Ana tjetër e rrëfimit për 11 vjeçarin e vdekur në Fushë Kosovë - Bota Sot
Ana tjetër e rrëfimit për 11 vjeçarin e vdekur në Fushë Kosovë

Aktuale

Ana tjetër e rrëfimit për 11 vjeçarin e vdekur në Fushë Kosovë

Nga: N.Sh Më: 16 korrik 2019 Në ora: 13:55
K. Veseli

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për vdekjen e 11 vjeçarin në Fushë Kosovë.

11 vjeçari i komuniteti rom është gjetur i vdekur të enjten e 11 korrikut, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen ‘Xhemail Mustafa’ të Fushës Kosovës.

K.Veseli 11 vjeç, sipas familjes, dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra nga një person derisa po kërkonte kanaçe në rrugët e këtij qyteti. Familja po e akuzon një person për vdekjen e djalit të tyre. Ndërkohë i dyshuari sipas fqinjëve është një person me të kaluar problematike, rreth të 20-ve.

Ja reagimi i plotë:

Vdekja e 11 vjeçarit në Fushë Kosovë: Ana tjetër e rrëfimit!

Një i ri 11 vjeçar nga Fushë Kosova u gjet i vdekur më 11 korrik në një rrugë të qytetit në Lagjen Dardania. Kjo tragjedi goditi familjarët e viktimës K.V., pjestarë të komunitetit Rom Ashkali Egjiptian, por shqetësoi edhe banorët e Fushë Kosovës. Për ta rënduar edhe më shumë situatën, raportet e ekspertizës thonë se viktima është abuzuar seksualisht, edhe atë disa herë. Sipas raportimeve të mediave familja ka denoncuar këtë abuzim në polici qysh në janar, por ngjarja tregon se nuk janë ndërmarrë masat e duhura për t’i ofruar mbrojtje. Autoritetet lokale të Fushë Kosovës, deri sot, as që kanë reaguar në lidhje me këtë rast.

I riu, sipas raportimeve, jetonte nga mbledhja e kanaqeve në kontejnerët e qytetit, sigurisht pasi ka braktisur shkollën dhe jetën normale të një fëmiu. Jo rrallë, këto probleme shifen si endemike nga autoritetet lokale, pra si pjesë e patjetërsueshme e këtij komuniteti, si mënyrë e vetme e jetesës për ta. Autoritetet në Fushë Kosovë me qasjen e tyre sikur thonë se gjendja e kësaj pjese të popullatës thjesht nuk mund të ndryshohet. Së paku ktë e shpreh qasja e Komunës në raport me këta qytetarë.

Fushë Kosova ka një përqindje të konsiderueshme të banorëve nga komunitetet Rom, Ashkali, Egjiptian. Shumica e këtyre banorëve jetojnë në kushte të një varfërije të skajshme, pa vëmendjen e duhur.

Në të vërtetë politika në pushtet, në nivel lokal e qendror, kujtohet për këta baorë vetëm në kohë zgjedhjesh. Në këtë kohë vizitohen lagjet ku jetojnë këta qytetarë, ndihmohen me gjëra esenciale për jetë, dhe braktisen sapo të kalojnë zgjedhjet. Kështu, pushteti vazhdon varshmërinë e këtyre qytetarëve nga lëmosha, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i fitojë votat e tyre.

Asnjë program serioz për një zhvillim të qëndrueshëm të këtyre komuniteteve nuk është prezantuar nga pushteti. Madje ka edhe raste kur programe të tilla të ofruara nga organizata të huaja janë refuzuar. Kështu, një projekt për këtë komunitet nga organizata zvicerane ‘Terres des homes’ për krijimin e një qendreje për komunitete, është refuzuar nga Komuna e Fushë Kosovës.

Kjo pjesë e popullsisë, përkatësisht pjestarët e shoqërisë civile që funksionojnë në kuadër të saj, thonë se brenga më e madhe e këtyre banorëve është braktisja e shkollës nga fëmijët. Gjatë një takimi me një përfaqësues të komunitetit me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Fushë Kosovë, është thënë: ne jetojmë në një rreth vicioz.

Fëmijët braktisin shkollat për shkak të kushteve të vështira të jetesës, kurse kur kërkojmë punë nuk kemi kualifikime. Kështu, ne vazhdojmë të jetojmë duke pritur lëmoshën e pushtetit.

Mungesa e edukimit çon pashmangshëm në getoizim dhe reciklim të problemeve. Nënat rrisin fëmijët të pafuqishme për t’ua ndryshuar të ardhmen e tyre, sepse vetë ekzistenca e tyre është e kërcënuar.

Brengë tjetër e këtij komuniteti është përkujdesja shëndetësore. Edhe në këtë sens ky komunitet trajtohet vetëm në kohë zgjedhjesh. Ka qenë i famshëm rasti kur atyre u është ofruar vaksinimi i fëmijëve në kohë fushate, shërbim i cili, sipas përfaqësuesëve të shoqërisë civile nga komuniteti, nuk u është dhënë më parë.

Është e qartë se viktima K.V. mund të ketë qenë një rast abuzimi, ku së paku organet e rendit kanë një përgjegjësi. Mirëpo, situata në të cilën gjinden të rinjtë nga këto kounitete, bën përgjegjës pushtetin dhe të gjithë ata që shofin me një indiferencë këtë situatë. Banorët e këtyre lagjeve të getoizuara janë para së gjithash qytetarë të Kosovës, e pastaj i takojnë një komuniteti të caktuar.

Mungesa e përkushtimit për ta thyer rrethin vicioz për të cilin flet pjestari i shoqërisë civile nga komuniteti mund të prodhojë tragjedi tjera, përveç tragjedisë së përditshme që kanë nënat që përballohen me sfidën e sigurimit të bukës së përditshme. Këta banorë, edhe pse ka përpjekje për të mos u parë, jetojnë përditë poemën e Migjenit, “Bukën tonë të përditshme falna sot”. Gjendja e rëndë e tyre kërkon zgjidhje e jo shfrytëzim!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...