Mimoza Kusari tregon me kë pritet të bëjnë koalicion dhe për kënd kanë vija të kuqe

Aktuale

Mimoza Kusari tregon me kë pritet të bëjnë koalicion dhe për kënd kanë vija të kuqe

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 15:24
Mimoza Kusari-Lila

Qëndrimet pro ekipit negociator kanë ndikuar që Ilir Deda, një nga themeluesit e partisë Alternativa, të distancohet po nga kjo parti, pasi që anëtarët e tjerë kishin qenë kundër, duke përfshirë edhe kryetaren Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se kryesia e partisë nuk e ka mbështetur ligjin për dialogun dhe ekipin negociator, por që nënkryetari Ilir Deda kishte qenë pro.

Ajo thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tregon se kush ka vepruar në mënyrë të duhur.

Kusari-Lila: Qëndrimet pro ekipit negociator e kanë distancuar Dedën nga organet e partisë

“Në momentin kur janë vërejt dallimet në raport me qëllimet për ekipin negociator dhe dialogun me Serbinë, njëri prej themeluesve apo bashkë-themeluesve, Iliri ka pasur mendim ndryshe dhe tash më konfirmimi të qëndrimit edhe nga Gjykata Kushtetuese, po mendoj që nuk ka dilema se cili ishte veprimi i drejtë. Ne nuk e kemi mbështet votimin e ligjit për dialogun, dhe as ekipin negociator në formacionin i cili ka qenë, por ajo ka qenë një temë nuk ka shkuar pa lënë një gjurmë edhe në Alternativë, që ka sjellë distancimin e Ilirit nga organet e partisë, për shkak se ka qenë i bindur që duhet të jemi pjesë dhe se është gjëja e duhur të bëhet për vendin, që doli të ishte gabim”, thotë Kusari.

Kusari tha se Deda ka qenë vetëm në një mbledhje të kryesisë kur është diskutuar e ardhmja e subjektit në raport me bashkëpunimin me partitë tjera, ndërsa në mbledhjet tjera nuk ka marrë pjesë.  

Ajo potencon se Alternativa është duke e vazhduar aktivitetin e saj, teksa ka folur për vështirësitë të cilat po i hasin.

Ajo ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës që nga shtatori i vitit të kaluar ka ndalur fondin e demokratizimit për Alternativën, si rrjedhojë e daljes së saj dhe deputetit Ilir Deda nga grupi parlamentar i LDK-së.

Kusari: Janë mbledhur diku 50 mijë euro që nuk na janë dhënë

“Është mjaftë e rëndë për ne, për shkak se deri më tani janë mbledhur ose akumuluar diku 50 mijë euro vlerë të cilat nuk i kanë dispurzu. Do të thotë që nga tre mujori i tretë i vitit 2018 kanë dal pagesat, ato mjete janë tek LDK-ja, do të thotë ata marrin mjete për dy deputet që nuk janë me ta, në kundërshtim me marrëveshjen që e kemi edhe pse në marrëveshje nuk shkruan askund që  quhet të jemi në një grup parlamentar dhe kjo ka qenë deklarata edhe e kryetarit Mustafa në gusht të vitit 2018 kur i kemi komunikuar që kemi vendosur ta dalim, për të rritur subjektivitetin e partisë. Qëndrimi i tij ka qenë që nuk kemi pasur obligim edhe deri tash me qëndrua në grup, ne kemi pasur një marrëveshje për të qeverisur, jo për opozitë, por LDK do të vazhdojë t’iu mbështesë. Do të thotë ka qenë shumë miqësor diskutimi, komunikimi dhe e kemi pasur një bindje shumë pozitive pas atij takimi, pastaj me një telefonatà « z.Zharku i cili nëse nuk gaboj është përgjegjës për financa të LDK-së, më ka komunikuar që është vendim i disa anëtarëve të kryesisë që të ndalim fondin e Alternativës, pa ndonjë shkresë, pa ndonjë komunikim formal. Ne konsiderojmë që të kushtëzohemi në këso forma me buxhetin e shtetit është e padrejtë, ne jemi duke shikuar edhe rrugët ligjore që të kemi këtë të drejtë”, deklaroi ajo.

Ajo ka treguar se nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është vendosur kushti se nëse dëshirojnë fondin duhet të kthehen në grup parlamentar, e për këtë Kusari thotë se është absurde.

Alternativa në zgjedhjet e fundit ka kandiduar në një listë me LDK-në, e në rast të zgjedhjeve të reja, Kusari tregon se për kë kanë vija të kuqe.

Kusari: Vijat e kuqe janë duke u krijuar natyrshëm me këto parti që janë sot në pushtet

Vijat e kuqe janë duke u krijuar natyrshëm me këto parti që janë sot në pushtet, se aq shumë e kanë degradua sa nuk e di a mundet me i besua dikush nëse ata thonë po ne kemi me ndryshua, kemi me qenë ndryshe. Për arsye se sot, sinqerisht ju them, të gjitha partitë në pushtet pa përjashtim i shoh të njëjta, se të njëjtin standard të veprimit e kanë. Partitë që janë në opozitë, tash ne po i kemi këto problemet tona të mosmarrëveshjeve me LDK-në që kanë të bëjnë me funksionimin e mirëfilltë të partisë që nuk është diçka që e kërkojmë jashtë standardit, por e kërkojmë atë që na takon. Por, që prapë po them nëse jemi të dakorduar rreth një programi qeverisës, rreth parimeve të njëjta e shohim bashkëpunimin edhe me LDK-në edhe me LVV-në, nesër nëse kanë ndryshim në qasje edhe me PSD-në. Por, assesi ose me shumë pak vullnet ose hapësirë të veprimit me partitë në pushtet”, tha ajo.

Ajo është shprehur e bindur se nëse partitë opozitare bashkëpunojnë suksesi në zgjedhje nuk do të mungojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat