Hashim Thaçi ka fshehur këshilltarin që e ka emëruar para një viti

Aktuale

Hashim Thaçi ka fshehur këshilltarin që e ka emëruar para një viti

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 16:51
Hashim Thaçi

Emin Krasniqi, në qershor ka mbushur një vit prej kohës kur është emëruar Këshilltar i Presidentit të Republikës. Por, në faqen zyrtare të Shefit të Shtetit s’shkruan askund se ish-kandidati i PDK’së për Kryetar të Kamenicës është pjesë e kabinetit të Hashim Thaçit.

Emin Krasniqi i ka marrë 18 mijë euro për një vit pse ka këshilluar Shefin e Shtetit.

Më 18 qershor i ka bërë 12 muaj prej kur Hashim Thaçi e ka emëruar Krasniqin në pozitën e Këshilltarit.

Asnjëherë s’e ka bërë të ditur emërimin e tij në Zyrën e Shefit të Shtetit. Emrin e tij nuk e ka publikuar as në faqen zyrtare të Presidencës.

Express ka gjetur emrin e Emin Krasniqin në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion se punon në Presidencë të Kosovës.

Por, kush është këshilltari i ‘fshehtë’ i Presidentit?

Image

Pastaj, kishte mbajtur pozitën e Zëvendësministrit në kohën kur Ministër i Transportit ishte Fatmir Limaj. Madje, Kransiqi kishte qenë edhe dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Limajt.

Prej vitit 2002 deri më 2007, Emin Krasniqi kishte mbajtur pozitën e deputetit në Parlamentin e Kosovës. Këtë pozitë e kishte fituar duke qenë pjesë e PDK’së së Hashim Thaçit.

Më 2007, Krasniqi kishte kandidauar për Kryetar të Kamenicës.

Image

Aktualisht është edhe profesor i angazhuar në Universitetin e Gjilanit.

Veç kësaj, Krasniqi është doktor shkence në fushën e gjuhësisë.

“Shkodër 08.01.2016 Universiteti Luigj Gurakuqi,z.Emin Krasniqi mbrojti me sukses tezën e doktoraturës duke marrë titullin doktor shkence ne gjuhën shqipe”, shkruan në një postim të Krasniqit në Fb.

Në faqen zyrtare të Presidentit Thaçi shkruan se këshilltar të tij janë: Ardian Arifaj, Ismail Syla, Blerim Shala, Astrit Salihu, Bislim Zyrapi, Bashkim Smakaj, Veli Bytyqi, Adil Behramaj, Artan Behrami dhe Astrit Ibrahimi. Shef të Stafit e ka Bekim Çollakun.

Në fillim të këtij viti, Presidenti pati emëruar edhe Rrustem Mustafën për Këshilltar. As këtë emër nuk ka përfshi ne listën e Këshilltarëve. Pati reagime pas këtij emërimi për shkak se ish-Shefi i UÇK’së për Zonën e Llapit është i dënuar për krime lufte.

Image

Ndryshe, as në Ligjin për Presidentin dhe as në akte tjera juridike nuk është kufizuar numri i këshilltarëve të Shefit të Shtetit.

Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi ditë më parë kishte shkarkuar këshilltarin Bratisllav Nikolic, i cili dyshohej se ishte pjesë e BIA’s, shërbimit sekret serb. Presidentin e kishte këshilluar për disa vite. Prokuroria ka njoftuar se ka nisur hetimet por ende s’ka asgjë konkrete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat