Humoristët rusë arritën t’ia marrin Zaevit numrat e telefonit të Ramush Haradinajt dhe Wess Mitchellit

Aktuale

Humoristët rusë arritën t’ia marrin Zaevit numrat e telefonit të Ramush Haradinajt dhe Wess Mitchellit

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 23:37
Zoran Zaev, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka rënë sot pre e një mashtrimi nga dy humoristë rusë. Ata e kishin thirrur kryeministrin maqedonas duke u prezantuar si ish presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko dhe si Sekretari Gjeneral i NATO’së Jens Stoltenberg.

Zaev e ka pranuar se në tre raste në vitin e kaluar kishte bërë këto biseda duke menduar se po fliste me të vërtet me këto dy fytyra të njohura në politikë.

Gjithsesi Zaev ka mohuar se do të japë dorëheqje pas këtij skandali.

Regjistrimet audio janë bërë në gusht të vitit 2018 dhe janar e prill të vitit 2019, dhe humoristët i kanë publikuar në kanalin e tyre në YouTube. Bisedat janë në lidhje me disa tema: Situata në Maqedoni para referendumit për emrin, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, ndikimi rus në vend dhe autoqefalja e KOM –it, për të cilat Poroshenko i rremë e bind Zaevin që mund të fitohet nëse i paguhen 100,000 euro Patriarkut Bartolomej. Pikërisht për këtë pjesë, Zaevi tha se ishte e montuar dhe joautentike, edhe pse ai nuk e shpjegoi kontekstin.

“Kishte një dështim në procedura”, ka thënë Zaev duke shtuar po ashtu se nuk do të kërkojë përgjegjësi për këtë skandal nga askush brenda kabinetit të tij.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka pranuar po ashtu se u ka dhënë humoristëve edhe numrat e telefonit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan Wess Michell.

“Është e natyrshme t’ia jap numrin e ndonjë zyrtari të Evropës Juglindore dikujt që vërtet kam besuar se është presidenti i Ukrainës. Ky nuk është sekret shtetëror, dhe natyrisht se më vjen keq që jam abuzuar në këtë formë, por në të njëjtën kohë nuk besoj se biseda ka zbuluar ndonjë sekret shtetëror. Kanë qenë qëndrime që i kam përsëritur çdo ditë rreth nesh këtu, në Ballkan, për integrimet në BE”, ka thënë Zaevi para mediave.

“Të njejtit mashtrues kanë arritur të bëjnë të njejtën gjë me presidentin francez Emmanuel macron, ish Sekretarin e Punëve të Jashtme të Britanisë Boris johnson, Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan etj..”, ka thënë Zaev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat