Dështon mbledhja e Komisionit për Arsim, për të hënën ftohet në takim ministri Bytyqi - Bota Sot
Dështon mbledhja e Komisionit për Arsim, për të hënën ftohet në takim ministri Bytyqi

Aktuale

Dështon mbledhja e Komisionit për Arsim, për të hënën ftohet në takim ministri Bytyqi

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 13:50
Pamje nga takimi

Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Arsim që kishte të vetmen pikë në rend dite situatën e krijuar pas vendimit të Komisionit Shtetëror të Cilësisë.

Kryetari i Komisionit Ismajl Kurteshi duke pasur parasysh që shumica e anëtarëve nuk ishin të pranishëm, tha se është e pamundur të mbahet mbledhja, ndërsa bëri të ditur se të hënën në orën 13:00 do të mbahet një takim për këtë çështje ku i ftuar do të jetë edhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi.

Pas dështimit të mbledhjes në mungesë kuorumi, deputetët jashtë sallës kanë paraqitur qëndrimet e tyre partiake, ku Kurteshi ka folur në emër të subjektit VV rreth vendimit të KShC, i cili tha se Këshilli është institucion i pavarur dhe ka të drejtë të marrë vendimi në bazë të ligjeve në fuqi.

“Këshilli do të duhej të bëjë publike raportet e ekspertëve dhe procedurat mbi çfarë baze janë marrë vendimet. Deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve janë pa vend”, tha Kurteshi.

Valentina Bunjaku nga LDK, tha se reagimet e kryeministrit dhe ministrit nuk duhet të jenë ndërhyrje në KShC, pasi ky institucion duhet të marrë vendime të pavarura.

“Ne si LDK nuk anojmë as në Këshill as në anën e kryeministrit, pasi ky Këshill ka marrë votën në kuvend dhe duhet lënë të punojë pa presion. Dënojmë ashpër  ndërhyrjen e kryeministrit dhe ministrit të Arsimit”, theksoi Bunjaku.

Deputeti Driton Çaushi tha se KSHC nuk po arrin ta kryejë punën e pavarur, gjë e cila rrezikon anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare për shkak të ndërhyrjeve politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza.

Ndërkohë, vetë KSHC ka shprehur shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të tyre për lojë politike. Ata thonë se do të rezistojnë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së, dhe se çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...