Deklaratat e Zaev dëshmojnë për kundërshtimin dhe frikën ndaj ndryshimit të kufijve

Aktuale

Deklaratat e Zaev dëshmojnë për kundërshtimin dhe frikën ndaj ndryshimit të kufijve

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 17:22
Hashim Thaçi, Recep Tayyip Erdogan, Zoran Zaev, Edi Rama, Valadimir Putin

Deklarata e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për ndryshimin e kufijve të Kosovës, zbardhi planin sekret që tregon se prapa këtyre qëllimeve qëndrojnë interesat e Rusisë e Turqisë e se orkestrues së saj janë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai serb, Aleksandër Vuçiq me bekimin e Putinit, Erdoganit e kryeministrit Edi Rama. Një deklaratë e tillë që solli në vëmendje edhe një herë këtë ide të rrezikshme, ka ngritur reagime të shumta në vend, e për këtë ka folur edhe vetë Haradinaj. Reagime të ashpra patën edhe nga VV-ja që kërkuan shkarkimin e presidentit. 

I pari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev ra pre e dy komikëve rusë, që këtë të fundit e mashtruan duke u paraqitur si ish-presidenti Ukrainas Petro Poroshenko.

Përmes një telefonave, Zaev duke menduar se po fliste me ish-presidentin, foli edhe për shqetësimin e tij rreth idesë për shkëmbim me territore, ide kjo e proklamuar tash e një kohë nga presidenti kosovar Hashim Thaçi e homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq. Duke menduar se po fliste me Poroshenkon, ai foli për idenë e rrezikshme për kufijtë, derisa shtoi se është bërë nën dakordimin e Thaçit e Vuçiq.

Zaev teksa u shprehur totalisht kundër idesë tha se të njëjtin qëndrim e mban edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e paralajmëroi për shkaktimin e një lufte në Ballkan, nëse një skenar i ri ndodh.

Derisa kryeministri maqedonas pranoi publikisht se kishte rënë pre e mashtrimit nga dy komikët, në deklarimin e tij u tha edhe se zgjidhja e cila po diskutohet në mes të dy vendeve është që 10 komuna të pjesës veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, derisa disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës.

Sot gjatë ditës, heshtjen për paralajmërimin që Zaev dha për fatin e Kosovës e prishi kryeministri Ramush Haradinaj.

Vetë i pari i Qeverisë që ka qenë që nga fillimi kundër kësaj ide u shpreh se askush nuk guxon të ndajë Kosovën, e se vendi do të mbrohet me çdo çmim.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi bashkë dhe jemi të fortë! Askush nuk do të na ndajë.  Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”, shkroi sot Haradinaj përmes Facebook-ut.

Rikthimi në vëmendje të idesë së Hashim Thaçit, u kundërshtua ashpër nga skena politike në vend.

Gazeta Express ka biseduar sot gjatë ditës me deputetin e Alternativës, Ilir Dedën, e i njëjti është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon që Thaçi nuk ka asnjë rol në dialog me Serbinë.

“E gjithë skena politike dhe shoqërore në Kosovë e ka kundërshtuar ndarjen e Kosovës. Për fat të mire, Thaçi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë rol, përpos këshillues, në procesin e dialogut me Serbinë. Ndërsa deklarimet e kryeministrit Zaev tregojnë për kundërshtimin e fuqishëm të shteteve të rajonit tone”, tha Deda.

Tutje, deputeti ka shtuar se mbetet në dorë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të respektojnë vendimin e Kushtetueses.

“Tash i mbetet BE-së dhe SHBA-ve që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që do të thotë të ndihmojnë në sundim të ligjit në Kosovë, duke mos e ftuar më z. Thaçi në takime për dialog me Serbinë”, përfundoi ai.

Njëjtë si deputeti Deda, është shprehur sot gjatë ditës në një prononcim edhe analisti Astrit Gashi.

Mirëpo, Gashi po thotë se tash po flitet për një tentativë që dialogu të rikthehet në tavolinë si opsioni i vetëm i mbetur.

“Ideja nuk është zhdukur, në fakt qysh tani flitet se do të ketë një tentativë për ta rikthyer në tavolinë si opsion të vetëm dhe në këtë ideatorët llogarisin përmes dështimit të secilit proces tjetër negociues të mundshëm. Pra kjo ide mund të ri aktualizohet dhe kjo nuk mund të konsiderohet si e mposhtur tërësisht derisa të mos kemi një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Është e vërtetë që ka pasur goditje dhe momentalisht qëndron jashtë tavolinës së vendimit. Zaev por jo vetëm ai, shumica e shteteve të rajonit ku ka shumë etni i frikësohen kësaj ideje, sepse ajo po që se do të realizohet në mes të Kosovës e Serbisë do të ishte e vështirë të ndalej dhe do të mos preken vendet e rajonit por edhe kudo tjetër në botë”, ka deklaruar Gashi.

Me rastin e publikimit të këtij audio incizimi sot kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Rexhep Selimi deputet i kësaj partie, përmes një konference të thirrur për media ka kërkuar shkarkimin e tij.

Ideja për shkëmbim me territore ishte kundërshtuar ashpër edhe në Samitin e Berlinit, ku pas kthimit nga aty, pjesëmarrësit Haradinaj e Thaçi patën deklaruar se një opsion i tillë nuk e ka mbështetjen e ndërkombëtareve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat