Ka dhënë dorëheqje anëtari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së kësaj partie në Gjilan, Avdyl Brestovci.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëpunëtori i Brestovcit, ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, i cili po ashtu dha dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate disa ditë më parë.
Hasani, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se sot ka folur gjatë me anëtarin e Kryesisë së Nismës në Gjilan.
“E analizuam gjithë situtatën”, tregon Bajram Hasani. “Abdyli po e ndjek rrugën time dhe të shumë miqve që me dëshirën e tyre më janë bashkuar. Ai sot ka dhënë dorëheqje nga NISMA Socialdemokrate”.
Ish-ministri i Tregtisë ka folur edhe për fenomenin e dorëheqjeve në partinë e Fatmir Limajt, pjesë e së cilës ishte deri vonë. Ka thënë se “kur ikin pothuajse të gjithë [njerëzit e partisë, v.j], mund të quhet shuarje”. /Insajderi.com