Deputetët me qëndrime të ndryshme për mos akreditimin e disa universiteteve

Aktuale

Deputetët me qëndrime të ndryshme për mos akreditimin e disa universiteteve

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 12:17
Kuvendi i Kosovës

Pas vendimit të Këshillit Shtetërorë për Cilësi për mos akreditimin e tri Universiteteve publike, atij në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, si dhe disa universiteteve private, kanë reaguar edhe deputetët e komisionit për arsim në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se nëse Këshilli Shtetërorë për Cilësi ka vepruar duke u bazuar në ligj, atëherë e mbështet vendimin e tyre.

“KShC është i pavarur, ata duhet të veprojnë bazuar me ligj. Dhe derisa veprojnë bazuar në ligj, mendoj se për komisionin për arsim dhe për mua si deputet, është çdo gjë në rregull”, ka thënë ai.

Kurteshi ka folur edhe për disa nga reagimet e zyrtarëve shtetëror lidhur me këtë vendim.

“Kushdo që e konteston vendimet e tyre, duhet vetëm me e pa a janë ato vendime të bazuara apo janë subjektive. Nëse janë subjektive, duhet t’i kundërshtojmë, nëse janë të mbështetura me ligj duhet të përkrahen, sepse në fund të fundit Këshilli Shtetërorë për Cilësi është themeluar që ta mbrojë cilësinë e arsimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas anëtarit të këtij komisioni, Abdyl Salihu nga PDK, ky veprim është në dëm të arsimit.

“Vendimi i marr nga KShC për mos akreditimin e këtyre universiteteve është dëm për arsimin. Sa investimi është bërë në arsim në të gjithë Kosovën, që të avancohet arsimi, të hapen universitete, të krijohen kuadro, pa dyshim që është në dëm të arsimit”, ka thënë ai për Telegrafi.

Sipas tij edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj ishte i duhur.

“Reagimi i kryeministrit është i drejt sepse dikush duhet të flas në këtë vend, dikush duhet ta thotë atë që duhet. Tani do të ketë reagime të shumta për këtë vendim”, është shprehur ai.

Ndryshe ndaj deklaratës së kryeministrit Haradinaj, ka reaguar edhe  Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), i cila ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të informimit të Kryeministrit Haradinaj dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mos akreditimit institucional të universiteteve publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Në reagimin e ORCA thuhet se mos akreditimi institucional do të thotë pamundësim i regjistrimit të studentëve vetëm për këtë vit, ndërkohë që këto institucione do të vazhdojnë të punojnë normalisht madje duke u përgatitur për aplikim për akreditim sërish vitin e ardhshëm.
“Si Kryeministër i vendit zt. Haradinaj në vitin 2018 ia ka dhuruar Kosovës përjashtimin nga EQAR dhe degradimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimin në Asociancionin Europian ENQA, nga “anëtar” në “anëtar nën vëzhgim”. Kjo ka ndodhur si pasojë e shkarkimit të bordit të kaluar të Agjencisë. Si rrjedhojë, Agjencia e Kosovës për Akreditim në shtator të këtij vitit do ta marrë vendimin përfundimtar për vazhdim apo jo të anëtarësisë në ENQA. Ndërhyrja e sotme nga Kryeministri, e dyta me radhë, qoftë edhe si deklaratë, tashmë e rrezikon Agjencinë për përjashtim nga Asociacioni Europian ENQA”, thotë ORCA.

Ndryshe sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se reagimi i tij ka ardhur për shkak të familjeve që kanë jetë mesatare dhe të atyre të varfra, pasi që sipas tij fëmijët e këtyre familjeve nuk do të mund të regjistrohen këtë vit.

“Për mua si kryeministër është i papranueshëm fakti që maturantët e Pejës, Prizrenit, Mitrovicës, të familjeve që janë të varfra ose mesatare mbesin pa u regjistruar këtë vit. Këtë problem që ta zgjidhim duhet të angazhohemi, por nuk e pranoj faktin që familjet e varfra ose mesatare që nuk kanë kushte që këta fëmijë t’i dërgojnë në Prishtinë sepse rritet kosto të mbesin pa u regjistruar në fakultet. Kjo ka merituar mënyrë tjetër të zgjidhjes”, ka thënë ai pas takimit që pati me një delegacion nga Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat