Shasha: Vala masive e ikjes mund të përsëritet

Aktuale

Shasha: Vala masive e ikjes mund të përsëritet

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 23:00
ilustrim

Prejse Kosova është shpallur shtet dhe deri më tani vendin e ka lëshuar 20% e popullsisë së saj. Në pesë vjetët e fundit 135 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi në mënyrë joligjore dhe prej tyre janë kthyer vetëm 40 mijë. Arsyet kryesore vlerësohet të jenë mungesa e perspektivës, varfëria dhe qeverisja jo e mirë.

Demush Shasha, nga instituti EPIK, duke numëruar arsyet pse qytetarët po ikin nga vendi, ka potencuar se politika dhe udhëheqja e qeverive është njëra ndër arsyet kryesore pse të rinjtë e Kosovës e kanë humbur shpresën në vendin e tyre.

“Në rastin e Kosovës vërejmë se ka pakënaqësi të madhe të qytetarëve ndaj zhvillimeve shoqërore përgjatë dy dekadave të fundit. Në vend të ndërtimit të demokracisë liberale me pjesëmarrësit progresivë shoqërorë, të bazuar në ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, është instaluar një klientokraci, ku skena politike kap institucionet publike dhe monopolizon sektorin privat për qëllim të vetëm të mbetjes në pushtet”, ka thënë Shasha për “Zërin”.

Ai thekson se, duke u bazuar në statistikat e lartpërmendura dhe në zhvillimet politike e ekonomike në Kosovë, ekzistojnë mundësitë që të përsëritet edhe një herë vala e migrimit e viteve 2014-2015.

“Duke marrë për bazë këto të dhëna rreziku për përsëritjen e situatës së viteve 2014 dhe 2015 është ende prezent, pasi që mund të konkludojmë se qytetarët janë thellësisht të pakënaqur me zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë. Në mungesë të adresimit të shkaqeve kryesore që kontribuojnë në marrjen e vendimit të qytetarëve për largimin nga vendi rreziku i përsëritjes së migrimit masiv të viteve 2014 dhe 2017 është omniprezent”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat