15 milionët e BE-së për sallën koncertale ridestinohen në “Kosova A”

Aktuale

15 milionët e BE-së për sallën koncertale ridestinohen në “Kosova A”

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Prishtina e ka humbur mundësinë që t’i shfrytëzojë 15.4 milionë euro për sallën koncertale. Bashkimi Evropian mjetet e zotuara në kuadër të fondeve IPA do t’i ridestinojë, transmeton Bota sot.

Kësisoj shteti ka humbur mundësinë sivjet të nisë realizimin e një projekti, që do t’i sillte kryeqytetit për herë të parë një sallë koncertale.

Por humbja e mjeteve të zotuara shihet edhe si problem politik. Për Komunën e Prishtinës është Ministria e Integrimeve ajo që e ka sjellë gjendjen deri këtu. Sipas Komunës, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, nëpërmjet një letre, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që 15.4 milionët e zotuar të ridestinohen,  shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa vetë ministrja Hoxha e ka mohuar një letër të tillë, ajo e ka konfirmuar ridestinimin e mjeteve, gjë që e bën të pamundur fillimin për ndërtimin e sallës koncertale.

Gazeta e ka kontaktuar të mërkurën vonë edhe Zyrën e BE-së në Prishtinë. Zëdhënësja Dinka Zhival ka thënë se i duhet kohë ta konfirmojë këtë dhe ka thënë se do të përgjigjen të enjten.

Autoritet qendrore dhe ato lokale nuk kanë qenë asnjëherë të koordinuara për këtë projekt. E pas një viti diskutimesh e debatesh, epilogu ka dalë të jetë negativ. Shteti nuk ia ka dalë që as me donacione ta nisë ndërtimin e objektit kulturor.

Muajin e kaluar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë. Krejt kjo ndodhi pasi autoritetet vendore nuk gjetën lokacion për këtë deponi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat