të shtetit.

‘’Realisht unë nuk e di deri më tash që kemi marrë ftesë. Megjithatë, kurdo që marrim ftesë, Aleanca patjetër që do i përgjigjet. E çka do të ndodh në takim, nuk mund të paragjykoj para se me u mbajt takimi. Kur flasim për një vendim, ckado që është në zgjidhje dhe interes të vendit, Aleanca nuk  e ka problem t’i përgjigjet çfërdo takimi’’, tha Haxhiu.

Nga AAK, presin që opozita t’i bëjë votat nëse veç munden për rrëzimin e Qeverisë. Por thonë se nuk ka përçarje brenda partnerëve të koalicionit.

‘’Sa i përket rrëzimit te Qeverisë, ajo është diçka tanimë krejt e banalizuar. Por konsideroj se është bërë shumë e qartë nga opozita, të cilët nuk e kan kryer detyrën as të deputetit e as më tepër që kanë prolakmu një mocion kundër Qeverisë. Kurdo që të ndodh, Aleanca është shumë e gatshme.Ne po i kryejmë detyrat tona dhe po punon Qeveria. Unë e kuptoj pozicionin r opozitës, por njëherë nuk ndihemi fare të rrezikuar. Në koalicion nuk ka kurrfarë problem, kurrëfarë përçarje. Qeveria po punon’’, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa thotë se nuk ka informacione nëse Fatmir Limaj i ka dërguar ftesë PDK’së për takim. Ai, koalicionin e sheh të qëndrueshëm duke shtuar se nuk ka paralajmërime nga brenda se dikush do të jepte votën për rrëzimin e Qeverisë.

”Unë nuk jam i informuar dhe nuk mund të komentoj një deklaratë të një lideri të një subjekti tjetër. Megjithatë, mendoj se duhet t’i respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo që ka thënë Gjykata. Nga praktikat  ekaluara në Kosovë, vendimet e gjykatave janë respektuar dhe besoj që edhe tash do të respektohen, edhe nga vetë anëtarët e delegacionit shtetëror. Sa i përket Qeverisë, nuk ka pasë ndonjë paralajmërim prej askujt nga partnerët e koalicionit. Koalicioni aktualisht është i qëndrueshëm’’, ka thënë Beqa.

Kreu i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, para disa ditësh ka paralajmëruar një takim mes krerëve të koalicionit qeverisës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shpalljes së Ekipit Negociator si antikushtetues.

Ai theksoi se do të dëgjojë propozimet e tyre se si mendojnë të vazhdohet tutje, duke parlajmëruar edhe një vendim të NISMA-s pas këtyre bisedave, varësisht nga rezultati i diskutimeve.

“Së pari dua të them që unë personalisht dhe si NISMË, respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu siç e dini pas vendimit të Kushtetueses, ka pasur zhvillime të reja. Përfaqësuese të opozitës kanë ofruar dorëheqje, dhe ky është një zhvillim i ri pas Gjykatës Kushtetuese. Mes dy këtyre zhvillimeve unë dua të shfrytëzoj rastin ti ftoj partnerët e koalicionit, të bashkëbisedojmë për këto zhvillime të fundit. Dua ti dëgjoj ata si e vlerësojnë dhe si e shohin hapat pas kësaj teme. Pasi t’i dëgjojmë ata, ne si NISMË do të marrim vendimin e duhur se si do të ecim më tutje”, ka thënë Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat