Hamza alarmon se ndërmarrjet publike në Kosovë po keqmenaxhohen

Aktuale

Hamza alarmon se ndërmarrjet publike në Kosovë po keqmenaxhohen

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 20:50
Bedri Hamza

Bedri Hamza, ministër i Financave, e njëherësh edhe kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë, ka thënë se partia e tij në koalicion “nuk i kontribuon situatës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

E duke folur për mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike, ai ka thënë se si ministër e ka prioritet të prioriteteve ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal.

“Si ministër i Financave kam reaguar për të stopuar projekte që rrezikojnë stabilitetin makro-fiskal”, ka thënë Hamza, në Puls.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Paga, në të cilin ka thënë se ka vend për përmirësime.

“Pjesa më e madhe e të punësuarve janë trajtuar me korrektësi, nuk rrezikohet stabiliteti makro-fiskal. Ka hapësirë për përmirësim. Do të jetë sfiduese për vitin 2020 ruajtja e rregullit të pagave, që thotë se fatura e pagave duhet të jetë në proporcion me rritjen ekonomike”, ka thënë ai.

Hamza ka pranuar se Qeveria e Kosovës është e madhe dhe shume e kushtueshme.

Tutje Hamza ka folur edhe për ndërmarrjet publike.

“Përveç KEK-ut dhe KOSTT-it dhe ndonjë ndërmarrje komunale, pjesa më e madhe e tyre kanë keqmenaxhim, mbipunësim, mosracionalizim të punëve, mungesë të të hyrave, etj. Ato janë problem jo vetëm për ekzistencën e tyre dhe për shpërthimin e pakënaqësisë sociale, por edhe rrezik për stabilitetin makro-fiskal”, ka thënë Hamza.

“Është nevojë urgjente ndryshimi i menaxhimit të ndërmarrjeve publike. Aty ka shumë vend për përmirësim”, ka thënë më tej Hamza.

Ai ka thënë se i takon Qeverisë, që si hisedar në këto ndërmarrje në vend që të marrë dividend nga to, në fakt i bëhen barrë.

Hamza ka folur edhe për numrin e madh të të punësuarve në sektorin publik, duke thënë se janë mbi 80 mijë të punësuar që marrin pagë nga buxheti i shtetit.

“Unë sugjeroj që mos të rritet ky numër. Madje edhe kur të pensionohet dikush mos të zëvendësohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet po bëjnë gabim që po marrin njerëz me kontrata mbi vepër.

“Në tërë sistemin janë me mijëra të tillë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat