“Buxhovi e tha një të vërtetë të madhe, ja nga kush po i vijnë kërcënimet”

Aktuale

“Buxhovi e tha një të vërtetë të madhe, ja nga kush po i vijnë kërcënimet”

Nga: A.ZH Më: 14 korrik 2019 Në ora: 13:43
Jusuf Buxhovi

Edhe opinionisti Skender Mulliqi, ka reaguar ndaj kërcënimeve që po i bëhen historianit Jusuf Buxhovi, pas deklaratës së tij se UÇK-ja ishte e drejtë, por nuk ishte krejt e pastër.

Mulliqi ka thënë se kërcënimet po vijnë nga ata, të cilët sipas tij, i kanë bërë keq Kosovës qe shumë vite, duke kërcënuar edhe ata që marrin guximin qytetar, përcjell Bota sot.

Sipas tij, Buxhovi, nuk ka thënë diçka të re, por ka përsëritur, atë që e kanë thënë edhe shumë gazetarë të “Bota Sot”, për vrasjet për motive politike.

Mulliqi ka theksuar se kërcënimet dhe shantazhet politike veç sa e keqësojnë situatën politike dhe të sigurisë, sipas tij, edhe ashtu të brishtë.

Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, duke thënë se ky i fundit ka reaguar pa të drejtë ndaj Buxhovit.

Sipas Mulliqit, Buxhovi nuk ka shpifur, por ka thënë një të vërtetë të madhe për njerëzit në krye të LDK-së së sotme.

Reagimi i plotë i Mulliqit:

Ata të cilët i kanë bërë keq Kosovës qe shumë vite, janë ngritur sërish peshë, duke i kërcënuar të gjithë ata që marrin guximin qytetar, që t’ua qesin të palarat e tyre.

E dinë fortë mirë që akademiku i respektuar Jusuf Buxhovi, nuk ka bërë akuzë kundër UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare, por e ka pasur fjalën sigurisht për individë të caktuar, të cilët e keqpërdorën luftën në çdo formë për interesa personale.

Intelektuali dhe njëri ndër themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi, nuk tha diçka të re, por e përsëriti atë që tash e shumë kohë më herët e ka thënë edhe ai, por edhe shumë gazetarë të “Bota Sot”, për vrasjet për motive politike. Tek e fundit secili ka të drejtë t’i paraqes pikëpamjet e tij politike, edhe z. Buxhovi në emisionin e KTV-së, Rubikon.

Tendencat për linçim politik, por edhe kërcënimet nuk i hanë më pazari. Kërcënimet dhe shantazhet politike veç sa e keqësojnë situatën politike dhe të sigurisë edhe ashtu të brishtë...

Mos të shfrytëzohet fjalimi i Buxhovit për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit të gjerë publik, nga ngjarjet e pa mira politike dhe rrjedhat e dobëta ekonomike -sociale, papunësinë enorme dhe largimet masovike nga Kosova.

Kjo klasë politike me disa përjashtime të vogla ka dështuar dhe po bën çdo gjë, që sërish të mbetet në pushtet duke bërë fushatë, se po vjen era zgjedhje të parakohshme ...

Nuk e la pa e kritikuar Buxhovin edhe Isa Mustafa, pa asnjë të drejtë, kur dihet se cilës nomenklaturë vepruese politike i ka takuar në të kaluarën jo të largët... Mustafës nuk i ka pasur hiç hije kritika e pa bazuar, se, z.Buxhovi nuk ka shpifë asgjë, pos që ka plasuar një të vërtetë të madhe , kur bëhet fjalë për njerëzit në krye të LDK-së së sotme, që kanë pranuar të bëhen bisht i PDK-së, se për të tjerët dihet çka dhe si flasin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat