Lama pohon se u bë ambasadore me meritë, këmbëngul se nuk e ka votuar Thaçin për president

Aktuale

Lama pohon se u bë ambasadore me meritë, këmbëngul se nuk e ka votuar Thaçin për president

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 23:42
Alma Lama

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka thënë se emërimi i saj në këtë pozitë nuk është bërë me pazare votash, sepse ajo thotë se ka dëshmi se ajo nuk e ka votuar Hashim Thaçin për president.

Lama ka bërë të ditur në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se këto dëshmi i ka dorëzuar në Gjykatë dhe do të ngre padi ndaj mediave që kanë shpifur ndaj saj.

“Kam qenë ndër deputetet më të dalluarat në Kuvend. Kam ngritur shumë çështje edhe për politikën e jashtme të Kosovës. Pse s’do të duhej të bëhesha unë ambasadore. A jam unë e paaftë. Askush s’ka arritur t’i ulë kredencialet e mia. Unë nuk e kam votuar presidentin Thaçi. E kam votën të fotografuar. Unë kam paditur Kompaninë ‘Koha’ për këtë mashtrim. Ajo ka qenë në fushatë, bashkë me Vetëvendosjen dhe grupet ekstremiste islamiste kundër meje”, ka thënë Lama.

Tutje, ajo thotë se vazhdimisht ka përjetuar edhe ‘bërrylat’ e kolegëve të saj, të cilët ia kanë pasur zili për arritjet e saj.

“Kolegët e shtyrë nga zilia e kanë bërë këtë. I kam përjetuar bërrylat e tyre shkaku i arritjeve të mia. Jam akuzuar në mënyrën më të turpshme gjatë tërë mandatit tim si ambasadore, për pazare e çka jo tjetër për të dëmtuar reputacionin tim. Kurrë nuk e pranoj se jam pranuar ambasadore për shkak të votës time. Kurrsesi jo. Nuk ka lidhje me votën, unë nuk e kam votuar Hashim Thaçin, a e di këtë. Kuorumi për Thaçin si president ka ekzistuar edhe pa mua, sepse unë kam hyrë në sallë kur ka filluar votimi”, ka thënë tutje ajo në T7.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat