Zyra e BE-së kritikon Kuvendin për mos punë, potencojnë se janë kundër taksës

Aktuale

Zyra e BE-së kritikon Kuvendin për mos punë, potencojnë se janë kundër taksës

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, është takuar ditën e sotme me Komisionin për Integrime Evropiane, ku është diskutuar për Raportin për Vendin për vitin 2019, me ç’rast ka kritikuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Serri ka përmendur disa nga çështjet kryesore që përmend në raport, ku edhe një herë ka thënë se e kundërshtojnë taksën e vendosur nga mallrave serbe dhe boshnjake.

Ai ka theksuar se problemi më i madh i paraqitur në raport është mosfunksionimi i Kuvendit, mungesa e kuorumit dhe vonesat e seancave, e cila ndikon negativisht në produktivitetin e Kuvendit.

Serri: Në Kuvend shpesh ka mungesë kuorumi, vonesa në miratimin e legjislacionit

“Ju keni prodhuar shumë ligje, megjithatë e theksojmë faktin që ka një situatë shumë të polarizuar në Kuvend, ka disa çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Kuvendit që kemi theksuar, shpesh ka mungesë të kuorumit, vonesa në miratimin e legjislacionit, mungesë të organizimit struktural kur kemi të bëjmë me thirrjen e seancave plenare, Kuvendi nuk ka mbajtur një kohë të gjatë. Këto kanë ndikim në produktivitetin e Kuvendit”, tha ai.

Në këtë raport Serri tha se është theksuar se janë kundër taksës 100 për qind të vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

Serri: Jemi shumë kritik për vendosjen e taksës për mallrat serbe e boshnjake

“Është futja e tarifës 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, ky ishte një vendim që Qeveria e ka marr dhe ende është në fuqi. Jemi shumë kritik për këtë. E tërë bashkësia ndërkombëtare është kundër kësaj, posaçërisht BE-ja, sepse kjo minon të gjitha përpjekjet e përmirësimit të bashkëpunimit në nivel rajonal. Mendoj që nuk është e qëndrueshme dhe natyrisht kjo është raportuar në raport. Ka problem me financat publike, sepse ka një efekt të kundërt në zhvillimin e vendit dhe rritjen e vendit se si financat menaxhohen nganjëherë dhe kjo sjell rrezik në balancën e përgjithshme të buxhetit. Natyrisht, këtu kemi grupe specifike që kanë rritur shumë pagat në sektorin publik dhe natyrisht kjo ka ndikim në zhvillimin e sektorit privat. Dështimi i deritanishëm për të reformuar veteranët e luftës gjithashtu është një veprim që e kemi cekur në kontekst të financave publike”, tha ai.

Serri është pyetur nga deputetët e këtij komisionit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Serri: Procesi i vendimmarrjes në Bashkimin Evropian është i gjatë, i ndërlikuar

“Në korrik 2018, Komisioni Evropian konfirmoi që Kosova duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim dhe kur kemi të bëjmë me ato kushte konsiderojmë që i keni plotësuar. Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian e mbështeti propozimin e Komisionit për vizat që do të thotë se KE bëri propozim në favor të liberalizimit të vizave dhe Parlamenti e miratoi – do të duhet të trajtohet si çështje e urgjencës. Është e qartë që tani e dini që procesi i vendimmarrjes në BE është i gjatë, i ndërlikuar. Mund të jeni të frustruar, por procesi është në vazhdim e sipër dhe do të jetë përgjegjësi e Këshillit për të marrë vendim”, u shpreh ai.

Serri ka përmendur edhe disa çështje që janë përmendur në raport sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ai përmendi se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka strategji antikorrupsion dhe kjo sipas tij nuk është diçka e mirë. Ai tha se fakti që ka ligj të mirë për konfiskim, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Probleme tjera, sipas tij, mbeten emërimet e pamerituara dhe politike në pozita të larta, gjë e cila ndikon në funksionimin e administratës publike.

Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri, tha se raporti ka qenë korrekt dhe duhet të pranohen edhe të metat. Sa i përket punës së Kuvendit, Beqiri tha se kurrë nuk përfundojnë seancat siç duhet, derisa theksoi se ata si opozitë nuk e kanë përgjegjësi për ta bërë kuorumin.

Beqiri: Ne jemi opozitë dhe nuk është përgjegjësi e jona me e bë kuorumin

“Është bërë një lloj refreni i vazhdueshëm çështja e funksionimit të institucioneve tona, flas institucioneve legjislative, Qeverisë, organeve të pavarura që është e meta ose defekti jonë kryesor. Këtë defekt e kemi të vazhdueshëm të mosfunksionimit ashtu siç duhet të institucioneve tona të pavarura, veçmas krimi dhe korrupsioni, sundimi i ligjit. Është një problem i yni i madh ku duhet të jemi real, sa më shpejt që e kuptojmë këtë që duhet me e krye në këtë drejtim punën ashtu siç duhet atëherë dyert mund t’i kemi të hapura atje ku funksionojmë. Punën e Kuvendit, i shohim agjendat, kurrë nuk kryhet seanca qysh duhet dhe normalisht ne jemi opozitë. Nuk është përgjegjësi e jona të bëjmë kuorumin. Por, asnjëherë nuk kemi dalë kundër projekteve, marrëveshjeve ato që kanë të bëjnë me integrimin tonë evropian”, tha Beqiri.

Ai pati një pyetje sa i përket projektit të sallës koncertale në Prishtinë se pse ka dështuar dhe për projektin e deponisë së mbeturinave në Fushë Kosovë.

Në përgjigjen e tij zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Riccardo Serri, tha se BE është e gatshme të shpenzojë në Kosovë deri në 100 milionë euro, por që tha se ata duhet t’iu binden disa rregullave të caktuara administrative.

Sa i përket dy projekteve ai bëri të ditur se për deponinë e mbeturinave ka dështuar për shkak të mos arritjes së marrëveshjes për lokacionin. Ndërsa, për sallën koncertale, ai tha se ndonëse paratë e parapara për të janë shpenzuar diku tjetër, por që në të ardhmen do t’i rikthehen këtij projekti.

Serri: Projekti për deponinë ishte një projekt prej 12 milionë euro

“Lidhur me projektin për deponinë ishte një projekt prej 12 milionë euro, ishte një projekt i mirë mendoj që duhet të siguronte mbeturinat e rrezikshme që të deponohen diku. Kjo nuk mund të ndodhte sepse në fund të procesit të gjatë tre vjeçar gjatë të cilit ishim në pozitë për të shpenzuar ato para ishte e pamundur të gjendeshin institucione lokale se ku ajo deponi do të mund të ndërtohej. Në fund të ditës, pasi marrëveshja nuk ishte për fat të keq u desh ta pezullojmë projektin... Kur kemi të bëjmë me sallën koncertale është e vërtetë që paratë që janë caktuar fillimisht për atë projekt tani janë shpenzuar në një projekt tjetër që është shumë i rëndësishëm, sepse Kosova kishte planifikuar dhe jemi të përgatitur që në të ardhmen të kthehemi në projektin e sallës koncertale, që është një projekt i mirë. Duhet të ndërtohet në Prishtinë, por përsëri na duhet një indikacion i qartë se cili do të jetë lokacioni, besoni se kjo do të ndodh”, u shpreh ai.

Deputeti Milaim Zeka ka thënë se në takime ndërkombëtare gjithmonë u thuhet se Kosova nuk ka përmbushur kriterin e luftimit të korrupsionit për liberalizimin e vizave. Për këtë ai tha se Zyra e BE-së në Kosovë duhet të jenë më reale për arsye se sipas tij korrupsion ka pasur edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Megjithatë, ai tha se po të pyetej, do t’ia vazhdonte mandatin EULEX-it edhe për 50 vjet, pasi është më i mirë se prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Zeka: EULEX-i 1 milion herë më i mirë se prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës

“Me keqardhje e them që shuarja e mandatit të EULEX-it në Kosovë pavarësisht defekteve të tij, për mua është diçka shumë negative. Po të isha unë udhëheqës i këtij shteti unë do t’ia vazhdoja mandatin EULEX-it dhe BE-së për kontrollin e policisë, gjykatave dhe prokurorisë edhe 50 vjet. Sado i keq që ka qenë EULEX-i është 1 milion herë më i mirë se prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës. Por, e kam një këshillë për Zyrën e BE-së: nganjëherë po flisni për ato rastet e shenjëstruara. Unë mendoj që ajo është një presion ndaj gjykatave dhe ndaj Prokurorisë së Kosovës. Ju duhet t’i bëni presion presidentit, Zyrës së presidentit, Këshillit Prokurorial në përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve të mirë. Por, ju lutem ju keni qenë këtu dhe jeni për të treguar rastet që një polic evropian dhe një prokuror evropian as nuk kishte me u marr me atë çështje dhe rastet që shkojnë në gjykatë vetëm për inat e politike janë shokuese për çdo evropian. Aktakuzat në Kosovë që i bëhen çdo personi, 90 për qind janë aktakuza politike dhe ato nuk bëhen mbi bazën e fakteve, por bëhen mbi baza të thirrjeve telefonike që i bënë X personi dhe i thotë gjuajuni filanit”, tha ai.

Deputeti Zeka ka komentuar edhe kritikat e raportit për punën e Kuvendit, ku ai tha se ndjehet i turpëruar që është pjesë e këtij Parlamenti, sipas tij ky nuk meriton të quhet Parlament, pasi nuk funksionon si i tillë.

Sa i përket sundimit të ligjit, deputeti i PSD-së Visar Ymeri, tha se gjyqësori duhet ta dëshmojë që ka aftësi të jetë më i fuqishëm se individë të caktuar.

Ymeri: Sistemi gjyqësor ta dëshmojë se është më i fuqishëm se individë të caktuar

“Sistemi i gjyqësorit në Kosovë. Kosova në përgjithësi duhet të dëshmojë që e ka aftësinë të jetë më e fuqishme se individët e caktuar të veshur me pushtet politik. Mendoj që kjo është pak a shumë në të gjitha ato diskutime e vërejtje, rekomandime që vijnë nga BE. Pak a shumë, kërkohet kjo dhe mendoj që më së miri e më së shumti kjo shpërfaqet në rastet e identifikuara që Zyra e Komisionit Evropian këtu i ka përcjellë sa i përket liberalizimit të vizave. Janë 10 -15 raste dhe nëse në këto raste shihet që ka progres, e progresi nuk nënkupton ndikim në vendimin e gjyqësorit po trajtim i drejtë i këtyre rasteve, atëherë kjo e dëshmon që Kosova ka filluar të pjekët. E këto raste natyrisht kanë të bëjnë, jo të gjitha po shumica, janë të lidhura me njerëz që kanë pushtet politik. Këtë duhet ta dëshmojmë si shtet, a e kemi aftësinë, vullnetin, guximin që t’i ndëshkojmë kur janë për t’u ndëshkuar personat me pushtet politik e të cilët janë identifikuar se janë përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion dhe këtë nuk e kemi bërë. Prandaj, çfarëdo ‘tiku’ tjetër për mendimin tim, edhe pse pozitiv, është i pamjaftueshëm”, tha Ymeri.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj ka ngritur shqetësimin se kosovarët po diskriminohen sa i përket liberalizimit të vizave.

Kadaj: E merr bursën për tre muaj e vizën veç për një muaj

“Skiatori e merr përkrahjen për të qenë tre muaj në Austri, ia paguajnë krejt me hotel, do të thotë gjëra që kushtojnë e në fund e merr vizën veç për 1 muaj. Kjo është krim, do të thotë një i ri e humb mundësinë përkundër që i plotëson të gjitha kriteret dhe pritet me qenë yll në nivel ndërkombëtarë për shkak se i japin vizë veç për 1 muaj, e jo 3 muaj aq sa e ka fituar bursën. Janë tema të cilat dhe për të cilat besoj se duhet të kemi përgjegjësi të përbashkët dhe ta ndajmë këtë përgjegjësi”, tha ajo.

Ndryshe, Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për 2019 është publikuar më 29 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat