Hoxhiq: Qytetarët në veri janë viktimë e politikave të larta

Aktuale

Hoxhiq: Qytetarët në veri janë viktimë e politikave të larta

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 11:04
Adrijana Hoxhiq

Adrijana Hoxhiq e cila drejton Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal, thotë se qytetarët në veri të Kosovës janë viktimë e politikave të larta.

Ajo konsideron se të gjithë janë ngopur me politika të larta, dhe që është koha që institucionet të prekin në përmirësimin direkt të mirëqenies së qytetarëve. Në një intervistë për kp, Hoxhiq e cila një kohë ka udhëhequr Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës, flet për shqetësimet e qytetarëve atje, dhe për gjendjen e komuniteteve pakicë në  Kosovë.

Hoxhiq  thotë se nuk është në dijeni që ekzistojnë komuna në vend që nuk i respektojnë ligjet dhe procedurat e Republikës së Kosovës.

Ajo insiston në rritje të bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal, ndërkohë që për kryetarët në veri të cilët muaj më parë dhanë dorëheqje nga posti i tyre në shenjë proteste për taksën 100 përqind nga Qeveria e Kosovës, thotë se ishin vendime politike, por që përsëri kjo është zgjedhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në veri.

Hoxhiq: Në veri qytetari i thjeshtë është viktimë e politikave të larta

“Sa i përket veriut, qytetari i thjeshtë është viktimë e politikave të larta. Të gjitha këto vendime që i kemi pasur, e përmendet edhe vet, kryetarët të cilët kanë dhënë dorëheqje, kanë qenë vendime politike, por i kemi pasur zgjedhjet lokale prapë, me ligjet e Kosovës, dhe prapë tre prej kryetarëve në veri janë personat e njëjtë që e kanë fituar besimin nga qytetarët”, thotë ajo.

Kryetarët e komunave në veri të cilët kishin dhënë dorëheqje, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 19 majit përsëri nuk kishin përjashtuar mundësinë e braktisjes së posteve të tyre. E për këtë, Hoxhiq thotë se nuk e di çka mund të ndodh,  por që këshillon kryetarët e komunave që të kuptojnë postin të cilin e kanë fituar, që sipas saj besimi i qytetarëve duhet të respektohet.

Ajo thotë se vazhdimisht bisedon me qytetarët në veri, të cilët i flasin për problemet rreth jetesës së tyre dhe mirëqenies, por thekson se janë të ngopur me politika të larta.

Sipas saj, vëmendja duhet të vihet në infrastrukturë gjeneralë që ka ndikim direkt në bashkëjetesë.

Hoxhiq: Njerëzit në veri duan të jetojnë në qytetin ku janë lind

“Unë jam lind në Mitrovicën Veriore, dhe tërë jetën e kam aty, kam dy fëmijë, dhe brenga ime është e ardhmja e fëmijëve. Kam qenë në vet-qeverisje lokale, tani jam në Ministri ,dhe më të vërtetë dua të punoj transparent, mirë, dua të jem në shërbim të secilit qytetar, sepse besoj nuk ka nderë më të madh sesa të jesh në shërbim të qytetarit, fqinjëve, ku je rritë ku jeton, ku e planifikon të ardhmen e fëmijëve.... Njerëzit duan të jetojnë në qytetin ku janë lind, ku kanë shoqëri, kanë familje, ku edhe prindërit e tyre kanë dhënë kontribut, pse në fund unë të shkoj nga Mitrovica, pse, ose kushdo tjetër”, thotë ajo.

Hoxhiq e cila ende nuk i ka bërë 100 ditë si ministre e Pushtetit Lokal, thotë se si udhëheqëse e këtij dikasteri synon rritjen e transparencës në komuna, bashkëpunimin me të rinjtë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrje.

Ajo pranon që në komunat në veri mungon transparenca sa i përket deklarimit në ëeb-faqet zyrtare, të cilat nuk përditësohen, e që sipas saj kjo ndodh për çështje politike. Por konsideron që edhe në veri ekziston transparencë, por jo e plotë, sikur në të gjitha komunat e Kosovës, që sipas saj ka ende hapësirë për përmirësime.

Hoxhiq:  Kuvendet komunale dhe ekzekutivi duhet të bashkëpunojnë brenda tërë mandatit

“Besoj që mundemi me ndryshu shumë sa i përket komunikimit ndërmjet kuvendeve, do të thotë ekzekutives dhe legjislaturës, kuvendet komunale dhe bashkëpunimi me kryetarë të komunave dhe stafin e tyre. Besoj që në të gjitha komunat, shumicën e komunave në Republikën e Kosovës e kemi këtë proces si sfidë. Nëpër disa komuna vërtetë e kemi një ndjenjë që zgjedhjet dhe garat zgjedhore vazhdojnë tërë mandatin, katër vite, kjo është diçka që nuk duhet të ndodh. Si të kryhen zgjedhjet lokale, dhe e kemi më në fund kryetarin e komunës në njërën anë me ekipin e tij, dhe në tjetrën anë Kuvendin Komunal, kuvendi dhe ekzekutivi duhet të bashkëpunojnë brenda tërë mandatit sikurse një ekip”, thotë ajo.

Ndërsa për komunitetet pakicë në Kosovë, Hoxhiq thotë se për integrim të mirëfilltë mund të flitet vetëm kur janë të gjitha komunitetet të integruar nëpër shkolla, spitale, komuna dhe institucione të Kosovës.

Sipas saj, disa ligje për pakicat në Kosovë janë “copy paste” nga shtetet evropiane në rajon, por që nuk mund të aplikohen në Kosovë meqë nuk janë të përpunuara për një mentalitet të tillë.

Hoxhiq pranon se në Kosovë, në fokus janë shqiptarët dhe serbët, ndërkohë mbesin anash komunitetet e tjera pakicë.

Ankesat e komuniteteve të tjera, se po mbesin jashtë institucioneve, ajo i konsideron të qëlluara.

Hoxhiq: Në shumë procese përmendet shqiptarët dhe serbët, të tjerët janë të harruar

“Në shumë procese, sidomos në ato që ndërlidhen me marrëveshjet e Brukselit, gjithmonë kemi pas diskutime dhe tema që përmendet komuniteti shqiptar dhe serb, kurdë të tjerët janë tërësisht të harruar, dhe duke u nisur nga ky fakt besoj që politikat të ne janë më tepër politika të larta, të cilat nuk i marrin parasysh jetën e cila ndodh prej ditës ndodh prej ditës në ditë, jeta e cila prek secilin komunitet që jeton në Kosovë, kështu që ndoshta komunitetet e tjera edhe e kanë më vend”, thotë Hoxhiq.

Ajo thotë se duhet t’u ipet hapësirë të gjitha komuniteteve që të jenë pjesë e institucioneve.

Sipas saj, njerëzit që reprezentojnë komunitetet duhet të luftojnë asimilimin dhe t’i ikin nepotizimit, që sipas saj është një anomali shoqërore që ekziston në të gjithë Ballkanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat