LDK i përfundon zgjedhjet në korrik, rrëzimi i Qeverisë në shtator

Aktuale

LDK i përfundon zgjedhjet në korrik, rrëzimi i Qeverisë në shtator

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 11:00
LDK

Vetëm edhe në katër degë s’janë mbajtur zgjedhjet në LDK. Ka mbetur Ferizaj, Mitrovica, Vushtrria dhe Dega e Tretë në Prishtinë. Burime të medias kanë treguar se Isa Mustafa bashkë me Lutfi Hazirin, Haki Rugovën dhe Agim Veliun janë marrë vesh t’i përfundojnë zgjedhjet gjatë korrikut.

Isa Mustafa para disa ditësh kishte mbledhur në Parti tre vendimmarrësit tjerë të LDK’së: Lutfi Hazirin, Haki Rugovën dhe Agim Veliun.

Burime të medias kanë treguar se shefi i LDK’së është pajtuar me tre vartësit e tij që zgjedhjet t’i përfundojnë gjatë këtij muaji.

Arsye janë përgatitjet për rrëzimin e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja.

“Krejt kjo për t’u bërë gati për zgjedhjet nacionale”, ka thënë një zyrtar i LDK’së.

Burime të media kanë thënë se Kryetari i LDK’së dhe Nënkryetarët kanë diskutuar edhe për mundësinë e një marrëveshjeje për të mos shkuar të ndarë në Kuvendin e Përgjithshëm ku do të votohet për Shefin e ri të Partisë.

“Isa Mustafa mund të tërhiqet nga gara për Shef të Partisë nëse merr garancione se do të ketë ende hise në Parti. Nuk do të ndodhë njësoj sikur me ish-Kryetarin e LDK’së që s’i patën lënë fuqi vendimmarrëse në LDK”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK’së që s’ka dashur t’i përmendet emri.

Sidoqoftë, në garë për Shef të LDK’së, në terren janë duke punuar Agim Veliu e Lutfi Haziri. Është duke u përmendur edhe Avdullah Hoti por se ky i fundit prej humbjes se zgjedhjeve ka mbetur i heshtur brenda LDK’së.

Ndërkohë, Vjosa Osmani ende po vazhdon të jetë opsion për Kryetare të LDK’së por përkrahësit e saj s’kanë arritur të fitojnë nëpër degët e Partisë.

Në garë vazhdon të jetë edhe ish-Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu, i cili është mirëpritur të shtunën në Prizren.

Ndryshe, pPrej 31 majit të këtij viti, Isa Mustafa është duke mbajtur pozitën e Shefit të Partisë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të LDK’së, Statutin, i cili saktëson se mandati i organeve udhëheqëse është katërvjeçar. Megjithëkëtë, Partisë së Isa Mustafës i është aprovuar kërkesa nga KQZ’ja për shtyrjen e Kuvendit të Përgjithshëm.

Isa Mustafa ishte votuar për Kryetar të LDK’së para katër vitesh kur kishte vendosur që me aklamacion të votohej për Shef partiak. Atëkohë, e kishte eliminuar nga gara Vjosa Osmanin, e cila s’kishte arritur të plotësonte kriterin për t’i hyrë garës, ku kërkoheshin nënshkrimet e  50 plus një të delegatëve të LDK’së.

Sivjet zgjedhjet në LDK kanë nisur më 8 mars. Janë paraparë të përfundojnë në fund të verës, megjithëse, ka pasur paralajmërime se mund të shtyhen edhe deri në vjeshtë, kur edhe pritet të ketë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Aktualisht, Shef i LDK’së është Isa Mustafa, i cili më herë ka mbajtur pozita pasluftës si anëtar i Bordit të UP’së, Kryetar i Prishtinës, Këshilltar i Presidentit, Kryeministër. Para luftës kishte mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Edhe para kësaj kohe, në kohën e sistemit komunist jugosllav, Mustafa kishte mbajtur pozitën Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit prej vitit 1984-88. Më pas, ishte pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Jusuf Zejnullahu, 1989-1990.

Isa Mustafa, Shef i LDK’së ishte bërë duke rrëzuar Fatmir Sejdiun dhe duke sharë SHIK’un dhe PDK’në me të cilët kishte lidhur marrëveshje më vonë për t’u bërë Kryeministër. Mustafa e kishte bërë ish-Shefin e SHIK’ut, Kadri Veselin Kryetar të Paralmentit e Hashim Thaçin President. Ndërkohë, më vonë Kryetari i PDK’së e kishte rrëzuar nga pozita e Kryeministrit.

Zyrtarë të LDK’së kanë thënë se Isa Mustafa po synon të bëhet President i Republikës në një marrëveshje edhe me ndonjërin prej zyrtarëve të partisë së tij që po synon të bëhet Shef i Partisë./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat