‘Gratë duhet të marrin vendet e merituara’

Aktuale

‘Gratë duhet të marrin vendet e merituara’

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 13:08
‘Gratë duhet të marrin vendet e merituara’

Në shënimin e 14 vjetorit të themelimit të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës u mbajt një seancë solemne, ku u theksua roli i veçantë i grave në jetën publike dhe institucionale.

Përkundër sfidave u tha se ka progres, por duhet ende shumë punë që të largohen gjitha barrierat paragjykuese dhe diskriminuese ndaj grave.

Pjesë e kësaj seance ishte dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili duke iu drejtuar grave deputete, tha se ato janë vendimmarrëset e ardhshme të kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli theksoi mbështetjen e tij se do të jetësohet drejtësia gjinore në të gjitha segmentet e jetës sociale dhe institucionale për gratë në Kosovë.

Veseli: Të jetësohet drejtësia gjinore në të gjitha segmentet e jetës sonë sociale dhe institucionale

“ Të jetësohet drejtësia gjinore në të gjitha segmentet e jetës sonë sociale dhe institucionale. Ne kemi ecur shumë në këtë drejtim kur është fjala në aspektin e legjislacionit, por ende kemi shumë për të bërë në mënyrën që këtë legjislacion që në shumicën e rasteve është adekuate të zbatohet në plotësin e saj. Barrierat e mentalitetit të vjetra që ushqejnë paragjykimet diskriminuese dhe praktikat e përjashtimit të grave nga jeta sociale dhe institucionale ende janë duke rezistuar. Por e them me bindje të plotë se forca e këtyre barrierave po vjen duke u zbehur. Pabarazia gjinore nuk shihet si një fakt i natyrshëm në shoqërinë tonë”, tha kryetari Veseli. 

Ndërkaq, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mijaku-Topalli foli për sfidat të cilat gratë po ballafaqohen në Kosovë. Ajo kërkoi që gratë të marrin vendet e merituara në shoqëri në mënyrë që të jenë të barabarta në çdo punë, funksion apo pozitë.

Topalli: Gratë në postet e larta janë treguar më pak të ndikuara nga aferat korrupsionit se meshkujt

“Gratë në postet e larta vendimmarrëse janë treguar shumë më pak të ndikuara nga aferat korrupsionit se sa meshkujt. Kur është fjala për pengesat që gratë në pozita udhëheqëse ballafaqohen në jetë, konsideroj që të qenit nënë dhe obligimet ndaj fëmijëve të posa lindur janë ndër kryesorët. Krahas kësaj sfidë serioze për shumë femra në pozita udhëheqëse paraqesin paragjykimet tradicionale në shoqëri. Por gratë duhet të marrin vendet e merituara në çdo shoqëri. Kjo nënkupton se ato duhet të jenë pjesë e barabartë në çdo punë funksion apo pozitë”, tha deputetja Mijaku-Topalli

Prej zyrës së BE-së në Kosovë, Annette Fath-Lihie foli për rëndësinë e kuotave tek gjinia femërore, ku tha se në rastet kur ajo nuk po aplikohet gratë po mbetet shumë të pa përfaqësuara.

Anete: Kur kuotat nuk aplikohen gratë mbeten shumë të pa përfaqësuara

“Kur kuotat nuk aplikohen gratë mbeten shumë të pa përfaqësuara, prandaj duhet të bëhen përpjekje të partive politike që lista dhe renditja të rregullohet ashtu që gratë kandidate mos të vendosen në fund të listës. Ligji për barazi gjinore do të kupton se kuota do të duhet të vlej në të gjitha shtresat e administratës së Kosovës që të arrihej 50 përqindshi i popullatës”, tha ajo.

Përkrahje dhe mbështetje për gratë kërkuan edhe deputetet e tjera të Parlamentit të Kosovës nga të gjitha partitë politike.

Ndërkaq, në orët e mëngjesit për nder të këtij përvjetori u hap dhe një ekspozitë në qendër të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat