Haradinaj flet për armatimin e Serbisë të blerë nga Rusia: Çka të bëjmë ne...?

Aktuale

Haradinaj flet për armatimin e Serbisë të blerë nga Rusia: Çka të bëjmë ne...?

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 09:02
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë sinjale të martën se i druhet një lufte të re me Serbinë. Sipas tij, qasja e një pjese të komunitetit ndërkombëtar në raport me dialogun me Serbinë shtron nevojën që Kosova të pajiset me armatim.

E ka thënë këtë, tek ka folur për kushtet që duhet përmbushur, përpara se të rifillojë procesi dialogues, i cili prej gati një viti ndodhet në ngërç.

“Ajo që ka kërkuar Kosova është shumë bazike. Ne kemi kërkuar një kornizë-marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, me elementet përcjellëse. Kjo kornizë-marrëveshje duhet të jetë korniza për të cilën ne negociojmë dhe s’ka tjetër përveç asaj që paraqitet. Hezitimi është që Serbia ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë: nuk mund t’ia ngjitim emrin ‘njohje reciproke në kufijtë ekzistues’”, ka thënë Haradinaj. “Kjo po i bie që po na këshillojnë edhe neve që me ble mistrala, se Serbinë po e armatosin me mistrala”.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës e ka vazhduar edhe më tutje argumentimin.

“Për shembull, Serbia shumë po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë për sisteme raketore, e neve po na thuhet s’mund t’ia ngjesim emrin marrëveshjes se është njohja reciproke në kufijtë ekzistues. Çka të bëjmë ne pra?”, ka thënë ai. “Ne jemi shtet i pavarur. Ne nuk kërkojmë diçka tjetër në dialog, përpos njohjen reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, a është porosi për neve që edhe ne të armatosemi?”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat