Zbulohet fajtori për mosakreditimin e universiteteve

Aktuale

Zbulohet fajtori për mosakreditimin e universiteteve

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Mosakreditimi i tri universiteteve publike në Kosovë nga Këshilli Shtetëror për Cilësi (KSHC) do të duhej të shërbente si alarm për cilësinë e dobët në këto institucione publike arsimore dhe jo të lëshohen akuza të rënda nga qeveritarët në drejtim të anëtarëve të Këshillit.

Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit në vend një ditë pas vendimit të KSHC-së, ku Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë dhe Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë nuk do t’u lejohet regjistrimi i studentëve të rinj, shkruan Gazeta ‘Zëri”. 

Duke u bazuar në rekomandimet e raportit të ekspertëve ndërkombëtarë për tërheqje të akreditimit institucional, përveç universiteteve publike, KSHC-ja ka marrë vendim të mos i akreditojë edhe disa institucione private si: “Fama”, “Iliria”, “Tempulli” dhe “Kosova Art Academy”, ndërsa kolegji “Biznesi” dhe “Juridica” nuk kanë aplikuar fare, që nënkupton se nuk do të kenë akreditim gjatë këtij viti.

Rinor Qehaja, ekspert i arsimit, ka thënë se mosakreditimi i këtyre tri institucioneve publike tregon për dështimin e menaxhimit dhe cilësinë e dobët në universitetet e Kosovës.

“Mosakreditimi i tyre është dështim i menaxhmentit të universiteteve, andaj përgjegjësia duhet të kërkohet te menaxhmenti dhe jo në AKA. Mosakreditimi i universiteteve publike rajonale do të duhet të shërbente si alarm për cilësinë e dobët në këto institucione dhe domosdoshmërinë për llogaridhënie. Më i dëmshëm se mosakreditimi për studentë është të diplomuarit si të paditur dhe të papërgatitur për treg të punës”, ka deklaruar Qehaja.

Ndërsa Dukagjin Pupovci, po ashtu ekspert nga Qendra për Arsim e Kosovës, u shpreh se nga vendimi i KSHC-së nuk kanë pësuar as studentët që kanë planifikuar regjistrimin në universitetet respektive, sepse sipas tij dëm edhe më i madh do të ishte që studentët të regjistrohen në institucionet ku nuk garantohet cilësia.

Sipas Pupovcit, mosakreditimi është sinjal i mirë që universitet të reflektojnë dhe të mos rrezikojnë të shkojnë deri në mbyllje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat