Tahiri kërkon të sqarohen rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova

Aktuale

Tahiri kërkon të sqarohen rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 14:07
Ableard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, ka kërkuar që rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova të sqarohen deri në fund.

Tahiri deklaroi se si ministër i Drejtësisë është thellësisht i bindur se dinjiteti i njeriut në shoqërinë tonë nuk mund të jetë subjekt i angazhimit ose mos angazhimit të institucioneve.

“Mbi pretendimet që janë ngritur për mundësinë e neglizhencës në trajtimin e paralajmërimeve të këtij rasti, konsideroj se duhet një hetim i plotë dhe pa paragjykim”, tha ai.

Tahiti shtoi se nëse ka pasur neglizhencë, ajo nuk mund të tolerohet.

Postimi i Tahirit:

Rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova duhet sqaruar deri në fund. Pa dashur të paragjykoj asnjë element rreth këtij rasti, si Ministër i Drejtësisë jam thellësisht i bindur se dinjiteti i njeriut në shoqërinë tonë nuk mund të jetë subjekt i angazhimit ose mos angazhimit të institucioneve. Përgjegjësitë tona ligjore, kushtetuese e institucionale janë të ndara, por të gjitha bashkë janë në funksion të shoqërisë dhe anëtarëve të saj pa dallim.

Vlera e institucioneve merr tipare kuptimplota vetëm atëherë kur ato arrijnë të përmbushin misionin e tyre. Mbi pretendimet që janë ngritur për mundësinë e neglizhencës në trajtimin e paralajmërimeve të këtij rasti, konsideroj se duhet një hetim i plotë dhe pa paragjykim. Institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës funksionojnë mirëfilli dhe janë agjens të plotfuqishëm e të besueshëm, të cilëve qytetarët ju drejtohen për ndihmë. Prandaj brenda tyre neglizhenca nëse ka të tillë, nuk mund të tolerohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat