Përplasen Tahiri dhe Haxhiu, shkak noterët

Aktuale

Përplasen Tahiri dhe Haxhiu, shkak noterët

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 12:00
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar në Komisionin për Legjislacion

(E plotësuar) - Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj ka përplasur sot deputetët e Komisionit për Legjislacion me ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, të cilët e kanë akuzuar ministrin se i gjithë procesi për noterët e rinj është bërë për nevoja të PDK-së.

I gjithë raportimi i ministrit për këtë temë është përcjellë me përplasje në mes tij dhe kryetares së Komisionit për Legjislacion e cila vjen nga Lëvizja Vetëvendosje Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit së pari ka kërkuar të dijë se kush janë anëtarët e Komisionit për Provimin e Noterisë, ku në përgjigjen e tij ministri Tahiri bëri të ditur anëtarët dhe zëvendësit e tij. Në këtë komision ai tha se kanë qenë Nehat Idrizi, Frosina Sylejmani, Merita Kostanica, Arsim Avdija, Elbasan Dervishaj, Burbuqe Spahija, Haxhë Qorraj, Arsim Bibaj, Nergjivane Dauti, Bashkim Preteni dhe sekretar Labinot Gashi.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se testimit të noterisë i janë nënshtruar 600 persona, prej të cilëve 230 e kanë kaluar fazën e parë të testimit me shkrim dhe nga ky numër 175 persona janë që e kanë përfunduar provimin në të dyja fazat.

Tahiri: Kam kërkuar që detyrat të përgatiten dy orë para mbajtjes

“Kam kërkuar që detyra nga pesë profesionistë nuk do të kërkohet një ditë për të përgatitur një detyrë për një grup dhe pikërisht në bazë të asaj që të kemi një proces ku nuk do të rrjedhin informacione jashtë, kam kërkuar që detyra të përgatitet 1 orë ose 2 orë para organizimit të provimit... Ky komision e ka hartuar detyrën diku rreth 1 orë ose 2 orë para organizimit të provimit, është printuar detyra në Akademinë e Sigurisë në Vushtrri dhe organizimi i provimit të parë me shkrim ka qenë i ndarë në tri grupe. Do të thotë 600 persona sa i janë nënshtruar provimit, çdo 200 janë ndarë në tri grupe ditën e shtunë dhe ditën e diel, pra kanë qenë tri grupe të cilat i janë nënshtruar këtij provimi”, tha Tahiri.

Debat në mes ministrit dhe  deputetes Haxhiu ka ngjallur që disa anëtarë të Komisionit për provim të Noterisë  kanë pasur anëtarë të familjes që i janë nënshtruar provimit të noterisë.

Ministri Tahiri ka akuzuar deputeten Haxhiu se ka probleme elementare sa i përket njohurive të këtij procesi.

Haxhu-Tahiri: Nëse anëtarët e komisionit kanë pasur familjarë a ka konflikt interesi

“Nëse kryesuesi i komisionit Nehat Idrizi e ka pasur renë e tij kandidate dhe e cila tashmë ka arritur të kalojë edhe provimin me shkrim po edhe me gojë, nëse Elbasan Dervishaj e ka pasur balldëskën Kaltrina Hysenaj, nëse z.Merita Kostanica i ka pasur miq dhe zyrtarë që punojnë në zyrën e saj dhe nëse këta anëtarë të komisionit i kanë përgatitur detyrat, a është kjo konflikt interesi. Tahiri: Jo, a e din kontrollë n e detyrës qysh është. Haxhiu: Kush i ka caktuar detyrat, thatë që anëtarët e komisionit, nëse ata kanë pasur familjarë të tyre që i janë nënshtruar këtij provimi me shkrim atëherë kjo është konflikt interesi. A jeni konsultuar me Agjenicë Anti-korrupsion në këtë fazë. Tahiri: Ti shumë procese nuk po i din dhe ki probleme elementare. Haxhiu: Nuk ki të drejtë me thënë a i di apo jo. Dëgjo ministër, nëse ju keni lejuar si ministër i Drejtësisë që njerëzit e komisionit që familjarët e tyre kanë qenà « kandidat në provim me shkrim e pastaj me gojë kjo është konlfikt interesi. Ti po thua dy-tri orë përpara, mjafton një sekondë me i thënë që është kjo detyrë”, vazhdoi debati mes tyre.

Tahiri tha se të gjithë kandidatët në testim kanë pasur një kod, i cili nuk ka qenë i ditur për anëtarët e komisionit.

 Ai tha se sekretari i Komisionit ka qenë i vetmi që e ka ditur se cili kod i takon secilit, e vetëm pasi që janë kontrolluar testet janë përkthyer kodet në emra.

Haxhiu-Tahiri: Nëse ju nuk keni marrë mendim të AKK-së ky proces duhet të kthehet në pikën zero

“Nëse ju nuk keni marrë mendim të Agjencionit Kundërkorrupsion ky proces duhet me u kthye në pikën zero. Tahiri: Absolutisht, vetëm gjykata mundet me e kthye në pikën zero. Haxhiu: Provimi i noterisë organizohet, mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe objektivitetit me qëllim. Tahiri: I ka pasur të tria. Haxhiu: Nuk i ka pasur, asnjërën. Në momentin që ata kanë pasur konflikt interesi bie ndesh me ligjin dhe kthehet në pikën zero. Tahiri: Vetëm një institucion mundet ta kthej në pikën zero këtë proces, vetëm gjykata. Nuk ka të drejtë asnjë person fizik me iu kërkua 600 njerëzve që e kanë bërë pagesën prej 100 euro me iu nënshtrua këtij testi nuk ka të drejtë askush me iu thënë, harrojeni, nuk mundesh me e obligua komisionin me krye punën e njëjtë, këta duhet me u pagua për punën që e bëjnë. A u shkel ligji e thotë gjykata e jo ti. Vetëm gjykata mundet me vendos nëse nj ë proces i tillë kthehet në pikën zero. Haxhiu: Nëse për 6 ditë janë kontrolluar 600 teste qysh ka pasur mundësi, një detyrë i ka pasur deri në 15 faqe. Tahiri: Ki telashe shumë serioze. Haxhiu: Nuk perceptohet, është absurde”, vazhdon debati mes tyre.

Deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, ka pyetur ministrin se si shpjegohet që nga 600 persona 60 që kanë hyrë në rreth të përzgjedhjes janë njerëz që kanë lidhje me PDK-në. Por, ministri Tahiri në përgjigjen e tij tha se nuk janë 60 njerëz që kanë lidhje me politikën, por janë 60 njerëz që në një formë e kanë gjet një lidhje. Ai tha se njerëzit që më së shumti e kanë kaluar provimin e noterisë janë persona që kanë punuar në zyre të noterisë.

Kurse, deputeti i Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi, e ka pyetur ministrin se nëse sipas udhëzimit administrativ parashihet që testi të mbahet në një ditë, pse është organizuar në dy ditë. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha se është organizuar testimi në dy ditë për shkak të numrit të madh të kandidatëve që i janë nënshtruar testimit.

Ministri është pyetur edhe për përzgjedhjen e dy noterëve që kanë qenë pjesë e komisionit, ku ai tha se është përzgjedhur noterja Merita Kostanica për shkak se ka marrë pjesë në intervistimin e shumë personave që punojnë në Ministrinë e Drejtësisë e që paguhen nga Mbretëria e Bashkuar.

Deputeti i LDK-së Arben Gashi, e ka pyetur ministrin se a ka pasur ndonjë rast që është paraqitur si konflikt interesi. Në përgjigjen e tij, ministri Tahiri tha se janë tetë raste që janë paraqitur si konflikte të interesit, e që ai tha se këto raste janë shmangur.

Tahiri: Nga bartësit e këtyre lëndëve janë paraqitur 8 raste të konfliktit të interesit

“Nga bartësit e këtyre lëndëve janë paraqitur 8 raste të konfliktit të interesit, do të thotë para fillimit të organizimit të provimit të noterisë janë paraqitur 8 raste të konfliktit të interesit dhe sipas raportimit të sekretarit të komisionit këto raste janë shmangur në momentin siç e parasheh edhe ligji. Pra, rastet janë deklaruar në kohën e duhur. Detyra është përgatitur 1 orë përpara, 8 njerëz e kanë deklaruar konfliktin e interesit me njerëz të cilët në nj formë ose tjetrën kanë relacion me ta. janë 8 raste prej 600 njerëzve që i janë nënshtruar testimit e që e kanë njoftuar konfliktin e interesit. Kjo tash mbetet normalisht në përgjegjësinë e gjithsecilit pra a bie ndesh me ligjin ajo që e ke bërë si veprim i juaji, apo është konform ligjit. Normalisht unë nuk jam instancë që e rregulloj një gjë të tillë dhe kam kërkuar që të shmangin rastet e tilla”, tha ai.

Ai tha se këto raste nuk e cenojnë procesin pasi këto raste janë shmangur, ai tha se kur është pyetur personi që ka pasur konflikt interesi pyetjet janë shtruar nga zëvendësi i tij.

Përplasja në mes ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri dhe deputetes Albulena Haxhiu ka vazhduar edhe për çështjen se a duhet të anulohet i gjithë procesi i rekrutimit të noterëve të rinj. Haxhiu e ka akuzuar ministrin Tahiri se i gjithë procesi është bërë për nevoja të partisë së tij.

Haxhiu: Provimi i noterisë duhet të kthehet në pikën zero

“Unë mendoj që nëse do ta vlerësonit drejtë këtë situatë, e që po shihet që nuk e keni bërë drejtë se keni pasur motive të caktuara. Tahiri: Ti nuk ki argumente me ofrua që nuk e kemi bërë drejtë. Haxhiu: Nëse ju keni qenë në dijeni se anëtarët e komisionit kanë konflikt interesi ju është dashur që t’i ndryshoni anëtarët e komisionit për të sjellë një proces edhe transparent, edhe të drejtë dhe të besueshëm. Këtë proces e keni bërë për nevoja e juaja partiake e personale besa, për shkak se jeni në dijeni se çfarë përgjegjësie kanë noterët edhe sa i përket rasteve që janë në proces gjyqësor, verifikimin e pronave e të tjera. Po e shihni se nuk keni ku punësoni njerëz në administratën shtetërore tash keni gjetur profesionet e lira t’i mbushni në bazë të kalkulimeve tuajat. Një proces ku afër 100 persona janë ose njerëz të PDK-së ose njerëz familjarë të noterëve ose fëmijë të noterëve. Ky proc es duhet të kthehet në pikën zero, e ka kërkuar edhe shoqëria civile që ky proces me u kthye  në pikën zero. Provimi i noterisë duhet të kthehet në pikën zero”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit është diskutuar edhe për kërkesat e administratës së sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave. Sa i përket kësaj të fundit, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, deklaroi se është një ligj që beson që Gjykata Kushtetuese do ta kthejë si anti-kushtetues pasi sipas tij nuk e reflekton barazinë e pushteteve që e përcakton Kushtetuta e vendit.

Për këtë ligj Tahiri tha se i ka shkruar kërkesë presidentit të vendit Hashim Thaçi, që të bëjë kthimin e ligjit në lexim të tretë, por që si kërkesë ishte refuzuar.

Ai bëri të ditur se së bashku me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial kanë arritur t’i ofrojnë të gjitha argumentet e tyre dhe që gjatë kësaj jave do të shkojë një shkresë tek Avokati i Popullit me argumentet pse ky ligj është antikushtetues.

Përplasje e ashpër mes Haxhiut e Tahirit në Komision

Rekrutimi i noterëve të rinj ka përplasur deputetët e Komisionit për Legjislacion me ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri.

Ky i fundit ka deklaruar se i gjithë procesi ka shkuar në rregull. Ai bëri të ditur se numri i përgjithshëm që i janë nënshtruar testimit është 600.

"Numri i përgjithshëm që iu kanë nënshtruar testit të noterisë ka qenë 600. Sot është afati i fundit për ankesa. Numri final do të jetë 175 që e kanë kaluar provimin. Sa i përket provimit kam kërkuar që detyra të përgatitet dy orë para provimit. Kam kërkuar që të ketë masa të sigurisë së madhe që të mos dëmtohet një proces të tillë. Të gjitha këto konkurse kanë qenë publike. Për tri grupe janë përgatitur 3 pyetje", tha ai.

 Kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu, ka deklaruar se i gjithë procesi është i kompromentuar dhe është bërë për nevoja partiake të PDK-së.

"Këtë proces e keni bërë për nevoja partiake", tha ajo.

Ndërkohë Tahiri bëri të ditur se kanë 8 raste që janë paraqitur të konfliktit të interesit, por që ai tha se janë shmangur.

"Janë paraqitur 8 konflikte të interesit. Dhe sipas raportimit këto raste. 8 njerëz e kanë paraqitur konfliktin e interesit, qoftë lidhje familjare, apo që kanë punuar bashkë. Kjo mbetet në përgjegjësinë e gjithsecilit. Përgjegjësia është e gjithsecilit prej tyre. Unë kam kërkuar konform ligjit dhe të shmangen këto raste. Normalisht që nuk e cenon se është shmangur në momentin kur ata janë pyetur. Detyrat kanë qenë me kode", tha ai.

Deputetët kanë kërkuar përgjigje se si është e mundur që shumica e personave që kanë kaluar provimin janë të afërt me PDK, gjë që ministri e ka mohuar.

Image

***

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar në Komisionin për Legjislacion lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues që lidhen me Ligjin e Pagave.

Ministri Tahiri i ka hedhur poshtë deklaratat dhe kritikat se nuk janë plotësuar kërkesat e administratës së sistemit të drejtësisë.

Ai tha se për punëtorët që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është zgjidhur problemi i udhëtimit.

“Kjo ka qenë koha e duhur me iu përgjigj ftesës suaj për me pasë çka me diskutu, është e pavërtetë që thoni se nuk janë plotësuar kërkesat e administratës së sistemit të drejtësisë. Njerëzit që punojnë në Pallatin e Drejtësisë e kanë pasur problem udhëtimin sepse nuk ka pasur linja të rregullta për në atë pjesë, një pjesë e madhe e administratës që e shfrytëzojnë transportin urban tashmë e kanë falas udhëtimin deri tek Pallati i Drejtësisë që kap disa pika të linjave që dërgohen në Pallatin e Drejtësisë dhe pas përfundimit të punës kthen prapa”, tha ai.

Tahiri tha se me Ligjin e Ri të Pagave ka rritje, por jo në nivelin që janë kërkuar, sepse sipas tij ka diskriminim të gjyqësorit.

“Këtu ka diskriminim të madh me gjyqësorin, kemi nxjerrë një dispozitë që u siguron të marrin paga si trusti pensional. Ky ligj nuk reflekton pushtetet e barabarta që i garanton Kushtetuta e Kosovës dhe shpresoj se Avokati i Popullit do ta dërgoj tek Gjykata Kushtetuese sepse gjyqësori është diskriminuar me këtë ligj. Pagat nuk janë rritur për shërbimin korrektues siç kemi kërkuar sepse duhet të nivelizohet me Policinë”, tha Tahiri.

***

Ndonëse kaluan më shumë se 30 minuta debati më i ashpër deri tash në Komisionin për Legjislacion ishte në mes të Ministrit dhe deputetes Haxhiu.

Kryetarja e këtij komisionit Albulena Haxhiu më ashpërsi i ka thënë Ministrit Tahir se ai nuk është vetëm Ministër i Prokurorisë dhe Gjyqtarëve.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë në bisedë e sipër rreth kërkesës së Administratës së Shërbimeve Korrektuese.

” jeni ministër i drejtësisë dhe jo vetëm i Gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në vazhdimësi flisni për pagat e Prokurorëve por asnjëherë s’flisni për Administratën. Kur do ta procedoni ligjin për Administratën”, tha ajo.

Por Ministri Tahiri i ka thënë Kryetares Haxhiu se shkresa e sindikatës së  tyre dhe deklaratës së Haxhiut është e kundërt.

“Unë jam edhe Ministër i tyre. Këqyre shkresën zyrtare dhe unë e takoj sindikatën është e kundërta e asaj qka e flet ti”, tha Tahir.

Kujtojmë se Ministri Abelard Tahiri është duke raportuar para Komisionit për Legjislacion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat