Hooper: Merkeli bllokoi planet e Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh - Bota Sot
Hooper: Merkeli bllokoi planet e Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh

Aktuale

Hooper: Merkeli bllokoi planet e Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 17:25
Thaçi, Vuçiq Mogherini

“Vizita e presidentit francez, Emmanuel Macron (në Serbi) ka për qëllim konsolidimin e marrëdhënieve ndërshtetërore franko-serbe, por gjithashtu me detyrë gjetjen e një mundësie për rinovim të dialogut serbo-kosovar”, thotë James Hooper, ballkanolog dhe ish-diplomat i lartë amerikan.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Hooper thotë se Macroni do të shkojë në Beograd me iniciativë të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila – siç thotë ai – ka bllokuar marrëveshjen, të cilën praktikisht dy palët veçse e kishin pranuar.

“Në gjithë këtë ndodhi një diçka e pabesueshme, liderët serbë dhe kosovarë arritën një koncept, i cili kishte të bënte me demarkacionin e kufijve, e cila përfshinte edhe një ndryshim relativisht të vogël të territoreve, por këtë nuk e pranuan evropianët. Dy liderët në parim u pajtuan për marrëveshjen, por evropianët e refuzuan atë, e më së shumti Gjermania, qëndrimi i së cilës është vendimtar. Për mua kjo është e pabesueshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse të refuzohet, ndërsa nuk është ofruar asnjë zgjidhje alternative. Pas kësaj, kancelarja gjermane Angela Merkel ia la në dorë Macronit që të shohë nëse ekziston ndonjë mënyrë që marrëveshja e arritur mund të ndryshojë në ndonjë proces tjetër i cili do të çonte në një marrëveshje të re”, theksoi ai.

Eksperti amerikan shton se Gjermania defakto është koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili “ka bllokuar marrëveshjen në Kosovë duke luajtur me kartën nacionaliste”...

“… ndërsa kancelarja Merkel e ka bllokuar marrëveshjen brenda Bashkimit Evropian, në samitin e paradokohshëm të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Ka zhvilluar një bisedë goxha të rëndë me Aleksandar Vuçiqin dhe mendoj se aty ka marrë fund ajo marrëveshje në të cilën Thaçi e Vuçiqi thanë shumë mund. Jam i bindur se marrëveshja do të arrihej dhe kjo të afronte Serbinë me anëtarësim më të shpejtë në BE, sikurse besoj që edhe Kosova do të anëtarësohej më lehtë në OKB”.

Hooper thotë se debakli në Berlin nënkupton edhe fundin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në tërësi. Ai po ashtu deklaron se marrëveshja gjithëpërfshirëse nuk ka alternativë, e cila sipas natyrës së saj kërkon një rregullim territorial, të cilin Merkeli e refuzon si pjesë të zgjidhjes.

“Tash BE-ja e ka në dorë. Macronit i është lënë ‘patatja e nxehtë’ që të gjejë nëse marrëveshja gjithëpërfshirëse ka alternativë, të cilën dy palët e patën. Sepse tani e kemi situatën ku e tërë ideja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse është hedhur poshtë. Provojnë të gjejnë zgjidhje tjetër, por nuk ekziston një e tillë. Për dallim nga evropianët, administrata amerikane është e vetëdijshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit duhet të përfshijë shkëmbim të caktuar territori. Realiteti është se nuk ka vend për zgjidhje të pjesshme. Ju kujtohet marrëveshja e Brukselit, në qendër të së cilës ka qenë formimi i Asociacionit të komunave serbe, të cilën marrëveshje e kishte arritur më 2013 Catherine Ashton, paraardhësja e Federica Mogherinit. Ajo marrëveshje ka vdekur, sepse pala kosovare nuk ka dashur ta pranojë”.

Hooper deklaron po ashtu se Gjermania ende s’e ka mësuar leksionin e rëndësishëm, dhe se Macroni, pas vizitës në Beograd, do të tregojë nëse edhe Franca është e vetëdijshme për këtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...