Kelmendi: Mërgata ka barriera për investime, presim të zgjidhen

Aktuale

Kelmendi: Mërgata ka barriera për investime, presim të zgjidhen

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 12:13
Kelmendi: Mërgata ka barriera për investime, presim të zgjidhen

Mërgata e Kosovës veçanërisht ajo nga Gjermania po shpreh gatishmërinë për të investuar në Kosovë. Në kuadër të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani që ka mbi 500 firma anëtare-aktive, synojnë tregun e Kosovës në shumë fusha të ndryshme. Ndonëse, sipas komunitetit të biznesit në diasporë ka barriera për të investuar në Kosovë, por që konsiderojnë që janë në rrugën e duhur për t’u zgjidhur.

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Vëllaznim Kelmendi në një intervistë për KosovaPress, pohon se ka pasur disa takime me drejtues të Qeverisë dhe komunave të Kosovës për të gjetur zgjidhje në sjelljen e kapitalit të mërgatës në vendlindje.

Kelmendi: Ka probleme, por që presim të zgjidhen

“Ka përmirësime të shumta për klimën e investitorëve prej diasporës. Natyrisht që ka edhe pengesa, por që është duke u punuar në atë drejtim. Ne si Union kemi vu kontakte direkte prej kryeministrisë deri te kryetarët e komunave, të jemi të sinqertë ka lëvizje pozitive”, thotë Kelmendi.

Drejtori i Unionit që është nga firma ‘Kelmendi GmbH’, thotë se është firma e parë shqiptare e cila ka marrë produktet kosovare - ushqimore dhe ka plasuar në tregun e Evropës.

Kelmendi shton se të gjitha brendet e Kosovës, “Kelmendi GmbH’, i plason në tregun e Evropës.

Kelmendi: Jemi fokusuar në eksportin e produkteve të Kosovës në tregun e Evropës

“Ne kemi bërë investime të shumta në Kosovë, ndërsa investimi më i qëlluar ka qenë, që ne jemi fokusuar në eksportin e produkteve të Kosovës në tregun e Evropës. Produktet si ato bujqësore, ushqimore, por edhe ato industriale që i ka Kosova”, pohon ai.

Po ashtu, drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani ka mirëpritur marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e parkut të bizneseve për mërgatën, duke thënë se Kosova po i hap dyert për mërgatën shqiptare.

Kelmendi: Parku i bizneseve një ombrellë për mërgatën

“Mendoj se me këtë park, sot Kosova po i hap dyert diasporës dhe firmave shqiptare. Ne kemi punuar me vite që të vijmë deri te kjo ditë që sot po bëhet realitet”, deklaron Kelmendi.

Parku i bizneseve për diasporën që do të jetë mbi 50 hektarë sipërfaqe, sipas tij, do të jetë në funksion së shpejti për bizneset shqiptare.

Në fund, Kelmendi deklaron se qëllimi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, është që të bëjnë rrjetëzimin e firmave shqiptare. Këto kompani kanë arritur të nënshkruajnë mbi 150 kontrata bashkëpunimi në vlerë dhjetëra milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat