Haxhiu-Hajdar Beqajt: Herë je telall i Thaçit, herë i Veselit

Aktuale

Haxhiu-Hajdar Beqajt: Herë je telall i Thaçit, herë i Veselit

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 16:34
Haxhiu-Hajdar Beqajt: Herë je telall i Thaçit, herë i Veselit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, edhe njëherë nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Komisionit për Legjislacion ku ishte i ftuar për raportim lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve të ri.

Anëtarët e komisionit deklaruan se në letrën që ministri ua ka kthyer, i është drejtuar kryetares së komisionit, Albulena Haxhiut, duke refuzuar ftesën dhe duke e personalizuar atë me emrin e Haxhiut.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, nga deputetët e partive opozitare u tha se ministri po tregohet i papërgjegjshëm, ndërkohë u vendos që deri të premten t’i dërgohet edhe një tjetër ftesë.

Ndaras nga ftesa e Komisionit për Legjislacion, ku Abelard Tahiri ftohet për diskutim lidhur me procedurat e rekrutimit të noterëve të ri, kryetarja e komisionit i kishte dërguar edhe një ftesë ministrit të Drejtësisë, ku i kishte kërkuar që të anulohet proces i rekrutimit, meqë siç kishte cekur ajo, ekziston dyshimi që disa prej kandidatëve e kanë kaluar provimin në bazë të lidhjeve familjare.

Përmes një letre ku i drejtohet kryetares së komisionit, ministri Tahiri ka bërë të ditur se refuzon të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit.

Në mbledhjen që u mbajt sot, ku pikë e rendit të ditës ishte diskutimi me ministrin, u tha se Tahiri e ka personalizuar çështjen e ftesës nga komisioni, meqë të gjithë anëtarët kanë qenë të pajtimit të ftohet ai.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se ndaras nga ftesa e komisionit, i ka kërkuar ministrit që të mos veprojë tutje me fazat e rekrutimit, derisa procesi të sqarohet nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Haxhiu tha se kjo është konflikt i interesit.  E letra e Haxhiut ngjalli debat në mes të saj dhe deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa.

E sipas deputetit të LDK-së, Arben Gashi, ministri Tahiri e ka personalizuar çështjen qysh në fjalitë e para të shkresë së refuzimit, duke iu drejtuar personalisht Albulena Haxhiut.

Në këtë debat, një propozim erdhi nga deputeti Korab Sejdiu, i cili tha se duhet kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të ndërhyjë në këtë çështje, duke e detyruar ministrin të vijë në komision për raportim.

Këtë refuzim të ministrit, deputeti Frashër Krasniqi e konsideroi tentim për mos me qenë transparent në këto procese.

Me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri ishte paraparë diskutim në lidhje me procesin e rekrutimit të noterëve të ri, administratën e sistemit të drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave.

Deputetët u pajtuan që t’i dërgojnë edhe një ftesë ministrit dhe kjo të bëhet para datës 15 korrik

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat