Meritokracia - kriter i veçantë për t’u emëruar Kryeprokuror i Shtetit

Aktuale

Meritokracia - kriter i veçantë për t’u emëruar Kryeprokuror i Shtetit

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 12:40
Pamje nga takimi

Komisioni për Çështje ka prezantuar draftin e rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës, ku meritokracia është vendosur kriter i veçantë në procesin e emërimit. E krejt kjo po konsiderohet një qasje ndryshe nga herët tjera.

Këshilli Prokurorial ka shqyrtuar rekomandimet e pjesëmarrësve që ishin të pranishëm në këtë takim, ku një nga rekomandimet ishte që nëse kandidati ka tentuar të ushtrojë ndikim në procesin e përzgjedhjes së krye prokurorit ose prokurorëve të përjashtohet nga procesi.

Kryetari i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se kjo rregullore është e një rëndësie shumë të veçantë, për shkak përcaktimit të kritereve dhe procedurave të cilat do t’i mundësojnë KPK-së një proces objektiv, transparent, jo diskriminues dhe gjithëpërfshirës, të bazuar në meritokraci.

Përmes disa kritereve të veçanta që kanë vendosur, Hyseni tha se synojnë të rrisin transparencën dhe konkurrencën në nivel më të gjerë.

Sipas tij, avancime ka pasur edhe në aspektin e angazhimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili sipas tij, do ta marrë barrën për emërimin e kryeprokurorëve dhe prokurorëve.

Hyseni: Meritokracia, kriter i veçantë për t’u emëruar kryeprokuror i shtetit

“Komisionet që janë paraparë të formohen, komisioni për intervistim, komisioni për shqyrtim, do të jenë pjesë e Këshillit Prokurorial të Kosovës me dhënë autoritet, mos me pas dilema mos po emërojmë në komisione njerëz të cilët ndoshta do të mbajnë anën subjektive dikujt, por do ta marrin barrën si KPK. Ajo që do të jetë me interes janë kriteret e veçanta... Kemi konsideruar që pjesën e akteve që kemi kërkuar, do të jenë akte të cilat do ta nxjerrin me meritokraci personin apo kandidatin, i cili do të përzgjidhet kryeprokuror. Dhe, i kemi dhënë prioritet në aspektin menaxhues, integritetit, natyrisht dhe kemi futur diçka të re, vetëvlerësimin, pasi konsiderojmë se vlerat që ka kandidati duhet me i tregu KPK-së dhe komisioneve se për çka e konsideron veten se është i mirë për me e udhëheq një prokurori përkatëse”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi tha se do të shqyrtohet çdo propozim, koment ose rekomandim që do të nxirret në dëgjim publik.

Gashi: Kemi draftuar një rregullore e cila është në funksion të sistemit prokurial

“Kemi arritur që të draftojmë një rregullore, e cila është në funksion të zhvillimit apo të avancimit të sistemit prokurorial në përgjithësi”, u shpreh ai.

Instituti për Drejtësi tha se takimi i sotëm është një qasje e re, e cila është kërkuar vazhdimisht nga IKD. Teksa bëri të ditur se sot kanë dërguar me shkrim të gjitha rekomandimet që kanë pasur.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se është brengosës paragrafi 5, neni 3, ku thuhet se aplikuesi duhet të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore në pesë vjetët e fundit.

Ai prezantoi edhe disa ndryshime teknike që disa fjalë në nene të ndryshohen apo të hiqen tërësisht, kryesisht për atë që sipas tij janë të panevojshme.

Miftaraj: Të përjashtohet nga gara kandidati që provon të ketë ndikim te  KPK

“Ne mendojmë se nëse kandidati provon të ndikojë te ndonjë anëtar i KPK-së, duhet të ketë pasoja, pasoja mund të lihen për t’u përjashtuar nga gara”, tha Miftaraj.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat