Bytyqi: Organizatat studentore të politizuara, Nisma nuk ka asnjë lidhje me to

Aktuale

Bytyqi: Organizatat studentore të politizuara, Nisma nuk ka asnjë lidhje me to

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 10:34
Shyqiri Bytyq

Në seancën e jashtëzakonshme për arsim, javën e kaluar, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka akuzuar të parin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, për shkatërrim të sistemit arsimor.

E njëjta ka përmendur emrat e disa personave që sipas saj janë të afërm të ministrit,  e që janë punësuar në dikasterin që ai e udhëheq. Këto akuza, ministri thotë se janë fushatë politike. Madje, sipas këtij të fundit, prej ardhjes së tij në krye të kësaj ministrie, nuk ka asnjë të punësuar me kontratë të rregullt.

Bytyqi, në një intervistë për kp thotë se për një mandat nuk mund të transformohet për të mirë i gjithë sistemi arsimor, gjë që sipas tij mund të jetë vetëm si iluzion.

Bytyqi: Këto akuza janë komplet të fushatave politike dhe elektorale

“Këto akuza janë komplet të fushatave të themi politike, të fushatave politike dhe fushatave elektorale, janë përmendur emra të cilët fare nuk kanë të bëjnë me të vërteta. Janë marrë me informacionet e përditshme që Ministria e Arsimit ka pasur sulme të caktuara për shkak të reformave dhe hapave që kemi pasur dhe kemi qenë shumë të vetëdijshëm që këto gjëra ne do i presim, qoftë në rregullin e brendshëm, që kemi filluar të vendosim në Ministrinë e Arsimit, qoftë në disiplinën e arsimit të lartë, kanë qenë edhe këta faktorë që kanë ndikuar në këto sulme, dhe për atë edhe bëra pyetje se ku i ka marrë ato informacione dhe a janë informacione të verifikueshme... ata emra i dimë, por nuk ishin emra që kanë qenë të punësuar në Ministrinë e Arsimit”, tha ai.

Ai pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në sektorin e arsimit, megjithatë zotohet se janë duke punuar për reforma, duke shtuar se ka pasur shumë trajnime të mësimdhënësve që do të reflektojë edhe në të arriturat e nxënësve.

Kritika e akuza nga ana e deputetëve, Bytyqi ka pasur edhe për manipulim të procesit të vlerësimit të teksteve. Ky i fundit zotohet se procesi ka shkuar ashtu siç është paraparë edhe me procedurat ligjore.

Bytyqi: Procesi ka shkuar në bazë të procedurave ligjore

“Unë së pari fillova me dyshu mos kanë qenë recensent që e dijshin informacionet me tekstet. Sepse tekstet vetëm recensentët i kanë, dhe akoma nuk janë bërë publike. Që të diskutohet çfarë përmban libra, vetëm nëse dikush ka qenë recensent mund të di se çfarë përmban një tekst i ri i cili del. Mirëpo, ajo çfarë dua të them është se procesi ka shkuar ashtu siç është paraparë me procedurat ligjore, por edhe me akte nënligjore, ku nga fillimi deri në përfundim gjithçka ka qenë e koduar, qoftë tekstet ose dorëshkrimet dhe vlerësimin për përdorimin e një teksti e ka për obligim ta përcaktojë recensenti, pra eksperti, jo një por kanë qenë katër recensentë për një dorëshkrim... pastaj se cilat shtëpi botuese, ne e kemi kuptuar pasi e kemi dhënë informacionin, pasi është shpalosur, i kemi hequr kodimet”, thotë ai.

Ditë më parë ishte raportuar se udhëheqësja e divizionit për njohje dhe barasvlerë të diplomave në NARIC Kosova, Kumrije Gagica ia kishte drejtuar ministrit të Arsimit dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie shkeljet ligjore të disa kolegjeve private, për çka i kishte kushtuar kësaj zyrtareje me largim nga pozita. Sa i përket kësaj ministri thotë se e njëjta e ka shkelur etikën e punës.  

Bytyqi: Nuk do të isha marrë fare me një zyrtarë

“Nuk do të isha marrë fare me një zyrtarë, i cili e ka shkelur etikën e punës. E para ai zyrtarë publikisht ka bërë mashtrim të opinionit  edhe për këtë do të merren organet kompetente. Për shkak të shkeljes së etikes dhe mashtrimeve, sekretari i përgjithshëm ka marrë vendim që të pezullohet për një periudhë të caktuar dhe pastaj do të jetë komisioni disiplinor i cili do të merr masa komform ligjit dhe do të merr vendime. Por, nuk flitet këtu për degradim, ai person ka qenë ushtrues detyre, i cili ka ardhur si pasojë e ri-organizimit të brendshëm... mirëpo veprimi i tij është diçka që nuk ka të bëjë fare me etikën e brendshme”, deklaron ai.

Teksa flet për angazhimin e studentëve në organizatat studentore dhe adresimin e kërkesave të tyre me anë të protestave, Bytyqi thotë se shumë prej tyre janë të politizuara. Mirëpo, mohon që Nisma Socialdemokrate ndikon në njërën nga këto organizata.

Bytyqi: Do të doja që organizatat studentore të merren me jetën studentore

“Do të kisha dëshirë që organizatat studentore të merren vetëm me jetën studentore, kjo do të ishte gjëja më e mirë, ( Pyetje: A ka Nisma ndonjë organizatë studentore)... Nisma nuk ka asnjë organizatë studentore, nuk bën pjesë... absolutisht unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë organizatë brenda studentëve, për mua janë të gjitha të vlefshme brenda institucioneve të arsimit të lartë  në rolin që duhet ta luajë në të mirën e krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm për një arsimim të lartë brenda këtyre institucioneve”, përfundon Bytyqi.

Studentët, sipas Bytyqit, duhet të kenë kërkesa për arsim më të mirë, profesorë e kushte më të mira, e jo kërkesa politike. Pra, siç thotë Bytyqi këto organizata studentore duhet të bëjnë luftë për studime më të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat