Driton Selmanaj përplaset me kryeshefin e Postës

Aktuale

Driton Selmanaj përplaset me kryeshefin e Postës

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 12:21
Pamje nga takimi

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që në rend dite kishte shqyrtimin e raportit të Auditimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Ujësellësit të Prishtinës.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj tha se në mungesë të kuorumit nuk mund të mbahet mbledhja, sipas të cilit vetëm anëtari Avdullah Hoti ka dhënë një informatë zyrtare për mungesën e tij, tjerët as nuk janë paraqitur.

“Unë e kam pasur vetëm një informatë zyrtare prej Avdullah Hotit që s’është këtu, për të tjerët s’kam asnjë informatë. Kjo tregon që shumë cështje të rëndësishme siç është Posta, Telekomi, ujësjellësi Prishtina, për të cilat kemi cka të diskutojmë mjaft, sepse raporti i zyrës së auditorit është më se negativ për të gjithë këto institucione, por në mungesë të deputetëve ne jemi të detyruar me mbyll sot dhe po e shty takimin për të premten në orën 10:00. Ju kërkoj ndjesë që pritet kaq gjatë por ky është realiteti”, tha Selmanaj.

Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeshefi i Postës Sejdi Hoxha i cili tha se nuk duhet të jepen paragjykime para se të diskutohet për diqka.

“Për hir të korrektësisë të kryetarit meqenëse nuk e diskutuam raportin e auditimit nuk është mirë më dhënë paragjykim para se me u diskutua në Komision”, tha Hoxha.

Por reagimi i Selmanajt ishte goxha i ashpër duke i thënë se mund të flasë vetëm kur t’ua jap fjalën.

 “Vetëm kur t’ua jep fjalën unë. Unë i menaxhoj këtu, nuk jeni në Postë. Kështu që shihemi të premten”, tha Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat